Zgjohuni! ndihmon të shpëtojë një foshnjë e palindur
Zgjohuni! ndihmon të shpëtojë një foshnjë e palindur
● Anita * nga Meksika kishte tre fëmijë dhe mbeti sërish shtatzënë. I tha të shoqit se nuk donte fëmijë tjetër dhe do të bënte çmos ta hiqte. Madje i tha se do të vriste veten. Në atë kohë, Anita studionte Biblën me një Dëshmitare të Jehovait, megjithatë po përparonte fare pak. «Isha tip krenar»,—thotë ajo.
Dëshmitarja që studionte me Anitën i shpjegoi parimet biblike që lidheshin me këtë rast. Për shembull, i tregoi Anitës se jeta e foshnjës së palindur është e shenjtë në sytë e Perëndisë. Në Izraelin e lashtë, nëse dikush plagoste një grua shtatzënë dhe ajo ose foshnja e palindur vdiste, Ligji i Perëndisë urdhëronte që sulmuesi të gjykohej si vrasës. (Dalja 21:22, 23) * Por Anita e dëgjoi sa për të thënë. E kishte ndarë mendjen.
«Dikush më tha se, po të injektoja një lloj preparati, do të bëja abort spontan,—tregon Anita.—Prandaj e bleva dhe i kërkova një shoku të ma injektonte. Ai e bëri, por s’ndodhi gjë. Më vonë mora vesh se nuk donte të bëhej bashkëpunëtor, prandaj fshehurazi e zëvendësoi preparatin me ujë të pastër.»
Prapëseprapë Anita nuk dorëzohej. Muajin e katërt të shtatzënisë gjeti një mjek dhe lanë takim për abort. Gjashtë ditë para, Dëshmitarja i dha Anitës një kopje të artikullit «Ditari i një foshnjeje që s’lindi kurrë», botuar në revistën Zgjohuni! të 22 majit 1980 (nuk është botuar në shqip). Ky «ditar» përfundonte me fjalët: «Sot mami im më vrau.» Këto fjalë e tronditën Anitën dhe qau për orë të tëra. Ajo tha: «Ai artikull më në fund më hapi sytë.»
Anita lindi një vajzë të shëndetshme. «Sot kam privilegjin të njoh Jehovain, të cilin e dua me gjithë zemër»,—thotë Anita. Gjithashtu po ia mëson Fjalën e Perëndisë së bijës që edhe asaj t’i rritet dashuria për Jehovain. Vajza e Anitës e pranon hapur se e ka jetën falë Perëndisë: së pari, sepse ai është Burimi i jetës dhe, së dyti, sepse e shpëtuan mësimet e Fjalës së tij, të trajtuara në Zgjohuni!
[Shënimet]
^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.
^ par. 3 Fjalët e përdorura në gjuhën origjinale përfshijnë vdekjen e nënës ose të foshnjës.