«Dua divorcin!»
Shtëpia është në gjendje të mjerë. Duket që e kanë lënë pas dore. Sa e sa stuhi e kanë rrahur në rrjedhën e viteve e disa kanë lënë gjurmë. Tani struktura është e brishtë dhe duket se do të shembet nga çasti në çast.
KJO tablo përshkruan gjendjen e shumë martesave sot. A je ndier ndonjëherë sikur edhe martesa jote ka marrë këtë rrugë? Nëse po, të jesh i sigurt se asnjë çift nuk është i imunizuar ndaj problemeve. Me realizëm, Bibla pohon se ata që martohen ka shumë të ngjarë të kenë «shtrëngim në mish».—1 Korintasve 7:28.
Duke nënvizuar vërtetësinë e këtyre fjalëve, një ekip studiuesish e përshkruajnë martesën si «sipërmarrjen më të rrezikshme që ndërmerret rëndom nga shumica e njerëzve në shoqërinë tonë». Ata shtojnë: «Ajo që nis si një lidhje aq e gëzueshme dhe premtuese mund të kthehet në përpjekjen më zhgënjyese e të dhembshme të jetës.»
Po martesa jote? A karakterizohet nga një a më shumë prej veçorive të mëposhtme?
Grindjet e vazhdueshme
I foluri i hidhur
Tradhtia
Mëria
Ç’duhet të bësh nëse martesa jote duket e brishtë dhe sikur do të shembet nga çasti në çast? A është divorci zgjidhja?