Çfarë mësojmë nga natyra?
Çfarë mësojmë nga natyra?
«Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri.»—Psalmi 104:24.
SHUMË veta e përdorin fjalën «natyrë» për të treguar burimin e projektit të gjallesave. Për shembull, në numrin e marsit 2003, revista Scientific American thoshte: «Nga të gjitha mbulesat që veshin trupat e që ka projektuar natyra, pendët janë më të larmishmet e më misteriozet.» Ndonëse shkrimtari mund ta mendojë natyrën thjesht si një forcë, ai thotë se natyra «projektoi» pendët. A mund të projektojë një forcë?
Sipas një fjalori, «të projektosh» do të thotë «të planifikosh (diçka) me një qëllim a synim në mendje». (The New Oxford Dictionary of English) Vetëm një person mund të projektojë e të shpikë. Ashtu si shkencëtarët kanë emra, edhe Krijuesi ka emër. Jehovai është Projektuesi i natyrës. Vetëm ai është «Më i Larti në tërë dheun», ai që ‘krijoi gjithçka’.—Psalmi 83:18; Zbulesa 4:11.
Çfarë mësojmë nga krijimi? Mësimet më madhështore që nxjerrim prej krijimit na tregojnë për Jehovain dhe cilësitë e tij të mrekullueshme, përfshirë mençurinë e tij. «Cilësitë e tij të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra.» (Romakëve 1:20) Nga natyra mësojmë se mençuria e Perëndisë është më e madhe se jona. Përderisa i projekton gjërat më mirë se shpikësit, a nuk është logjike që mund të na këshillojë më mirë se këshilluesit njerëzorë?
Këshillat e Perëndisë nuk gjenden kryesisht në «librin e natyrës», por në Fjalën e tij të shkruar, në Bibël. Në të mund të gjesh me bollëk mençuri praktike. Bibla thotë: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.»—2 Timoteut 3:16.
Nëse ju duket interesante të mësoni për shpikësit, do të shihni se të mësoni për Krijuesin është shumë më tepër tërheqëse. Për shembull, ka mjaft të ngjarë të doni përgjigjen e pyetjeve si: pse vuajmë dhe vdesim? A është vërtet ky qëllimi i Perëndisë për njeriun? Nëse jo, pse i lejon Perëndia vuajtjet?
E pranojnë apo jo, shkencëtarët e kanë mësuar projektin nga Jehovai. Edhe ju mund të mësoni shumë nga Krijuesi ynë. Për shembull, mund të mësoni si të keni një martesë të fortë, si të rritni fëmijë të mbarë, cili është qëllimi i Perëndisë për tokën dhe shumë më tepër gjëra që do t’i japin kuptim jetës suaj. Libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, mund t’ju ndihmojë të nxirrni mjaft dobi nga Fjala e Perëndisë.