Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është e gabuar të kërkosh pak privacitet?

A është e gabuar të kërkosh pak privacitet?

Të rinjtë pyesin

A është e gabuar të kërkosh pak privacitet?

Vër një ✔ te përgjigjja që zgjedh në secilën prej situatave të mëposhtme.

1. Je në dhomën tënde me derën mbyllur dhe vëllai a motra ia beh pa trokitur.

«S’prish punë. . . . Edhe unë ia bëj po njësoj.»

«Si guxon! Po sikur të isha duke u veshur?»

2. Po flet në telefon me një shok a shoqe dhe mami është aty përqark e duket hapur që po dëgjon çdo fjalë.

«S’prish punë. . . . S’kam ndonjë gjë për të fshehur.»

«Çfarë sikleti! Më duket sikur po më përgjon.»

3. Sapo ke hyrë në shtëpi dhe të dy prindërit ia nisin të të bombardojnë me pyetje. «Ku ishe? Çfarë bëre? Me kë ishe?»

«S’prish punë. . . . Zakonisht unë u tregoj çdo gjë.»

«Sa më mërzitin! Prindërit nuk kanë besim tek unë.»

KUR ishe më i vogël, ndoshta s’e kishe shumë problem që të tjerët të të prishnin privacitetin. Nëse vëllai a motra më e vogël ia behnin në dhomën tënde, i mirëpritje. Kur prindërit të bënin ndonjë pyetje, u përgjigjeshe pa ngurruar. Në atë kohë jeta jote ishte një libër i hapur. Tani mbase dëshiron që hera-herës të jesh një libër i mbyllur. «Më pëlqen që disa gjëra t’i mbaj për vete»,—thotë Koli 14-vjeçar *.

Pse lindi papritur kjo dëshirë për pak jetë private? Një arsye është se po rritesh. Për shembull, ndryshimet e trupit që ndodhin gjatë adoleshencës, mund të bëjnë që të merakosesh tepër për pamjen, madje edhe në sy të familjarëve. Gjithashtu, teksa rritesh, fillon të ndiesh si kurrë më parë nevojën t’i mendosh thellë gjërat, pa ndërhyrjen e të tjerëve. Kjo tregon se po zhvillon ‘aftësinë për të menduar’, një cilësi që Bibla e vlerëson te të rinjtë. (Proverbat 1:1, 4; Ligji i përtërirë 32:29) Edhe Jezui shkoi «në një vend të vetmuar» për t’u menduar thellë.—Mateu 14:13.

Sigurisht je ende nën autoritetin e prindërve dhe ata kanë të drejtë të dinë ç’ndodh në jetën tënde. (Efesianëve 6:1) Por, kur bashkohet e drejta e tyre për të ditur me nevojën tënde për t’u rritur, mund të ketë përplasje. Si ta kapërcesh këtë vështirësi? Le të shohim dy aspekte ku mund të lindin probleme.

Kur dëshiron të rrish vetëm

Ka një sërë arsyesh të vlefshme për të cilat dëshiron të rrish vetëm. Mbase dëshiron ‘të pushosh pak’. (Marku 6:31) Ose, siç i këshilloi Jezui dishepujt, ‘të hysh në dhomën tënde dhe, pasi të kesh mbyllur derën, t’i lutesh Atit tënd’. (Mateu 6:6; Marku 1:35) Problemi është se, kur e mbyll derën e dhomës sate (nëse ke një dhomë tënden), prindërit mbase nuk mendojnë se po lutesh. Edhe vëllai a motra ndoshta nuk e kupton se dëshiron të rrish vetëm.

Çfarë të bësh? Në vend që ta kthesh dhomën në një shesh beteje, ndiq sugjerimet e mëposhtme.

● Vëri disa rregulla të arsyeshme vëllait a motrës, që të kesh ca kohë për veten. Nëse nevojitet, shiko se mos të ndihmojnë edhe prindërit për këtë.

● Kur bëhet fjalë për prindërit, mundohu të kuptosh si mendojnë ata. «Ndonjëherë prindërit më kontrollojnë fshehurazi,—thotë Rebeka 16-vjeçare.—Por, të jem e sinqertë, edhe unë do ta kontrolloja fëmijën tim adoleshent po të isha prind, sidomos duke ditur të gjitha tundimet që hasin sot të rinjtë.» A mund ta dallosh edhe ti ku e kanë vërtet hallin prindërit?—Proverbat 19:11.

● Pyete veten me ndershmëri: «A u kam dhënë shkas prindërve të dyshojnë se po bëj diçka të gabuar kur mbyll derën e dhomës? A jam kaq i fshehtë sa ata mendojnë që duhet të më spiunojnë?» Në përgjithësi, sa më i hapur të jesh me prindërit, aq më pak do të dyshojnë. *

Hapa që dua të bëj. Më poshtë, shkruaj ç’mund të thuash për ta hapur bisedën me prindërit.

․․․․․

Kur zë shokë

Gjatë adoleshencës është normale të zësh shoqëri të tjera përveç familjarëve. Gjithashtu është normale që prindërit të jenë në merak kush janë shokët e tu dhe çfarë bën me ta. Për prindërit kjo është veçse pjesë e punës së tyre: diçka që e ndiejnë si detyrë ta bëjnë. Prapëseprapë ty shqetësimi i prindërve mbase të duket një frikë e sëmurë. «Dua të flas në celular dhe të merrem me postën elektronike, pa prindërit që më vëzhgojnë dhe më pyesin çdo dhjetë minuta me kë po flet»,—thotë Emi 16-vjeçare.

Çfarë të bësh? Në vend që të lejosh që shokët të krijojnë një hendek mes teje dhe prindërve, provo sugjerimet e mëposhtme.

● Tregoju hapur cilët janë shokët e tu dhe sigurohu që prindërit të njihen me ta. Në fund të fundit, mbase nuk të pëlqen kur prindërit bëjnë rolin e hetuesit, por ç’të bëjnë tjetër kur as e kanë idenë cilët janë shokët e tu? Mbaj parasysh se prindërit e dinë se shokët që zë do të ndikojnë mjaft te ti. (1 Korintasve 15:33) Sa më shumë të dinë prindërit për njerëzit me të cilët kalon kohën, aq më të qetë do të ndihen për shokët që zgjedh.

● Bisedo me respekt me prindërit për këtë çështje. Mos i akuzo sikur futin hundët në punët e tua. Mund të thuash diçka si: «Më duket sikur, sa herë që flas me shokët, më hetoni dhe më gjykoni. Prandaj e kam shumë të vështirë të flas me ta edhe për gjëra të vogla.» Mbase prindërit do të të lënë më shumë liri dhe nuk do të ndërhyjnë tepër në marrëdhëniet e tua me shokët.—Proverbat 16:23.

● Ji i ndershëm me veten: a bëhet fjalë për jetë private apo për të mbajtur sekrete? Britni 22-vjeçare thotë: «Nëse prindërit i shqetëson diçka, do të ishte mirë të mendoje: ‘Nuk po bëj ndonjë gjë të keqe, pra, pse ta fsheh?’ Nga ana tjetër, nëse të duhet ta fshehësh, nënkupton që ka diçka tjetër në mes.»

Hapat që dua të bëj. Më poshtë, shkruaj ç’mund të thuash për ta hapur bisedën me prindërit.

․․․․․

Jeta private dhe ti

Tani ke rastin të vrasësh mendjen që të gjesh disa zgjidhje për një aspekt konkret të jetës sate private, të cilin e ke merak.

Hapi 1: Përcakto problemin.

Në cilin aspekt dëshiron më shumë privacitet?

․․․․․

Hapi 2: Merr parasysh pikëpamjen e prindërve.

Çfarë mendon se i shqetëson vërtet ata?

․․․․․

Hapi 3: Mundohu të gjesh zgjidhje.

(a) Mendo të paktën një mënyrë që pa dashje ndoshta po e rëndon vetë problemin dhe shkruaje më poshtë.

․․․․․

(b) Çfarë ndryshimesh mund të bësh lidhur me përgjigjen më sipër?

․․․․․

(c) Si do të doje të reagonin prindërit ndaj shqetësimit tënd?

․․․․․

Hapi 4: Shprehu.

Në një kohë të përshtatshme bisedo me prindërit për atë që shkrove më sipër.

[Shënimet]

^ par. 13 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

^ par. 21 Nëse duket që prindërit ende janë dyshues, me qetësi dhe respekt tregoju si ndihesh. Dëgjoji vërtet shqetësimet e prindërve dhe përpiqu të mos bësh asgjë që e rëndon problemin.—Jakovi 1:19.

PËR TË MENDUAR

● Pse kanë të drejtë prindërit të dinë ç’ndodh në jetën tënde?

● Si mund të komunikosh më mirë me të rritur të tjerë më vonë, nëse përpiqesh tani të përmirësosh komunikimin me prindërit?

[Kutia dhe figurat në faqen 19]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«Në qoftë se të rinjtë hapen me prindërit, atëherë prindërit do të kenë më pak arsye për t’u lexuar adoleshentëve postën elektronike dhe mesazhet në celular, që të zbulojnë çfarë ndodh në jetën e tyre.»

«Nuk do të mërzitesha, po të ma lexonin prindërit postën elektronike. Në disa vende punëdhënësi ka të drejtë t’ua lexojë postën elektronike punonjësve, atëherë pse prindërit nuk duhet t’ua lexojnë fëmijëve postën elektronike?»

«Prindërit nuk duan të të ndodhë gjë dhe, nganjëherë, duket sikur ndërhyjnë në punët e tua. Nuk duket e drejtë. Por, sinqerisht, po të isha prind, do të bëja njësoj.»

[Figurat]

Ideni

Kevini

Alejna

[Kutia në faqen 21]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

● Yt bir është në dhomën e vet me derën mbyllur. A duhet të hysh pa trokitur?

● Vajza ka harruar celularin, pasi doli me nxitim për në shkollë. A duhet t’u hedhësh një sy mesazheve të ruajtura në celular?

Nuk është e lehtë t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve. Nga njëra anë ke të drejtën të dish çfarë ndodh në jetën e fëmijës tënd adoleshent dhe detyrën ta ruash mos i ndodh gjë. Nga ana tjetër, s’mund të kontrollosh gjithnjë çdo lëvizje të fëmijës. Pra, si ta gjesh ekuilibrin?

Së pari kupto se dëshira e adoleshentit për privacitet nuk do të thotë gjithmonë se po bën diçka të gabuar. Shpesh është pjesë normale e rritjes. Privaciteti i ndihmon adoleshentët të ecin me këmbët e veta teksa ndërtojnë shoqëritë e tyre dhe teksa peshojnë mirë problemet duke vënë në punë «fuqinë [e tyre] për të arsyetuar». (Romakëve 12:1, 2) Kjo i ndihmon të bëhen të rritur të pjekur. (1 Korintasve 13:11) Gjithashtu u jep mundësi të meditojnë, para se t’u përgjigjen pyetjeve që mund t’i vënë në siklet e që lidhen me besimin dhe normat e tyre morale.—Proverbat 15:28.

Së dyti kupto se orvatjet për të kontrolluar çdo milimetër në jetën e adoleshentit, mund të ngjallin zemërim dhe rebelim. (Efesianëve 6:4; Kolosianëve 3:21) A do të thotë kjo se duhet të sprapsesh? Jo, sepse mbetesh prind. Sidoqoftë, synimi duhet të jetë që fëmijës t’i stërvitet ndërgjegjja. (Ligji i përtërirë 6:6, 7; Proverbat 22:6) Në fund të fundit është më mirë ta drejtosh, sesa ta përgjosh.

Së treti bisedo për këtë çështje me fëmijën. Dëgjoje çfarë e shqetëson. A ka raste kur mund të hapësh rrugë? (Filipianëve 4:5) Bëji të ditur adoleshentit se do t’i lësh njëfarë lirie pa ndërhyrë, për sa kohë nuk përfiton nga besimi yt. Përcakto pasojat e mosbindjes dhe respektoji, po të lindë nevoja. Të jesh i sigurt se është e mundur t’i lësh fëmijës pak privacitet, pa hequr dorë nga roli yt si prind i kujdesshëm.

[Figura në faqen 20]

Besimi është si rroga: duhet fituar