Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fast food për insektet

Fast food për insektet

Fast food për insektet

● Insekteve u pëlqejnë ushqimet shumë kalorike dhe që i kanë për kollaj. Një burim i tillë janë lulet. Ashtu si dyqanet fast-food, edhe lulet i bëjnë reklamë vetes me ngjyrat e ndezura. Të joshura nga lulet, insektet ulen mbi to dhe mund të përtypin pjalmin ose të rrufitin nektarin.

Pas një nate të freskët, insektet janë tepër të plogështa. Prandaj, këtyre krijesave me gjak të ftohtë, u duhet energjia e diellit që t’ia nisin pa vonesë. Shumë lule u ofrojnë insekteve një shërbim të kompletuar: ushqim të shëndetshëm dhe një vend ku të shëllehen në diell. Le të ndalemi shkurtimisht te një shembull i njohur.

Margarita e bardhë është një lule e përhapur që rritet në një pjesë të madhe të Evropës dhe të Amerikës së Veriut. Mbase nuk duket e veçantë, por nëse ndaleni dhe e këqyrni me kujdes, do të shihni se zien nga aktiviteti. Margarita është një vend ideal për insektet që të nisin ditën. Petalet e bardha pasqyrojnë ngrohtësinë e diellit, kurse qendra e verdhë është një vendpushim i hatashëm, ku insektet thithin energjinë e diellit. *

Si për të hapur oreksin, qendra e margaritës është plot pjalm dhe nektar, ushqime të shëndetshme, të preferuara nga mjaft insekte. E ku ka vend më të mirë për insektet se të hanë një mëngjes për së mbari dhe të shijojnë diellin!?

Prandaj lloj-lloj insektesh bëjnë paradë mbi margarita teksa dita kalon. Të zë syri brumbuj, flutura shumëngjyrëshe, çimka shqytare, bulktha dhe gjithfarë mizash. Sigurisht, nëse nuk je natyrë vëzhguese, mbase kurrë nuk i pikas këto «dyqane fast-food» të mrekullueshme.

Prandaj, herën tjetër që do të jeni në gjirin e natyrës, pse të mos përpiqeni të vëzhgoni disa nga këto margarita, ekosisteme që nuk bien në sy? Kjo përvojë do t’jua rritë vlerësimin dhe mirënjohjen për Krijuesin që i projektoi.

[Shënimi]

^ par. 4 Shkencëtarët kanë zbuluar se temperatura në sipërfaqen e disa luleve është disa gradë më shumë se temperatura e ambientit.