Fluturimi me motor
Fluturimi me motor
PËR shekuj me radhë njerëzit kanë ëndërruar të fluturojnë. Por njeriu nuk ka muskuj aq të fuqishëm sa të ngrihet në ajër. Në vitin 1781, Xhejms Vati shpiku një motor me avull që prodhonte energji rrotulluese, kurse në vitin 1876, Nikolaus Otoja bëri një hap më tej dhe ndërtoi motorin me djegie të brendshme. Tani njeriu kishte një motor që mund të furnizonte me energji një makinë fluturuese. Por kush do të ishte i zoti ta ndërtonte?
Vëllezërve Vilbur dhe Orvil Rajt u kishte lindur dëshira të fluturonin qysh në fëmijëri kur mësuan të ngrinin balona. Më vonë fituan zotësi inxhinierike duke ndërtuar biçikleta. Ata kuptuan se vështirësia kryesore e fluturimit ishte të projektonin një mjet që mund të manovrohej. Aeroplani që nuk e ruan ekuilibrin në ajër është po aq i pavlerë sa një biçikletë pa timon. Vilburi vëzhgonte pëllumbat në fluturim dhe vërente se ata anoheshin kur bënin ndonjë kthesë, siç bën çiklisti. Ai arriti në përfundimin se zogjtë e bëjnë kthesën dhe e ruajnë ekuilibrin duke kthyer e përkulur majat e krahëve. Kështu i lindi ideja të ndërtonin një krah që përkulej.
Në vitin 1900, Vilburi dhe Orvili ndërtuan një mjet me krahë të përkulshëm. Në fillim e drejtuan si balonë, pastaj si aeroplan pa motor e me pilot. Ata zbuluan se, për drejtimin e aeroplanit, duhej të kishe nën kontroll tri lëvizjet bazë: ngritjen, kthesën anash dhe rrotullimin. Megjithatë u zhgënjyen, se krahët nuk realizonin një forcë ngritëse të mjaftueshme, prandaj ndërtuan një tunel aerodinamik dhe eksperimentuan qindra forma krahësh, derisa gjetën formën, përmasat dhe këndin e duhur. Në vitin 1902, krijuan një mjet të ri fluturimi dhe arritën ta ruanin ekuilibrin e tij në erë. A mund t’i montonin tani një motor?
Së pari duhej ta ndërtonin vetë motorin. Me njohuritë e fituara në tunelin aerodinamik, zgjidhën problemin e ndërlikuar të projektimit të një helike. Më në fund, më 17 dhjetor 1903, e vunë në punë motorin, helikat uturinë dhe mjeti u ngrit ndërsa frynte një erë e akullt. «E realizuam ambicien që na ziente qysh fëmijë,—thanë ata.—Mësuam të fluturonim.» Vëllezërit morën famë ndërkombëtare. Por si ia dolën të ngriheshin në ajër? Po, natyra pati pjesën e vet.
[Figura në faqen 4]
Aeroplani «Flyer» i vëllezërve Rajt, në Karolinën e Veriut, SHBA, 1903 (imitim)