Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ishujt Farer lidhen me rrugë unike

Ishujt Farer lidhen me rrugë unike

Ishujt Farer lidhen me rrugë unike

ISHUJT Farer janë një grumbull i vogël me 18 ishuj në ujërat plot tallaze të Atlantikut Verior. Popullsia e tyre ka gjuhën e vet fareze. Në këta ishuj me bukuri marramendëse, malet e rrëpirëta thepa-thepa zbresin thikë drejt ujit. Afër oqeanit, shtëpitë nëpër fshatra i kanë lyer me lloj-lloj ngjyrash. Në verë, majat e kodrave, mbuluar me bar, ndriçojnë nga e gjelbra që s’ka të krahasuar.

Ndonëse 48.000 banorët e këtyre ishujve përbëjnë një komunitet, nuk ka qenë gjithnjë e lehtë të arrihej kjo. Dikur, për të transportuar udhëtarë e mallra nga ishulli në ishull, përdoreshin varkat me rrema. Për të shkuar nga njëri fshat në tjetrin, duhej të kaptoje shpate malesh e fushëgropa të thella. Të ndërtoje shtëpi, ndërkohë që të gjitha materialet vinin me varkë, ishte një punë kolosale. Materialet mbërrinin në një liman të vogël në breg dhe duhej të transportoheshin në fshat para se të niste ndërtimi.

Popullsia e hershme

Tregimet më të vjetra të dokumentuara për Ishujt Farer u shkruan nga një murg irlandez rreth vitit 825 të e.s. Ai tregon se në ishuj ka pasur murgj vetmitarë irlandezë më shumë se njëqind vjet para tij. Gjithsesi, thuhet se ngulimet në këta ishuj nisën me mbërritjen e Grimur Kambanit nga Norvegjia, në fillim të shekullit të nëntë.

Ndonëse popullsia e hershme e siguronte jetesën duke peshkuar, banorët merreshin edhe me blegtori. Në gjuhën fareze emri Fërëjar (Ishujt Farer) do të thotë «ishujt e deleve» dhe mbarështimi i deleve ende është i rëndësishëm. Leshi ka shërbyer si mbrojtje ndaj erës, shiut dhe të ftohtit. Madje dikur kishin një thënie se leshi është ari i farezëve.

Edhe sot në ishuj ka më shumë dele se njerëz. Delet theren në mënyrën tradicionale dhe mishi varet në depo që të thahet nga era që fryn lirshëm nëpërmjet mureve. Kjo i jep shije mjaft të mirë mishit dhe e bën ushqim shumë të preferuar.

Siç pritet nga një popullsi e vogël dhe e izoluar, farezët janë mjaft të lidhur, ashtu si lidhen njerëzit kur mbështeten te njëri-tjetri për të mbijetuar. Ky unitet i ka rezistuar kohës, dora-dorës që mjetet e udhëtimit e të komunikimit e kanë lehtësuar kontaktin ndërmjet banorëve të ishujve.

Lidhen me tunele

Tuneli i parë në Ishujt Farer u hap në vitin 1963. Ai u hap tejpërtej një mali në ishullin më jugor, Sudheroih, ku bashkon dy fshatra. Hapja e tunelit, që kërkonte gërmime të shumta, shpime dhe shpërthime me dinamit, u bë njëkohësisht nga të dyja anët e malit.

Një tunel i ndërtuar kohët e fundit e çon trafikun rreth 150 metra nën oqean dhe lidh dy nga ishujt më të mëdhenj. Për të shpuar shkëmbin, u përdor një matrapik 5 metra. Pastaj në fund të vrimës vunë dinamit. Pas shpërthimit u hoqën shkëmbinj e popla shkëmbi, dhe kështu hapën një pjesë tuneli prej 5 metrash. Kjo u përsërit derisa tuneli arriti gjatësinë 6 kilometra. Tuneli u hap për trafikun e automjeteve më 29 prill 2006.

Ishujt Farer sot kanë 18 tunele, dy prej të cilave janë nën oqean dhe lidhin ishuj. Asnjë vend i botës nuk ka më shumë kilometra tunel në raport me numrin e banorëve. Megjithatë, tunele të tjera janë në projekt. Parlamenti ka vendosur të ndërtojë edhe dy të tjera midis ishujve më të mëdhenj. Njëri, që pritet të përfundojë në vitin 2012, do të jetë 11,9 kilometra i gjatë, duke u renditur kështu si një nga tunelet më të gjatë nënujor në botë.

Një lidhje tjetër unike

Në Ishujt Farer ka një grup njerëzish që i bashkon një tjetër lloj lidhjeje: lidhja e fortë e besimit mes Dëshmitarëve të Jehovait. Dëshmitaret e para që vizituan ishujt ishin dy gra të përkushtuara që mbërritën nga Danimarka në vitin 1935. Ato kaluan gjithë verën duke shkuar nga shtëpia në shtëpi, për të shpërndarë mesazhin biblik për Mbretërinë e Perëndisë. Me kalimin e kohës disa banorë pranuan mesazhin inkurajues dhe u futën në radhët e predikuesve.—Mateu 24:14.

Sot rreth njëqind Dëshmitarë mblidhen në katër Salla Mbretërie në ishuj. Ata e kryejnë me zell shërbimin e tyre dhe për këtë i ndihmojnë rrugët dhe tunelet e mira që lidhin këta ishuj magjepsës në ujërat me tallaze të Atlantikut Verior.

[Figura në faqen 17]

Ky tunel e çon trafikun rreth 150 metra nën oqean dhe lidh dy nga ishujt më të mëdhenj