Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Katakombet e Odesës: Labirint i nëndheshëm

Katakombet e Odesës: Labirint i nëndheshëm

Katakombet e Odesës: Labirint i nëndheshëm

NJË plasaritje e gjatë u shfaq në murin e saposuvatuar të një apartamenti të ristrukturuar. «Ah, këto katakombe që po e anojnë pallatin»,—u ankua i zoti i shtëpisë.

Cilido qoftë problemi—një tub uji që shpërthen apo një gropë në rrugë—fajin ua vënë tuneleve poshtë qytetit të bukur ukrainas të Odesës në Detin e Zi. Këto katakombe, që mendohet se kanë 2.500 kilometra tunele të nëndheshme, mund të jenë më të mëdhatë në botë.

Pyesnim veten: «Nga erdhën këto tunele? Ç’rol luajnë në jetën e njerëzve që jetojnë sipër tyre?» Një vizitë atje iu përgjigj pyetjeve tona.

Udhëtim nën tokë

Autobusi ynë u nis nga stacioni i trenit të Odesës me një grup pushuesish e studentësh entuziastë. Rrugës për te katakombet ciceronia na tregoi për historinë e tyre.

Mësuam se gërmimi i katakombeve me sa duket ka filluar në vitet 30 të shekullit të 19-të kur qyteti kishte nevojë për materiale ndërtimi të lira dhe që gjendeshin kollaj. Si për ta lehtësuar punën, nën qytet kishte shtresa të gjata me gurë gëlqerorë të lehtë e të fortë me ngjyrë të verdhë. Kështu nxjerrja e gurëve u bë biznes fitimprurës për qytetin që po rritej. Dora-dorës që gërmuesit nxirrnin gurë, katakombet merrnin formë.

Shpejt nën qytet u shtri një labirint pa sistem. Tunelet hapeshin më shumë se 35 metra nën dhe. Nganjëherë ato kryqëzoheshin në nivele të ndryshme. Me t’u sosur gurët gëlqerorë në disa tunele, fillonte puna për hapjen e të tjerave. Me kohë rrjeti i tuneleve u hap në fshatrat e largët.

S’kaloi shumë dhe autobusi ynë mbërriti në Nerubajskë, fshat i vogël tamam në veri të Odesës. Shpejt u gjendëm pranë një muri me gurë gëlqerorë, ku ndodhej një portë e rëndë metalike e cila vuloste njërin nga tunelet. Ciceronia na tha: «Tani do të hyjmë në një zonë ku rrinin partizanët sovjetikë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Do të krijoni një ide si jetonin ata këtu.» Sipas Andri Kransnozhonit, ekspert për katakombet, një grup partizanësh jetoi këtu nën tokë për 13 muaj.

Ciceronia shtoi: «Mos harroni se shumë të tjerë kanë jetuar në ndonjërin nga segmentet e katakombeve në periudha të ndryshme. Ndër ta kishte banditë, piratë dhe emigrantë politikë. Të gjithë patën pak a shumë të njëjtat kushte.»

Hymë në një korridor të zymtë që zhdukej në errësirë. «Për partizanët, këto tunele nuk ishin thjesht vende për t’u fshehur, por i pajisnin sa më mirë të ishte e mundur. Në dhomën e zbavitjes burrat luanin damë, shah ose domino nën dritën e qiririt. Në muret shkëmbore të tunelit kryesor hapeshin dhoma për burrat dhe për gratë. Brenda çdo dhome hapej një raft në mur që shtrohej me sanë. Ky shërbente për të fjetur. Pavijoni i spitalit kishte shtretër të vërtetë dhe sallë operacioni. Gratë gatuanin mbi një sobë me dru prej guri gëlqeror të verdhë. Tymi dilte te një tunel më lart»,—na tha ciceronia.

Tavani i tunelit ngjante me një sfungjer të madh prej vërteti, vetëm se nuk ishte i butë. Te muret, ku ishin prerë blloqe gurësh, dukeshin shenjat e sharrës që vinin si zigzage nga lart poshtë. Muret ishin si letër smerile shumë e ashpër. Ciceronia shpjegoi se, «kur partizanët dilnin nga tunelet, i ndërronin rrobat që gjermanët të mos i diktonin nga era, pasi rrobat merrnin një erë tipike nga lagështia e katakombeve».

Ajo tha: «Jeta nën tokë kishte edhe veçori të tjera, si për shembull, errësira e plotë.» Ciceronia e fiku dritën dhe u zhytëm në errësirë. Pastaj vazhdoi: «Ata nuk i përdornin dot gjithnjë llambat me vajgur.» Ndërsa ecnim qorrazi duke u kapur pas murit, shtoi: «Shkëmbinjtë i thithin tingujt, prandaj, nëse humbet, askush nuk të dëgjon kur bërtet.» Shyqyr që ciceronia jonë e ndezi prapë dritën!

«Rojat punonin vetëm me turne dyorëshe, sepse pas një kohe të gjatë në errësirë dhe heshtje të plotë, mund të kishin halucinacione dëgjimore»,—vazhdoi ciceronia. Nga një vrimë në tavanin e tunelit ku ndodheshim pamë një tunel më sipër që kryqëzohej me tonin. Pyesja veten: «Nga vjen? Ku shkon?» Më dukej si aventurë. Ciceronia tregoi: «Vetëm 1.700 kilometra të katakombeve figurojnë në hartë, kështu ka ende shumë punë për të bërë.»

Eksploruesit kanë zbuluar tunele të reja kohët e fundit. Brenda kanë gjetur gazeta shekullore, llamba vajguri të periudhës përpara revolucionit dhe pará të kohës së carëve. Këto zbulime, të paprekura për dekada me radhë, u përkitnin banorëve të dikurshëm të katakombeve të thella, të errëta e të gjata të Odesës.—Nga një bashkëpunëtor.

[Kutia dhe figura në faqen 25]

THESARE ARKITEKTURORE

Ndërtesa të bukura me gurë gëlqerorë të verdhë gjenden ende në qendër të Odesës. Dyert në disa prej bodrumeve të ndërtesave të çojnë drejtpërdrejt te katakombet. Edhe sot ndërtohet me gur gëlqeror.

[Figura në faqet 24, 25]

Shtretër spitali që përdoreshin nga sovjetikët gjatë Luftës II Botërore

[Figura në faqet 24, 25]

Mendohet se në katakombet e Odesës ka 2.500 kilometra tunele të nëndheshme