Modelin e kishte natyra
Modelin e kishte natyra
«Pyet zogjtë e qiellit, dhe ata do të të tregojnë! . . . Dora e Jehovait ka bërë gjithçka.»—Jobi 12:7-9.
ÇDO gjë te zogjtë duket sikur është projektuar enkas për fluturim. Për shembull, boshti i pendëve të krahëve duhet të mbajë gjithë peshën gjatë fluturimit. Si ka mundësi që krahët janë kaq të lehtë, por edhe kaq të fortë? Po t’i bësh një prerje tërthore boshtit të pendës e kupton përse. Ai ngjason me traversat që kanë shtresa shkume. Pjesa e brendshme është sfungjerore, kurse sipërfaqja e ashpër. Inxhinierët e kanë studiuar boshtin e pendëve dhe kanë përdorur traversa me strukturë të ngjashme për mjetet e fluturimit.
Edhe eshtrat e zogjve janë projektuar në mënyrë të mrekullueshme. Shumica janë bosh dhe disa prej tyre përforcohen me shtyllëza të brendshme, duke krijuar një strukturë si dy traversa paralele të bashkuara nga pajandra që krijojnë trekëndësha. Është interesante se një projekt i ngjashëm u përdor për krahët e anijes kozmike.
Pilotët i mbajnë në ekuilibër aeroplanët modernë duke përshtatur disa fletë të lëvizshme në krahë dhe në bisht. Ndërsa zogu përdor nja 48 muskuj në krahë dhe shpatulla për të ndryshuar formën dhe lëvizjet e krahëve dhe të çdo pende të përfshirë. Këtë e bën disa herë në sekondë. S’është habi që projektuesit e avionëve e kanë zili zotësinë e zogjve për akrobaci në ajër.
Fluturimi, sidomos ngritja, kërkon tepër energji. Prandaj zogjve u duhet një «motor» i fuqishëm që punon shpejt. Zemra e zogut rreh më shpejt se ajo e një gjitari me të njëjtën madhësi e zakonisht është më e madhe dhe më e fuqishme. Gjithashtu, ndryshe nga gjitarët, rrugët e frymëmarrjes te zogjtë janë njëkalimshe, dhe kjo i bën mushkëritë të kenë më shumë rendiment.
Shumë zogj janë projektuar për të mbajtur karburant të mjaftueshëm për fluturime jashtëzakonisht të gjata. Një mëllenjë shtegtare mund të humbasë gati gjysmën e peshës në një fluturim dhjetëorësh. Kur një lloj gjelëze niset nga Alaska për në Zelandën e Re, më shumë se gjysma e peshës së saj është dhjamë. Është mahnitëse që ajo fluturon pa pushim rreth 190 orë (tetë ditë). S’ka avion në botë që e bën këtë.