Modelin e kishte natyra
Modelin e kishte natyra
«Si veshin që dëgjon, ashtu edhe syrin që shikon, Jehovai i ka bërë që të dy.»—Proverbat 20:12.
SYTË tanë janë si kamera të vockla televizive. Ata i kthejnë pamjet në sinjale elektrike dhe i transmetojnë nëpërmjet nervit optik në pjesën e pasme të trurit ku realizohet vërtet shikimi.
Syri është një mrekulli në miniaturë. Me një diametër vetëm 24 milimetra dhe peshë 7,5 gramë, ai është një kryevepër inxhinierike. Për shembull, ka sisteme të ndara për dritën e dobët dhe për atë të fortë, kështu, 30 minuta pasi hyjmë në një dhomë të errët, syri bëhet 10.000 herë më i ndjeshëm ndaj dritës.
Çfarë të bën të shohësh qartë kur ka ndriçim normal? Syri ka mbi 100 herë më shumë qeliza të ndjeshme ndaj dritës (piksela), në krahasim me shumicën e kamerave. Gjithashtu, një pjesë e madhe e këtyre qelizave janë grumbulluar në një pikë të vogël në qendër të retinës, e quajtur fovea ose gropa qendrore, e cila siguron shikimin më të mprehtë. Meqë e ndryshojmë qendrën e shikimit disa herë në sekondë, na krijohet përshtypja se e gjithë fushëpamja është e qartë. Është mahnitëse që fovea e syrit është afërsisht sa pika në fund të kësaj fjalie.
Sinjalet elektrike nga qelizat e ndjeshme ndaj dritës kalojnë nga njëra qelizë nervore në tjetrën drejt nervit optik. Por qelizat nervore nuk bëjnë vetëm kalimin e sinjaleve. Ato i përpunojnë paraprakisht, duke përforcuar informacionin e rëndësishëm të sinjaleve dhe duke bllokuar hollësitë e panevojshme.
Zona pamore e kores së trurit është si një marrës pamor i sofistikuar. Ajo i qartëson pamjet duke përforcuar konturet dhe i krahason sinjalet që vijnë nga qelizat e ndjeshme ndaj ngjyrave bazë—së kuqes, së gjelbrës dhe blusë—që njeriu të dallojë miliona ngjyra. Truri krahason edhe ndryshimet e imëta midis asaj që shohin dy sytë, që të perceptojmë largësinë.
Mendoni se si sytë i analizojnë fytyrat në një turmë njerëzish në distancë dhe i dërgojnë sinjale elektrike trurit që më pas i transformon në pamje të qarta. Mendoni edhe si krahasohen detajet e imëta të atyre fytyrave me ato që ruani në kujtesë, e në këtë mënyrë e njihni menjëherë shokun tuaj. A nuk është mahnitës ky proces?
[Figura në faqen 7]
Mënyra si e përpunon syri informacionin provon se është kryevepër inxhinierike