Modelin e kishte natyra
Modelin e kishte natyra
«Edhe lejleku në qiej i di mirë kohët e tij.»—Jeremia 8:7.
JEREMIA shkroi për lejlekun shtegtar më shumë se 2.500 vjet më parë. Sot njerëzit ende mrekullohen me krijesat shtegtare, si salmonët që notojnë mijëra kilometra në oqean e kthehen në lumin ku lindën dhe breshkat gjigante të ujit që udhëtojnë jashtëzakonisht larg. Një breshkë uji gjigante që shtronte vezët në Indonezi, u vrojtua teksa shtegtonte 20.000 kilometra deri në bregun e Oregonit në Shtetet e Bashkuara. Shpesh këto breshka kthehen në të njëjtën zonë të Indonezisë që të shtrojnë sërish vezë.
Aftësia që kanë disa krijesa për të gjetur shtëpinë e vet, është edhe më e jashtëzakonshme se orientimi instinktiv i shtegtarëve. Për shembull, studiuesit morën 18 albatrosë me avion nga një ishull i vogël në qendër të oqeanit Paqësor. I çuan në disa vende mijëra kilometra larg dhe i lanë të lirë: disa afër bregut perëndimor të oqeanit dhe disa afër bregut lindor. Brenda pak javësh shumica e zogjve ishin kthyer në shtëpinë e tyre.
Pëllumbat janë çuar më shumë se 150 kilometra në vende të panjohura teksa ishin në anestezi të thellë ose në fuçi që rrotulloheshin. Prapëseprapë, pasi fluturuan disa herë vërdallë, e llogaritën vendndodhjen dhe morën saktësisht drejtimin për në shtëpi. Meqë pëllumbat e gjejnë rrugën për në shtëpi edhe me lente kontakti jo të tejdukshme, studiuesit mendojnë se e llogaritin vendndodhjen në lidhje me shtëpinë duke diktuar drejtimin nga u vjen informacioni i rëndësishëm orientues.
Fluturat monarke nga zona të gjera të Amerikës së Veriut, shtegtojnë më shumë se 1.600 kilometra drejt një vendi të vogël në Meksikë. Ndonëse nuk kanë qenë kurrë më parë në Meksikë, e gjejnë rrugën dhe shpesh shkojnë po në ato pemë që pushonin stërgjyshërit e tyre vitin e mëparshëm. Mënyra si e arrijnë këtë, mbetet enigmë për studiuesit.
Ndërkohë që pajisjet tona automatike të orientimit mund të varen plotësisht nga satelitët, shumë kafshë duken të afta të përdorin metoda të ndryshme orientimi: që nga vrojtimi i pikave të referimit dhe i diellit e deri te përcaktimi i fushave magnetike, aromave të veçanta, madje edhe tingujve. Profesori i biologjisë Xhejms L. Guld shkruan: «Kafshët, jeta e të cilave varet nga orientimi i saktë, janë pa përjashtim të pajisura më së miri. . . . Ato zakonisht janë pajisur me disa variante strategjish, një sërë metodash, ndërmjet të cilave zgjedhin atë që u jep të dhëna më të sakta.» Orientimi i sofistikuar i kafshëve ende i befason studiuesit.