Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në timon për të shpëtuar jetë

Në timon për të shpëtuar jetë

Në timon për të shpëtuar jetë

● Një grua shtatzënë është në një sallë të madhe dhe po dëgjon me vëmendje një program mësimi biblik. Befas, ndien dhembjet e forta të lindjes. Megjithatë ishin marrë masat për raste urgjente. Një autoambulancë ishte aty afër dhe brenda pak minutash gruaja dhe i shoqi mbërritën në spital. Ajo lindi një vajzë të bukur.

Sot, makinat e urgjencës luajnë një rol të rëndësishëm në sistemin shëndetësor të mjaft vendeve. Këto automjete kanë një personel të kualifikuar: mjekë, infermierë dhe shoferë të stërvitur. * Ato janë pajisur më së miri për të dhënë ndihmën e parë në raste të tilla urgjente, si: aksidentet rrugore, infarktet, hemorragjitë cerebrale ose lindjet. Çdo vit ky shërbim i shpejtë mjekësor në timon shpëton mijëra jetë.

Kur në vitin 2004 u sulmuan katër trena pasagjerësh në Madrid të Spanjës, shpëtuan rreth 400 jetë falë ndërhyrjes së menjëhershme e të efektshme të ekipeve të urgjencës. * Dr. Ervihio Koral-Toresit, drejtor i shërbimit të urgjencës në Madrid, i kujtohet kjo përvojë e tmerrshme. Ai shpjegon: «Këto janë raste që bëjnë bujë në media, por, sa e vlefshme është ndihma jonë, kjo duket në rastet e jetës së përditshme, kur ndihmojmë njerëzit në rrugë. Gjëja më e bukur e këtij shërbimi është që njerëz të cilët e kishin jetën në fije të perit, janë ende gjallë sot.»

Kur e pyetën çfarë do t’ua lehtësonte punën, dr. Koral-Toresi sugjeroi: «Duhet t’i ndërgjegjësojmë më tepër njerëzit që të na thërrasin patjetër kur kanë nevojë.» Ai shton: «Synimi ynë është t’u japim ndihmë mjekësore të specializuar njerëzve, kudo dhe kurdo që kanë nevojë, dhe këtë ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur me të marrë telefonatën.» Në qytetet e mëdha, zakonisht ndihma arrin brenda dhjetë minutash.

Në disa qytete të mbipopulluara, si në San-Paulo, Brazil, trafiku krijon mjaft probleme për shoferët e autoambulancave, kështu që personeli mjekësor përdor motoçikletat. Ata mbërrijnë më shpejt se autoambulanca për ta parë gjendjen dhe për ta mbajtur nën kontroll. Qytete të tjera që kanë vënë në dispozicion këtë shërbim të shpejtë janë: Londra, Angli; Kuala-Lampuri, Malajzi dhe Majemi, Shtetet e Bashkuara.

[Shënimet]

^ par. 3 Shoferët duhet të dinë si t’i përdorin pajisjet mjekësore të ambulancës dhe si ta ngasin makinën sipas gjendjes së pacientit.

[Kutia dhe figura në faqen 11]

SI MUND T’I NDIHMOSH?

Ja disa hapa kryesorë që mund të bësh në një situatë urgjente, për t’i ndihmuar ekipet mjekësore të autoambulancave të kryejnë punën jetëshpëtuese:

1. Bjeri menjëherë numrit të urgjencës. Për Shqipërinë është 127, për Komunitetin Evropian 112, ndërsa për SHBA-në 911.

2. Shpjego qartë vendndodhjen.

3. Përshkruaj simptomat që sheh. Për shembull, a merr frymë personi? A është i vetëdijshëm? A ka hemorragji?

4. Nëse ka shumë dëmtime, mos e lëviz, pasi kjo mund t’ia përkeqësojë gjendjen.

5. Nëse ka të vjella, ktheje anash që të mos mbytet.