Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Njerëzit që nuk pinë duhan, që janë aktivë fizikisht, që nuk e teprojnë me alkoolin dhe që hanë të paktën pesë racione frutash ose perimesh në ditë, jetojnë mesatarisht 14 vjet më shumë se ata që nuk kanë asnjë nga këto karakteristika.» Përfundimi bazohet në një studim 11-vjeçar me 20.000 njerëz.—UC BERKELEY WELLNESS LETTER, SHBA.
«Leximi është mënyra më e mirë për të pushuar. . . . Edhe gjashtë minuta lexim mjaftojnë për të hequr më shumë se dy të tretat e stresit.»—INDIA TODAY INTERNATIONAL, INDI.
«Lodra» të braktisura
Sipas gazetës The New York Times, «ekonomia e keqe po krijon një flotë anijesh të harruara» në SHBA. Pronarët ua fshijnë emrat anijeve, ua heqin numrat e regjistrimit, e pastaj i braktisin ose i fundosin. Ndonjëherë e bëjnë këtë qëllimisht për të marrë paratë e siguracionit. Pse veprojnë kështu? Times vëren se «disa . . . gjenden po aq ngushtë sa të zotët e shtëpive që nuk paguajnë dot kredinë: u duhet të paguajnë shuma të mëdha për një mall që po i bie vlera, e kështu vendosin të mos paguajnë më». Prandaj gazeta i quan anijet «lodra të shtrenjta për t’u mbajtur për të cilat ka humbur interesi». Ajo shpjegon më tej: «Pronarët nuk mund t’i shesin, pasi tregu i mallrave të përdorura është plot e përplot. Ata nuk e përballojnë dot të paguajnë qindra dollarë çdo muaj që t’i mbajnë të ankoruara dhe t’i mirëmbajnë anijet. Gjithashtu nuk kanë ato mijëra dollarë që duhen për t’u liruar prej tyre siç duhet.»
Çfarë mendojnë parashkollorët për trupin e tyre?
Fëmijët e moshës katërvjeçare «po përpiqen të ndryshojnë pamjen që t’i përshtaten pikëpamjes së shoqërisë për trupin ideal», siç raporton Sunday Telegraph e Sidneit. Një studim për zakonet e të ngrënit dhe ushtrimeve zbuloi se djemtë dhe vajzat ishin të shqetësuar për përmasat e trupit—vajzat donin të binin në peshë, ndërsa djemtë donin të bëheshin me muskuj. Ata që u morën me studimin thanë: «Dukej se fëmijët pasqyronin pikëpamjen e nënave, të cilat në përgjithësi ishin të pakënaqura me trupin e tyre.»
Fëmijët blejnë me anë të Internetit
«Një e pesta e fëmijëve [në Mbretërinë e Bashkuar] blejnë me anë të Internetit pa lejen e prindërve dhe gjysma e tyre përdorin kartat e kreditit të prindërve»,—njofton The Daily Telegraph e Londrës. Shumë fëmijë i dinë sitet dhe fjalëkalimet që përdorin prindërit kur blejnë online, e kështu fare lehtë mund të gjejnë edhe numrin e kartës së tyre të kreditit. Pak prindër mendojnë se fëmijët arrijnë të blejnë online pa lejen e tyre. Gazeta vëren se ka «një ndryshim të madh» midis asaj që mendojnë prindërit se dinë fëmijët dhe asaj që ata dinë vërtet. Ndër të tjera, kjo sjellje i vë prindërit përballë rrezikut të mashtrimit. Prindërit që blejnë online këshillohen «të mos i lënë të dhënat e hollësishme të kartës së kreditit ose debitit në sit», të përdorin vetëm site me reputacion të mirë dhe «të dalin prej siteve kur të mbarojnë punë».