Orientimi automatik
Orientimi automatik
MBASE e dini sa e vështirë është të gjesh rrugën në një vend të panjohur. Atëherë, si arrin një lundërtar ta gjejë rrugën në oqeane, pa asnjë pikë referimi? Busulla nuk mjafton nëse ai nuk e di ku ndodhet në lidhje me vendmbërritjen. Vetëm në vitet 30 të shekullit të 18-të, kur u shpik sektanti dhe kronometri detar, lundërtarët mund të gjenin vendndodhjen e saktë dhe të përcaktonin udhën në hartë. Por për çdo llogaritje duheshin orë të tëra.
Sot automjetet në mjaft vende orientohen falë disa pajisjeve pak a shumë të lira që lidhen me Sistemin Global të Pozicionimit (GPS). Mjafton të shkruash adresën dhe pajisja shfaq në ekran ku ndodhesh me saktësi. Pastaj të tregon nga duhet të shkosh. Si funksionon?
Pajisjet me orientim satelitor varen nga rreth 30 satelitë. Secili transmeton sinjale që tregojnë pozicionin e satelitit dhe orën me një saktësi në disa miliarda të sekondës. Sapo lidhet me të paktën tre satelitë, pajisja mat saktësisht sa kohë i duhet sinjalit të shkojë nga sateliti te marrësi. Me këtë informacion ajo përcakton ku jeni. A përfytyroni dot sa llogaritje të vështira bën? Në pak sekonda llogarit largësinë nga të tre satelitët, që janë mijëra kilometra larg dhe lëvizin në drejtime të ndryshme me shpejtësi shumë kilometra në sekondë.
Profesorët Bradford Parkinsoni dhe Ivan Getingu e shpikën GPS-në në fillim të viteve 60. Ndonëse fillimisht u bë për t’u përdorur në ushtri, më vonë u vu edhe në dispozicion të publikut dhe u fut plotësisht në përdorim në vitin 1996. Marrësi GPS është një mrekulli e teknologjisë së kompjuterëve, por a ishte pajisja e parë automatike e orientimit?
[Burimi i figurës në faqen 8]
Globi: bazuar në një fotografi të NASA-s