Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Televizori

Televizori

Televizori

SHPEJT pasi njeriu mësoi të transmetonte tingujt, shpikësit vritnin mendjen nëse mund të transmetonin edhe pamjet. Për ta kuptuar çfarë vështirësie do të hasnin, të shohim si punon televizori sot.

Së pari, kamera televizive fikson një pamje në një pajisje që e «lexon» njësoj siç do të lexonit diçka të shkruar. Por, në vend që të analizojë rreshta shkronjash në një faqe, ajo analizon rreshta pikash (piksela) në atë pamje. Kjo pajisje e transformon atë që sheh në një sinjal viziv elektronik që transmetohet në një vend tjetër. Më tej një aparat marrës e kthen sërish sinjalin në pamje.

Skocezit Xhon-Logi Berd i njihet merita si i pari që tregoi si funksionon televizori. Kur shëndeti i dobët e detyroi të linte punën si inxhinier elektrik, Berdi iu kthye çështjes që i kishte interesuar që në adoleshencë: të ndërtonte një pajisje që transmetonte pamje.

Kamera televizive e Berdit kishte një disk (në fillim një kuti cilindrike) me nja 30 vrima të shpuara në formë spiraleje. Kur disku rrotullohej, vrimat kalonin me radhë, analizonin pamjen rresht pas rreshti dhe lejonin që drita të binte në një fotoelement. Ky prodhonte një sinjal viziv që i transmetohej marrësit. Te marrësi, sinjali përforcohej që të krijonte një dritë të ndryshueshme pas një disku të ngjashëm rrotullues, dhe kështu riprodhohej pamja. Vështirësia ishte të sinkronizonin disqet. Ndërsa Berdi punonte pa u lodhur për projektin, e siguronte jetesën duke lustruar këpucë.

Berdi transmetoi pamjen e parë televizive nga një cep i papafingos së tij në tjetrin, më 2 tetor 1925. Njeriu i parë që doli në televizor, ishte një djalë i frikësuar nga e panjohura që punonte në zyrën një kat më poshtë e që Berdi e pagoi gjysmë korone për ndihmën. Në vitin 1928, Berdi transmetoi pamjet e para televizive përtej Atlantikut. Kur mbërriti personalisht në Nju-Jork, skocezi i ndrojtur u ndie shumë në siklet, ngaqë e pritën me një bandë gajdesh. Ishte i famshëm. Por, a ishte i pari që transmetoi pamje?