Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ejani të takojmë shimpanzetë në gjirin e natyrës

Ejani të takojmë shimpanzetë në gjirin e natyrës

Ejani të takojmë shimpanzetë në gjirin e natyrës

NDËRSA ndjekim shtegun e ngushtë në një pyll tropikal në Afrikën ekuatoriale, dalëngadalë sytë na mësohen me dritën e mekur që depërton përmes kurorave të dendura të pemëve. Gumëzhima monotone e bulkthave dhe pemët e stërmëdha—disa prej të cilave 55 metra të larta—të mbuluara me hardhi, na mahnitin e frikësojnë disi. Padurimi na pushton. Na krijohet ndjesia se në këtë ambient të vagët duhet të ecësh lehtë e t’i bësh sytë katër. Kur befas, dëgjohet një hu e fortë dhe një frymëmarrje e shpejtë. Tingujt bëhen më të fortë e më të hollë derisa na shurdhojnë veshët, pastaj fashiten si me buton. U lodhëm së ecuri, por ja ku erdhi çasti i shumëpritur emocionues. Kemi gjetur një grup shimpanzesh.

Harbime të tilla euforike, si ajo dihatje dhe tingulli shurdhues, ulërimat e nganjëherë edhe goditja e trungjeve si të ishin daulle, janë mënyra komunikimi për shimpanzetë, kështu thërrasin njëra-tjetrën. Me sa duket, kjo nevojë e ngutshme për të lajmëruar pjesën tjetër të grupit lindi nga një pemë plot fiq të pjekur e të shijshëm. Ngremë sytë në kurorën e gjerë të një fiku të lartë dhe shohim një grup të madh ndoshta me 20 a 30 shimpanze që hanë fiq rehat-rehat. Gëzofi i zi u shkëlqen bukur nga drita e diellit. Një prej tyre nis të na gjuajë me degëza pemësh dhe sakaq, një breshëri degëzash derdhet mbi ne. Mesazhi është i qartë: mos të guxojë kush t’ua prekë ushqimin!

Rasti më i mirë për të gjetur shimpanze është kur vjen stina e frutave. Në periudha të tjera, kjo është më e vështirë, pasi mund të shpërndahen në grupe të vogla te bimët e ulëta. Shimpanzeve në natyrë zakonisht u pëlqen të hanë gjithë ditën e ditës teksa gjezdisin në hapësira të gjera prej disa kilometrash. Përveç frutave, ushqim për to janë edhe gjethet, farat dhe kërcejtë. Gjithashtu hanë milingona, vezë zogjsh dhe termite. Nganjëherë mund të gjuajnë dhe të vrasin kafshë të vogla përfshirë edhe majmunë.

Ngaqë po vjen mesdita, shimpanzetë e ndiejnë rritjen e temperaturës. Njëra prej tyre zbret nga pema dhe s’kalon shumë kur shembullin e saj e ndjekin edhe të tjerat. Ato futen një nga një në korijen e dendur. Një mistrec i vogël shmanget nga grupi duke u kacavarur nga dega në degë, që të na shohë më nga afër. Na shkon buza vesh më vesh tek vëzhgojmë këtë krijesë lojcake dhe kureshtare.

Veçori mahnitëse

«Shikoni pak prapa»,—thotë një nga grupi kur marrim rrugën e kthimit. Kthejmë kokën pas dhe shohim një shimpanze që përgjon pas një trungu. Ai qëndron mbi dy këmbë dhe është gati 1 metër i gjatë. Sapo e shohim, e fsheh kokën pas pemës, por e nxjerr sërish pas pak. Ç’kuriozitet i lezetshëm! Po, shimpanzetë mund të qëndrojnë mbi dy këmbë, madje të ecin kështu për distanca të shkurtra. Gjithsesi, për të mbajtur peshën e trupit, zakonisht i përdorin të katërta gjymtyrët. Shtylla kurrizore e shimpanzesë nuk e ka harkun në pjesën e fundit që i ndihmon njerëzit të qëndrojnë drejt. Veç kësaj, muskujt disi të dobët të vitheve, bashkë me krahët që i kanë goxha më të gjatë e më të fortë se këmbët, bëjnë që ecja me katër gjymtyrët dhe ngjitja a kacavarja nëpër pemë të përshtatet më mirë me konstruktin e tyre.

Krahët e gjatë u hyjnë në punë edhe për të arritur frutat në ato degë që janë tepër të holla për të mbajtur shimpanzetë. Duart dhe këmbët e shimpanzesë janë hata fare për t’u kapur dhe për t’u mbajtur fort pas degëve. Gishtat e mëdhenj të këmbëve i ka të drejtuar anash dhe luajnë rol si gishtat e mëdhenj të duarve. Ata e ndihmojnë të ngjitet në pemë, madje edhe t’i kapë e t’i mbajë gjërat thuajse aq lehtë sa do t’i mbante me duar. Kjo aftësi i duhet kur përgatit strofkën në mbrëmje. Mjaftojnë pak minuta, duke përkulur dhe përthyer gjethet e degët, dhe krijon një vend të butë e të rehatshëm për natën.

Vrojtimi dhe studimi i shimpanzeve në natyrë me veçoritë e tyre mahnitëse dhe ngjashmëritë e dukshme me anatominë dhe sjelljen e njeriut, sigurisht që i bën ato tërheqëse. Megjithatë, disa njerëz interesohen për shimpanzetë vetëm për arsye eksperimentale, që të përkrahin hipotezën se ekziston një lidhje evolucioniste me njeriun. Prandaj mund të ngrihen pyetje si këto: çfarë i bën kaq të ndryshëm njerëzit nga shimpanzetë? Në ç’kuptim njeriu, ndryshe nga kafshët, është bërë «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë»?—Zanafilla 1:27.

Përvojë e paharrueshme

Në gjirin e natyrës shimpanzetë janë të pakapshme dhe zakonisht zhduken pa u vënë re, sapo pikasin ndonjë njeri. Megjithatë, për mbrojtjen dhe ruajtjen e tyre, disa grupe shimpanzesh i kanë stërvitur që të mos kenë frikë nga njerëzit.

Vizita jonë e shkurtër në shtëpinë e shimpanzeve, në pyll, ka qenë përvojë e paharrueshme. Na ka ndihmuar të kuptojmë deri diku si janë vërtet shimpanzetë—kaq ndryshe nga ato që gjejmë në kopshte zoologjike ose laboratorë. Janë vërtet kafshë të mrekullueshme dhe përfshihen midis ‘kafshëve që lëvizin dhe kafshëve të egra të tokës’ që Perëndia pa se ishin të mira, të projektuara shkëlqyeshëm për mjedisin ku do të jetonin.—Zanafilla 1:24, 25.

[Kutia dhe figura në faqet 14, 15]

SHIMPANZETË DHE NJERIU

Në librin e saj Në hijen e njeriut (anglisht), Xhejn Gudolli, doktoreshë në fushën e zoologjisë, shkruan se vëzhgimet e saj në vitet 60 për shimpanzetë «që bënin vegla», «bindën një sërë shkencëtarësh se ishte e nevojshme që njeriu të shihet me sy tjetër, në një mënyrë më komplekse se më parë». Veprime të shimpanzeve, si përdorimi i gjetheve si sfungjer, i gurëve ose degëve për të çarë arra dhe zhveshja e degëzave nga gjethet para se ta ngulin në një pirg dheu «për të peshkuar» termite, ishin zbulime befasuese. Sidoqoftë, kohët e fundit dihet se edhe një sërë kafshësh të tjera shfaqin aftësi mahnitëse për të bërë vegla. Autori i librit Natyra njerëzore e zogjve: Zbulim shkencor me përfundime befasuese (anglisht), dr. Barberi, thotë: «Të gjitha kafshët e studiuara mirë, ku futen jo vetëm majmunët dhe delfinët, por edhe milingonat dhe bletët, kanë shfaqur një vetëdije themelore dhe zgjuarsi praktike krejt të papritur.»

Kjo nuk e ndryshon aspak faktin se njeriu është unik. Siç shkruan profesori Dejvid Premak, «gramatika dhe sintaksa e gjuhës së njeriut janë pa diskutim unike». Po, ndërlikimet e gjuhës bashkë me pasurinë e kulturës njerëzore, ku gjuha dhe i foluri luajnë rol kyç, sigurisht na ndajnë nga kafshët.

Pasi i studioi për vite shimpanzetë në habitatin e tyre, Xhejn Gudolli shkroi: «S’e konceptoj dot që shimpanzetë të zhvillojnë ndjenja për njëra-tjetrën, të ngjashme në ndonjë mënyrë me butësinë, mbrojtjen, tolerancën dhe kënaqësinë shpirtërore, të cilat janë veçoritë dalluese të dashurisë njerëzore në kuptimin e saj më të vërtetë e më të thellë.» Gjithashtu ajo shkroi: «Vetëdija e njeriut për Veten e tejkalon vetëdijen primitive të kafshëve për trupin e tyre. Njeriu kërkon një shpjegim për misterin e qenies së tij, si dhe për botën e mrekullueshme që e rrethon dhe kozmosin sipër tij.»

Bibla shpjegon ndryshimin ndërmjet kafshëve dhe njerëzve, duke thënë se njeriu u bë sipas «shëmbëlltyrës së Perëndisë». (Zanafilla 1:27) Prandaj, ndryshe nga kafshët, njeriu do të pasqyronte cilësitë e Bërësit të tij, midis të cilave dashuria është kryesorja. Gjithashtu, njeriu do të ishte i aftë të merrte shumë njohuri dhe të vepronte me një zgjuarsi që e tejkalon atë të çdo kafshe. Po ashtu, njeriu u bë me kapacitetin të vepronte me vullnet të lirë dhe jo të drejtohej kryesisht nga instinkti.

[Figurat në faqen 15]

Shimpanzetë janë krijesa lojcake dhe kureshtare, të projektuara shkëlqyeshëm për mjedisin e tyre

[Burimet]

Shimpanzetë, sipër djathtas: Corbis/​Punchstock/​Getty Images; poshtë majtas dhe djathtas: SuperStock RF/​SuperStock; Xhejn Gudolli: © Martin Engelmann/​age fotostock

[Burimi i figurës në faqen 13]

© Photononstop/​SuperStock