Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjej kohë për gjërat me vlerë

Gjej kohë për gjërat me vlerë

Gjej kohë për gjërat me vlerë

«Koha që mbetet është shkurtuar.»—1 Korintasve 7:29.

«TË HIDHESH andej-këtej dhe të pllaquritesh në ujë nuk do të thotë se po noton»,—shkruan Majkëll Lëbofi në librin e tij Të punosh me mend (anglisht).

Me fjalë të tjera, thjesht të jesh aktiv ndryshon nga kryerja e diçkaje me vlerë. Hidhi një vështrim javës së kaluar. Për çfarë e harxhove kohën? Pse ishe tepër i zënë? A mendon se duhet të rezervosh më shumë kohë për gjërat që janë vërtet të rëndësishme?

Mendo çfarë paratha Jezui për kohët tona të ethshme. Ai tha se, ndërsa ky sistem shkon drejt fundit dhe bota e re dhe e drejtë e Perëndisë afrohet, dishepujt e tij do të ishin të zënë me një aktivitet. Çfarë aktiviteti? Predikimin e ‘lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë’. Gjithashtu Jezui tha se shumica e njerëzve do të ishin tepër të zënë për të dëgjuar. Do të ishin të zhytur në gjërat e zakonshme të jetës. Ai shtoi se ata që janë tepër të zënë sa të mos kenë kohë t’i kushtojnë vëmendje mesazhit të Mbretërisë, do të shkatërrohen.—Mateu 24:14, 37-39; Luka 17:28-30.

Sot Dëshmitarët e Jehovait po predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë në më shumë se 230 vende. Siç tha edhe Jezui, shumë nuk duan t’i dëgjojnë dhe thonë se janë «tepër të zënë». Por të ftojmë të gjesh pak kohë në jetën tënde të ngarkuar, që të shqyrtosh çfarë thotë Bibla për Mbretërinë e Perëndisë. Shpresojmë që, kur të mësosh për bekimet që ka përgatitur Perëndia për njerëzimin, të jesh dakord se ta dëgjosh dhe t’i vësh veshin mesazhit të Biblës është diçka vërtet me rëndësi, diçka për të cilën ia vlen të gjesh kohë. *

[Shënimi]

^ par. 6 Për të mësuar më shumë, kontakto Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde ose shkruaj në një nga adresat e faqes 5 të kësaj reviste. Gjithashtu mund të hysh në faqen tonë të Internetit www.watchtower.org.