Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Larmi marramendëse krijesash në Amazonën e Sipërme

Larmi marramendëse krijesash në Amazonën e Sipërme

Larmi marramendëse krijesash në Amazonën e Sipërme

NGA rrëza e Andeve të Perusë, një kuvertë degësh e gjethesh hapet për nja 3.700 kilometra drejt lindjes përmes kontinentit të Amerikës së Jugut. Në fund, ky det i gjelbër bashkohet me blunë e oqeanit Atlantik.

Pjesa e kësaj xhungle në Peru, rajoni peruan i Amazonës, mbulon gati 60 për qind të vendit. Ndonëse në këtë rajon jetojnë vetëm një pjesëz e popullsisë peruane, plot bimë dhe kafshë gjejnë strehë poshtë kubesë së pyllit që arrin lartësinë 35 metra. Amazona mbahet si një nga thesaret më të pasura ekologjike të tokës. Më shumë se 3.000 varietete fluturash flatrojnë në ajrin e dendur. Rreth 4.000 lloje orkidesh shpalosin lulet e tyre të mahnitshme. Mbi 90 lloje gjarpërinjsh zënë pritë nëpër degë e përtokë. Afro 2.500 lloje peshqish, përfshirë edhe ngjalat elektrike dhe piranjat mishngrënëse, gjezdisin në lumenj e përrenj.

Ndër këta, lumi kryesor është Amazona madhështore. Në disa vende, 2,5-3 metra shi e qullin tokën çdo vit, dhe bëjnë që Amazona me 1.100 degët e saj të përmbytë pyllin. Nxehtësia kombinohet me lagështinë dhe krijohet një ambient si saunë, aq i pëlqyer për bimët. Është e habitshme, por bimësia e dendur lulëzon në tokën argjilore, që konsiderohet ndër më të varfrat dhe e papërshtatshme për kultivim të përhershëm.

Rrënjë të lashta popullimi

A do t’ju pëlqente të jetonit në një vend të tillë? Arkeologët mendojnë se në pellgun e Amazonës kanë banuar miliona njerëz në shekujt e kaluar. Aktualisht, në Amazonën peruane jetojnë rreth 300.000 veta, të ndarë në më shumë se 40 grupe etnike. Gjithashtu mendohet se 14 prej këtyre grupeve indigjene sot jetojnë thuajse krejt të izoluar nga bota. Këto fise, pasi u ekspozuan për pak kohë në shoqërinë «e qytetëruar», u tërhoqën në skutat më të thella të pyllit, me shpresën që të mos kishin më lidhje me atë botë.

Kur dhe nga erdhën këta banorë të xhunglës? Studiuesit janë të mendimit se shekuj para erës sonë, banorët e parë erdhën nga veriu. Hivarot, (të njohur se rrëgjojnë kokat e prera të armiqve) mbërritën nga Karaibet; dhe arauakët nga Venezuela. Mendohet se fise të tjera kanë ardhur nga Brazili në lindje dhe Paraguai në jug.

Me t’u shpërngulur, shumica e fiseve duket se janë endur nëpër zona të veçanta, duke u marrë me gjueti e duke u mbledhur me njëri-tjetrin. Gjithashtu, ata rritnin disa bimë të përshtatshme për tokën acide, të tilla, si: kasava, speca djegës, banane dhe misër. Kronistët spanjollë thonë se disa nga popujt ishin të organizuar mirë, projektonin depo për ushqimet, si dhe nxirrnin metoda për mbarështimin e kafshëve të egra.

Përplasje kulturash

Në shekullin e 16-të dhe të 17-të, pushtuesit spanjollë mësynë në Amazonë. Shpejt pas kësaj, mbërritën misionarët jezuitë dhe françeskanë me synimin që t’i kthenin vendësit në katolikë. Ata misionarë bënë harta fantastike që ngjallën interesin e evropianëve për Amazonën. Por misionarët u hapën rrugën edhe sëmundjeve e shkatërrimit.

Për shembull, në vitin 1638 u themelua një mision në atë që sot quhet provinca e Majnas. Misionarët i kapnin vendësit dhe i vinin bashkë me grupet rivale, duke i detyruar të mësoheshin me jetën e komunitetit. Për ç’qëllim «fisnik»? Ngaqë vendësit shiheshin si injorantë dhe inferiorë, i detyronin të punonin për misionarët dhe pushtuesit. Si pasojë e kontaktit të afërt me evropianët, mijëra vendës vdiqën nga fruthi, lia, difteria dhe lebra. Mijëra të tjerë vdiqën nga uria.

Shumë indianë i braktisën misionet e organizuara nga disa urdhra fetarë dhe dhjetëra misionarë u vranë gjatë kryengritjeve. Në dekadat e para të shekullit të 19-të, pati një kohë kur në rajonin e Amazonës mbeti vetëm një prift.

Si jetojnë sot?

Sot shumë indigjenë jetojnë ende sipas traditës. Për shembull, ata i ndërtojnë shtëpitë e fshatit sipas mënyrës tradicionale: struktura me shtylla druri të prera në pyll dhe me çati të mbuluara me gjethe palmash e bimë të tjera që nuk futin ujë. Meqë shtëpitë qëndrojnë mbi shtylla, përmbytja e përvitshme nuk përbën problem dhe rrallë ndodh që kafshët e rrezikshme t’u prishin qetësinë.

Fiset vishen dhe zbukurohen në lloj-lloj formash. Burrat dhe gratë që jetojnë në thellësi të xhunglës, veshin diçka te ijët ose funde të shkurtra të thurura, kurse fëmijët rrinë lakuriq. Ata që janë më shumë në kontakt me botën, u janë përshtatur stileve perëndimore. Disa vendës shpojnë hundën ose veshët dhe i stolisin me unaza, vathë, shkopinj, kocka ose pendë. Të tjerë, si fisi majoruna, shpojnë faqet. Madje disa nga fiset tukuna dhe hivaro, limojnë dhëmbët. Shumë veta nga fise të ndryshme heqin qimet e trupit dhe bëjnë tatuazhe.

Popujt e Amazonës njohin mijëra bimë dhe e përdorin pyllin si farmaci. Prej këtyre bimëve përgatisin ilaç për kafshimin e gjarprit, dizenterinë dhe sëmundjet e lëkurës, për të përmendur vetëm disa. Shumë kohë para se shoqëritë perëndimore të zbulonin kauçukun, fiset e Amazonës u merrnin lëngun pemëve të kauçukut dhe e përdornin si shtresë izoluese nga uji për shportat e punës dhe për të bërë topa loje. Gjithashtu, pylli u siguron mjetet e nevojshme për transportin dhe komunikimin në distanca të largëta. Për shembull, burrat presin pemë dhe gdhendin kanoe me të cilat lundrojnë nëpër lumenj. Po ashtu boshatisin trungje të mëdha për të bërë daulle që të dërgojnë mesazhe që dëgjohen shumë larg.

Ndikimi i shamanëve dhe i besëtytnive

Për banorët e Amazonës, xhungla është plot shpirtra që enden natën, shpirtra që shkaktojnë sëmundje dhe perëndi që u zënë pusi nëpër lumenj viktimave. Të marrim aguarunët, një nga fiset më të mëdhenj në Peru. Ata adhurojnë pesë perëndi: «Atin Luftëtar», «Atin Ujë», «Nënën Tokë», «Atin Diell» dhe një «Atë Shaman». Shumë mendojnë se njerëzit transformohen në bimë e kafshë. Nga frika mos fyejnë frymërat, vendësit nuk i vrasin disa kafshë, kurse disa të tjera i vrasin vetëm kur është e nevojshme.

Ata që drejtojnë jetën fetare tradicionale dhe shoqërinë janë shamanët ose mjekët, të cilët përdorin bimë halucinogjene për t’i vënë njerëzit në hipnozë. Disa fshatarë u drejtohen këtyre burrave për t’u shëruar, për të marrë vesh si do të shkojë gjuetia e të mbjellat dhe për të parashikuar ngjarje të tjera të së ardhmes.

A do të zhduket?

Bota e Amazonës po zvogëlohet me të shpejtë. Hapja e rrugëve të mëdha po e copëton pyllin. Fermat dhe kultivimi i kakaos po e gllabërojnë xhunglën. Prerja e paligjshme e drurëve po zhvesh sipërfaqe të mëdha, duke rrafshuar çdo ditë një zonë sa 1.200 fusha futbolli. Edhe lumenjtë vuajnë teksa punimet e ligjshme të minierave dhe prodhimi i paligjshëm i kokainës i ndot degët që ushqejnë Amazonën.

Vërtet, njerëzit e izoluar të Amazonës po i ndiejnë pasojat e kohëve për të cilat Bibla profetizonte se do të ishin «kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1-5) A është shkatërrimi i plotë e ardhmja e Amazonës? Bibla na siguron se nuk do të ndodhë kështu. Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, mbarë toka do të kthehet në parajsë, siç kishte qëllim Krijuesi.—Isaia 35:1, 2; 2 Pjetrit 3:13.

[Figura në faqen 16]

Lumi i Amazonës

[Figura në faqen 17]

Aguarunët adhurojnë pesë perëndi

[Figura në faqen 17]

Gra të fisit lamas

[Figura në faqet 18, 19]

Vendës me një tub që hedh shigjeta

[Burimi]

© Renzo Uccelli/​PromPerú

[Figura në faqen 18]

Shtëpi tipike fshati

[Figura në faqen 19]

Çdo ditë rrafshohet në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe sa 1.200 fusha futbolli

[Burimi]

© José Enrique Molina/​age fotostock

[Burimi i figurës në faqen 16]

© Alfredo Maiquez/​age fotostock

[Burimet e figurave në faqen 17]

Sipër: © Terra Incógnita/​PromPerú; poshtë: © Walter Silvera/​PromPerú