Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Sipas llogaritjeve, shpenzimi botëror për ushtrinë në vitin 2008 arriti një total rreth 1.464 miliardë dollarë. Kjo është një rritje . . . me 45 për qind që nga viti 1999.»—INSTITUTI KËRKIMOR PËR PAQEN NDËRKOMBËTARE I STOKHOLMIT, SUEDI.

«Sipas Google, miliarda faqe i shtohen [Internetit] çdo ditë.»—NEW SCIENTIST, BRITANI.

«Mendohet se 2009 është viti kur uria ka arritur një kulm historik me 1,02 miliardë njerëz të uritur çdo ditë.»—ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA PËR USHQIMIN DHE BUJQËSINË, ITALI.

Deveja e parë e klonuar

Që nga viti 1996, kur kërkuesit klonuan për herë të parë një dele, me të njëjtën teknikë janë riprodhuar edhe gjitarë të tjerë, përfshirë lopë, dhi e kuaj. Tani shkencëtarët e një qendre kërkimore veterinare në Dubai, kanë klonuar për herë të parë një deve. Devenë e vogël femër e quajtën Injaz, që në arabisht do të thotë «arritje». Gazeta The National e Abu-Dabit thotë: «Klonimi i kafshëve . . . tashmë nuk ka mbetur vetëm në fazën eksperimentale. Në të ardhmen programi do të shqyrtojë klonimin për të ruajtur gjenet e deveve që mbahen për gara dhe prodhimin e qumështit.»

«Përplasje» satelitësh

«Ka vite që rrugët orbitale sipër Tokës po ngarkohen gjithnjë e më shumë, por vetëm në shkurt të vitit [2009] dy satelitë patën përplasjen e parë të rëndë»,—raporton revista Science News. Rreth 800 kilometra mbi Siberi, një satelit amerikan komunikimi, që ishte në funksionim, u përplas me një satelit ushtarak rus jashtë përdorimit. Ky aksident krijoi nja 700 copëra të mëdha mbetjesh. Sa më shumë copëra të tilla të ketë në orbitë, aq më i madh është rreziku i një aksidenti tjetër. Stacionet e vrojtimit aktualisht kanë nën vëzhgim rreth 18.000 copëra mbeturinash kozmike me një diametër më të madh se 10 centimetra. Megjithatë, përplasja me një objekt më të madh se një bizele, i cili ka shpejtësinë e lartë të objekteve që i vijnë përqark tokës, mund të jetë katastrofike për satelitët, madje edhe për mjetet e fluturimit me pilot.

Bllokojnë makinën

«Pak njerëz do t’i linin pa paguar faturat e celularit, sepse e dinë se celulari nuk do të punonte më»,—thotë gazeta The Wall Street Journal. Tani po zbatohet i njëjti rregull edhe për makinat. «Shitësit e makinave të përdorura po instalojnë pajisje me telekomandë që e bllokojnë makinën dhe nuk e lënë të ndizet, nëse blerësi mbetet shumë prapa me pagesën e kësteve»,—vazhdon gazeta. Pajisja, që vendoset në sistemin e ndezjes së makinës, është pjesë e kushteve të kontratës që bëhet me blerësit jo dhe aq të besueshëm dhe mund të hiqet kur ata të shlyejnë detyrimin. Gjithsesi, siç thotë gazeta, bllokuesve të makinës rrallë u duhet ta bllokojnë makinën. Sinjalet paralajmëruese me drita dhe bipera janë goxha të efektshme «për t’i nxitur blerësit të kryejnë pagesat në kohë».