Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse bëhemi të mirë ose të ligj?

Pse bëhemi të mirë ose të ligj?

Pikëpamja e Biblës

Pse bëhemi të mirë ose të ligj?

FAQET e historisë janë plot tregime me urrejtje dhe gjakderdhje. Megjithatë, nga rrënojat e tragjedive shpesh lindin vepra të jashtëzakonshme mirësie dhe vetësakrifikimi. Përse njëri bëhet vrasës i pashpirt, kurse tjetri bëhet humanist zemërmirë? Përse në sjelljen e njeriut shfaqen nganjëherë tipare shtazarake?

Papërsosmëria dhe ndërgjegjja

Bibla e thotë hapur: «Zemra e njeriut priret nga e keqja që në rini të tij.» (Zanafilla 8:21) Prandaj fëmijët kanë prirjen të bëjnë prapësi. (Proverbat 22:15) Që nga lindja, të gjithë ne priremi të gabojmë. (Psalmi 51:5) Që të bësh të mirën duhen përpjekje, njësoj si të vozitësh kundër rrymës.

Sidoqoftë jemi krijuar edhe me ndërgjegje. Kjo ndjenjë e lindur e së drejtës dhe e së gabuarës e nxit shumicën prej nesh të veprojë siç i ka hije njeriut. Për këtë arsye, edhe ata që nuk janë edukuar nga ana morale mund të njihen për dashamirësinë e tyre. (Romakëve 2:14, 15) Megjithatë, siç u tha më sipër, prirja për të bërë të keqen shkakton një betejë brenda nesh. Çfarë ndikon tjetër në betejën midis së mirës dhe së keqes?

Ambienti i ndotur me ligësi

Kameleoni e ndryshon ngjyrën që të përshtatet me ambientin. Po kështu edhe ata që zënë shokë kriminelë, ka më shumë të ngjarë të marrin tipare krimineli. Bibla paralajmëron: «Mos shko pas shumicës për qëllime të liga.» (Dalja 23:2) Nga ana tjetër, shoqëria e shpeshtë me ata që janë të ndershëm, të drejtë dhe të moralshëm e nxit njeriun të bëjë të mirën.—Proverbat 13:20.

Sidoqoftë nuk jemi të imunizuar nga ndikimi i ligësisë vetëm sepse personalisht nuk shoqërohemi me ata që përfshihen në keqbërje. Për shkak të papërsosmërisë, e keqja mund të zërë pritë në skutat e mendjes sonë, duke pritur rastin që të dalë në pah. (Zanafilla 4:7) Për më tepër, ligësia mund të hyjë në shtëpinë tonë nëpërmjet medias. Videolojërat, programet televizive dhe filmat shpesh lartësojnë dhunën dhe aktet e hakmarrjes. Edhe dozat e rregullta që marrim me lajme nga vendi dhe bota mund të na bëjnë të pandjeshëm ndaj vuajtjes dhe angështisë së njerëzve.

Cila është rrënja e këtij ambienti të ndotur me ligësi? Bibla përgjigjet: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Ky ‘i lig’, Satana Djalli, në Shkrime demaskohet si gënjeshtar dhe vrasës. (Gjoni 8:44) Ai propagandon ligësinë nëpërmjet ndikimit të botës së tij.

Me gjithë këta faktorë që ndikojnë fuqishëm në qëndrimin dhe veprimet tona, disa mund të arsyetojnë se nuk kanë faj për veprat e tyre të liga. Por, si është e vërteta? Ashtu si timoni kontrollon drejtimin e makinës dhe të anijes, mendja kontrollon trupin.

Të mirën apo të keqen: Zgjedhjen e ke ti në dorë

Çdo veprim me dashje, i mirë ose i keq qoftë, paraprihet nga mendimi. Kur mbjell mendime pozitive dhe të virtytshme, korr fryte të mira. Në të kundërt, nëse lejon që farat e dëshirave egoiste të mbijnë në mendje, ka shumë të ngjarë të vijnë plot vepra të liga. (Luka 6:43-45; Jakovi 1:14, 15) Prandaj mund të thuhet se, sa i mirë ose i keq është njeriu, kjo varet nga çfarë zgjedh vetë ai.

Lumturisht Bibla tregon se mirësia mund të mësohet. (Isaia 1:16, 17) Dashuria është forca shtytëse për të bërë atë që është e mirë, pasi «dashuria nuk i bën keq të afërmit». (Romakëve 13:10) Kur kultivojmë dashuri për njerëzit, është e pamendueshme t’i bëjmë keq ndokujt.

Këtë e mësoi edhe Rei nga Pensilvania, SHBA. Ngaqë mësoi të rrihej me të tjerët që në moshë të vogël, shpejt filluan ta quanin Grushti. Ai luftoi edhe me gjaknxehtësinë. Megjithatë, duke zbatuar parimet biblike, gradualisht bëri ndryshime. Por kjo nuk ishte gjithnjë e lehtë. Nganjëherë ai ndihej si thotë Bibla për Pavlin: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.» (Romakëve 7:21) Sot, pasi kanë kaluar vite që përpiqet me vendosmëri, Rei është në gjendje ‘ta mundë të keqen me të mirën’.—Romakëve 12:21.

Pse ia vlen të përpiqesh që «të ecësh në udhën e njerëzve të mirë»? (Proverbat 2:20-22) Sepse në fund e mira do të triumfojë mbi ligësinë. Bibla thotë: «Keqbërësit do të shfarosen. . . . Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. . . . Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.» (Psalmi 37:9-11) Perëndia do të zhdukë të gjitha gjurmët e së keqes. Ç’e ardhme e ndritur i pret ata që përpiqen me të gjitha forcat të bëjnë të mirën!

A DONI TË DINI?

● Kush mban përgjegjësi për veprimet tona?—Jakovi 1:14.

● A është e mundur të kthejmë rrugë?—Isaia 1:16, 17.

● A do të marrë fund e keqja?—Psalmi 37:9, 10; Proverbat 2:20-22.

[Figurat në faqen 21]

Sa i mirë ose i keq është njeriu, kjo varet nga çfarë zgjedh vetë ai