Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta kesh nën kontroll kohën?

Si ta kesh nën kontroll kohën?

Si ta kesh nën kontroll kohën?

«Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.»​—Eklisiastiu 3:1.

QË TË gjesh kohë për gjërat e rëndësishme, duhet të dish cilat janë ato. Kjo bëhet më e lehtë nëse e ke të qartë çfarë ka vlerë për ty, çfarë synimesh ke dhe çfarë aktivitetesh i ndihmojnë këto.

Prandaj, së pari kupto qartë çfarë ka vlerë për ty. Mund të shkruash çdo gjë me vlerë që të vjen ndër mend, si: familja, shoqëria, puna e palodhur, shkolla, arritjet, paraqitja, paraja, lumturia, martesa, mirësia ndaj të tjerëve, shëndeti dhe besimi fetar. Pastaj pyet veten: «Cilat nga këto kanë më shumë rëndësi për mua?»

Më tej mendo për të gjitha synimet që dëshiron të arrish në jetë. Ku ndryshojnë gjërat që kanë vlerë për ty nga synimet? Në këtë kontekst, gjërat me vlerë janë të përhershme, kurse synimet mund të vijë dita që të realizohen dhe të quhen të përfunduara.

Çfarë synimesh mund t’i vësh vetes? A dëshiron të rrish më shumë me familjen? Të gjesh një punë më të përshtatshme? Të fitosh një zanat? Të bëhesh i zoti në ndonjë sport? Të zhvillosh ndonjë cilësi të personalitetit? Të lexosh ndonjë libër? Të shkruash ndonjë libër?

Pastaj vendos cilat nga këto synime janë më kryesoret. Sigurohu që të përputhen me gjërat që kanë vlerë për ty. Për shembull, nëse vë si synim të bëhesh shumë i pasur, ndërkohë që për ty ka më shumë vlerë familja, ndoshta do t’i hapësh telashe vetes.

Tani, për synimet që zgjodhe, mendo disa aktivitete që do të të ndihmonin ta arrije secilin prej tyre. Për shembull, nëse synon të biesh në peshë, mund të të ndihmojë fizkultura.

Si të ndihmon kjo analizë?

Në rast se synimet përputhen me gjërat që kanë vlerë për ty dhe bën aktivitete që të ndihmojnë t’i arrish, jeta jote do të ketë një drejtim të përcaktuar qartë. Do t’u kushtosh më shumë kohë gjërave që i konsideron të rëndësishme. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se duhet të jesh i pandjeshëm ndaj nevojave dhe dëshirave të të tjerëve. (Filipianëve 2:4) Por do të thotë se do të jesh më i aftë të dallosh dhe të refuzosh gjërat që nuk kanë lidhje me atë çka është vërtet me vlerë.

Kuptohet, vështirësi do të ketë. Disa punë nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe, gjithsesi janë të nevojshme. Këto rrezikojnë të ta mbushin ditën dhe të të lënë pak ose aspak kohë për gjërat që janë më të rëndësishme. Gjithashtu mund të dalin punë të ngutshme. Edhe ndryshimi i rrethanave të jetës mund të ta prishë programin. Duke marrë masa konkrete që t’u kushtosh më shumë kohë gjërave me vlerë, do ta kontrollosh më mirë mënyrën si e harxhon kohën dhe si e jeton jetën.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

A TË KURSEJNË KOHË AXHENDAT ELEKTRONIKE?

Disave ua kursejnë kohën, disave ua shpërdorojnë. Për shembull, një asistent personal dixhital ose PDA mund të ketë kalendar, listë për numrat telefonikë dhe adresat, listë për gjërat që duhet të bësh, program për të shkruar, përkujtues, kamerë dhe lidhje me postën elektronike e Internetin. Kjo pajisje ta kursen kohën, nëse e përditëson dhe e mban me vete. Sidoqoftë, është kollaj ta harxhosh kohën, në rast se endesh më kot nëpër opsione a faqe Interneti, i bën përshtatje a riparime pa fund, ndryshime sipas shijes, i blen aksesorë të panevojshëm ose lejon që ajo të të pengojë për marrëdhëniet e rëndësishme a për të kryer përgjegjësitë.

Sugjerim: informohu para se të blesh. Nëse një aparat elektronik prishet shpesh, duhet shumë kohë për ta rregulluar. Veç kësaj, se sa e mirë është një pajisje elektronike, kjo varet nga i zoti. Pra, nëse ke një axhendë elektronike, përdore për ta kursyer kohën, jo për ta shpërdoruar.

[Figura në faqet 4, 5]

A mund të gjesh kohë për gjërat që kanë rëndësi?