Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zgjodha një karrierë më të mirë

Zgjodha një karrierë më të mirë

Zgjodha një karrierë më të mirë

Treguar nga Plamen Kostadinovi

ISHTE gati mesditë kur u zgjova. Në dysheme kishte gjithandej shishe bosh dhe tavllat e duhanit kutërbonin nga era. S’kishte mbetur asgjë nga euforia e festës së natës së mëparshme. Ndihesha i mërzitur dhe i vetmuar më shumë se kurrë. Gjithçka më dukej pa pikë kuptimi. Po ju tregoj si përfundova në këtë gjendje të trishtë.

Para se të mbushja 14 vjeç, i kisha hyrë rrugës së artit. Ishte vera e vitit 1980. Babai sapo me kishte thënë se isha pranuar në liceun artistik të qytetit të Trojanit, Bullgari. Fluturoja nga gëzimi. Në vjeshtë lashë vendlindjen time, Loviçin, dhe shkova në Trojan.

Më pëlqente të jetoja larg prindërve dhe të bëja ç’më donte qejfi. Fillova cigaren dhe hera-herës dehesha me shokët e shkollës. Duhani dhe alkooli nuk lejoheshin në shkollë. Thyerja e rregullave e bënte edhe më emocionuese situatën.

Dashuria për artin më rritej dita-ditës. Shkëlqeja në vizatim dhe brenda meje rritej dëshira për famë. Pasi mbarova pesë vitet e shkollës në Trojan, doja të vazhdoja studimet në Akademinë e Arteve të Sofjes, në kryeqytet. Ishte qendra më prestigjoze e këtij lloji në gjithë Bullgarinë. Më 1988-n më pranuan në akademi si një ndër tetë kandidatët e vetëm që u zgjodhën nga i gjithë vendi. Sa krenar ndihesha! Një ditë po shihesha në pasqyrë dhe i thashë vetes me krenari: «E pra, Plamen, tani s’ka pikë dyshimi se do të bëhesh artist i famshëm!»

Formimi i personalitetit të vjetër

Shpejt nisa të vishesha me të zeza dhe rrita flokët e mjekrën. Pa këto nuk quheshe artist. I hyra edhe unë jetës bohemiane që, sipas meje, i kishte shoqëruar tradicionalisht artistët. Kjo përfshinte të zija një dhomë me qira në godinat e artistëve dhe ta mbaja sa më të çrregullt e rrëmujë të ishte e mundur. Pastaj nisa të kujdesesha për një mace me tre kotele dhe një qen të vogël. Paratë i bëja rrush e kumbulla.

Sidoqoftë pasioni për artin veç rritej. Pikturoja vazhdimisht figura abstrakte që pasqyronin botën e fantazisë sime. Pikturoja edhe në muret e dhomës. Mendoja se ky ishte fillimi i një karriere të lavdishme.

Pjesë e pandashme e jetës sime ishin festat e shpeshta me shokët e mi studentë. Sa e sa herë mblidheshim në dhomën time, dëgjonim muzikë dhe pinim alkool rëndshëm, madje edhe kur përgatiteshim për provim. Diskutimet tona filozofike përqendroheshin te muzika, arti dhe qëllimi i jetës. Flitnim shpesh për forcat e mbinatyrshme dhe jashtëtokësorët. Këto biseda më ngacmonin fantazinë, dhe kështu më lindnin ide të reja për piktura. Doja ta shijoja më gjatë këtë eufori, por ajo fashitej sapo më dilte pija. Zakonisht të nesërmen nuk më mbetej pikë entuziazmi.

Pas nja dhjetë vjetësh që jetoja kështu, ndihesha i pakënaqur. Ndryshe nga ngjyrat e ndezura që përdorja në pikturat e mia, përbrenda po më kaplonte errësira dhe më kishte mbërthyer dara e vetmisë. Ëndrra që të bëhesha artist me nam pak nga pak u venit. Më kishte zaptuar trishtimi dhe nuk kisha forcë të vazhdoja përpara. Pikërisht ky ishte momenti që përshkrova në fillim.

Më çliron e vërteta

Në vitin 1990, vendosa të hapja një ekspozitë me punimet e mia në Loveç. Ftova Janitën, të cilën e kisha njohur në akademinë e Sofjes, të merrte pjesë në ekspozitë, meqë edhe ajo ishte nga Loveçi. Kur mbaroi ekspozita, shkuam me Janitën ta festonim në një restorant aty afër. Tek bisedonim, nisi të më tregonte për ato që po mësonte nga studimi i Biblës me Dëshmitarët e Jehovait. Më tregoi për një botë të re që ishte parathënë në Bibël. Kjo më ndezi interesin.

Janita vazhdoi studimet në Sofje dhe herë pas here më sillte botime biblike. Kurrë s’e harroj me sa etje e lexova komplet broshurën «Shiko! Çdo gjë të re krijoj!» (anglisht) dhe si e përpiva në pak ditë librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. * Nuk e pata të vështirë të pranoja se Perëndia ekziston dhe menjëherë doja të mësoja si të lutesha. E mbaj mend lutjen e parë. I ulur në gjunjë, ia shpreha sinqerisht shqetësimet Jehovait. Isha plotësisht i bindur se po më dëgjonte. Dalëngadalë gëzimi dhe paqja e brendshme ia zunë vendin vetmisë.

Në Sofje, Janita më prezantoi me një çift Dëshmitarësh. Ata më ftuan të studioja Biblën me ta dhe të shkoja në mbledhje. Më kujtohet kur shkova në mbledhjen e parë, në qershor të vitit 1991. Isha dy orë para dhe prita në një park të vogël. Nervoz, gjithë siklet dhe plot dyshime, pyesja veten a do të më pritnin mirë. Sa u habita kur gjithkush më dha një mirëseardhje të ngrohtë, pavarësisht nga pamja ime e çuditshme bohemiane. Që prej asaj dite i ndoqa rregullisht mbledhjet dhe bëja studim biblik dy herë në javë.

U drithërova kur mora për herë të parë një Bibël timen. Kurrë nuk kisha lexuar gjëra aq të mrekullueshme dhe mbresëlënëse sa mençuria e shprehur në Predikimin në Mal. Teksa përparoja në studim, provova personalisht fuqinë shndërruese të Fjalës së Perëndisë, siç thuhet tek Efesianëve 4:23: «Të rinoheni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj.» E lashë cigaren dhe ndryshova pamjen time të çrregullt. Ndryshimi ishte kaq i madh, saqë një ditë, kur babai erdhi të më takonte në stacionin e trenit në Loveç, më kaloi afër dhe nuk më njohu.

Nisa ta shoh me sy tjetër dhomën. Rrëmuja, muret e vizatuara dhe duhma e tymit të duhanit nuk ma ngacmonin më fantazinë. Më hipi zelli të pastroja çdo gjë. I leva muret me të bardhë dhe fshiva alienin me tre sy që kisha pikturuar.

E merrni me mend edhe vetë që shokët më braktisën shpejt, por s’kaloi shumë dhe vendin e tyre e zunë gjithë ata njerëz që njoha në mbledhjet e krishtere, të cilët i kam miq të dashur ende sot e kësaj dite. Me një shoqëri kaq ndërtuese, përparova shpejt. Më 22 mars 1992 u pagëzova në asamblenë e parë të Dëshmitarëve të Jehovait në Bullgari, e cila u mbajt në qytetin e Plovdivit.

Kthehem në Loveç

Ndonëse e dija që për një artist nuk do të ishte e lehtë të siguronte jetesën në një qytet të vogël, vendosa që, me të marrë diplomën, të kthehesha në Loveç. Kuptova se, të paktën për mua, do të ishte e zorshme të bëja një karrierë të suksesshme në art dhe njëkohësisht të vija në radhë të parë në jetë Mbretërinë e Perëndisë. Prandaj vendosa t’i ndryshoja planet për karrierën dhe të bëhesha mësues i Biblës pa pagesë. Ndërsa vazhdoja Akademinë e Arteve, Janita, që ishte diplomuar tre vjet para meje, po u mësonte me zell njerëzve të vërtetat e Biblës në Loveç. Ajo ishte e vetmja Dëshmitare atje.

Kur u ktheva në Loveç, kishte një grup të vogël që studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Kënaqesha shumë kur shkoja nga shtëpia në shtëpi dhe u jepja njerëzve atë shpresë për të ardhmen që kisha përqafuar edhe vetë. Vendosa që shumicën e kohës t’ia kushtoja kësaj vepre.

Megjithatë, me kalimin e kohës lindën vështirësi. Në vitin 1994 regjistrimi zyrtar si organizatë fetare u anulua dhe filloi një fushatë mjaft e madhe shpifjesh në media. * Shpesh Dëshmitarët i thërritnin në rajon dhe literatura jonë konfiskohej. Në ato kohë të vështira ligji nuk na lejonte të mblidheshim në vende publike. Prapëseprapë i mbanim mbledhjet në një dhomë 12 m2 ngjitur me shtëpinë e Janitës. Një herë në atë dhomë të vogël arritëm të futeshim 42 veta. Që të mos shqetësonim fqinjët, i mbyllnim dritaret kur këndonim këngët e Mbretërisë. Nganjëherë, kur bënte nxehtë, në dhomë kullonim nga vapa, por ndiheshim të lumtur që ishim bashkë.

Bekime nga Jehovai

E admiroja tej mase zellin e Janitës për adhurimin e vërtetë dhe, me kalimin e kohës, ramë në dashuri. U martuam më 11 maj të vitit 1996. Ndonëse kemi personalitete të ndryshme, e plotësojmë për mrekulli njëri-tjetrin. Ajo është shoqja dhe ndihmësja ime më e ngushtë. I jam mirënjohës Jehovait që më dha një grua ‘vlera e së cilës është shumë më e madhe se e koraleve’.—Proverbat 31:10.

Disa nga shokët e mi të mëparshëm bënë karrierë si artistë, atë jetë që dikur e ëndërroja edhe unë. Por jam i kënaqur që zgjodha atë që për mua është një karrierë më e mirë. Kam ndihmuar mjaft njerëz të gjejnë një qëllim në jetë dhe tani ata janë vëllezërit e motrat e mia në besim. Sado famë dhe emër të kisha fituar si artist, as që krahasohen me bekimet që më ka sjellë shërbimi ndaj Jehovait. Jam i lumtur që kam arritur ta njoh kaq mirë Artistin më të madh, Perëndinë Jehova.

[Shënimet]

^ par. 14 Të dyja janë botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Libri Të jetosh përgjithmonë tani nuk shtypet më.

^ par. 22 Në vitin 1998, pas apelimit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, organizata e Dëshmitarëve të Jehovait u regjistrua sërish në Bullgari.

[Figura në faqen 12]

Me gruan, Janitën