Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fise të larmishme në malet e Tajlandës

Fise të larmishme në malet e Tajlandës

Fise të larmishme në malet e Tajlandës

Tregjet e Çlengmajit gumëzhijnë. Njerëzit shtyjnë përmes tezgave plot me mallra ekzotike buzë rrugës. Blerësit dhe tregtarët bëjnë pazar me zë të lartë nga rrëmuja e trafikut. Këtu në Tajlandën e zhurmshme të Veriut, vizitorët mund të takojnë fiset e larmishme të maleve të Tajlandës.

NË POPULLSINË e Tajlandës me 65 milionë banorë, bëjnë pjesë edhe 23 grupe të vogla etnike që quhen fiset e maleve. Shumica e fiseve jetojnë në veri të Tajlandës, një rajon me male, lumenj e lugina pjellore që shtrihen deri në Mjanmar dhe Laos.

Shumica e fiseve të maleve të Tajlandës mbërritën këtu brenda 200 viteve të kaluara. Fisi karen, më i madhi nga gjashtë grupet kryesore, ka ardhur nga Mjanmari. Fiset lahu, lisu, dhe aka kanë ardhur nga Junani, nga malësia jugperëndimore e Kinës. Kurse fiset mong dhe mjen nga Kina Qendrore. *

Këto fise imigruan kryesisht për të shkuar larg luftërave, tensioneve shoqërore dhe konkurrencës për tokë pjellore. * Tajlanda e Veriut doli një strehë e përkryer ngaqë ishte larg, me terren malor dhe thuajse e pabanuar. Ajo i lejoi imigrantët të qëndronin. Shpejt fise të ndryshme u grupuan vende-vende, duke formuar fshatra dhe një mozaik kulturash dhe gjuhësh.

Veshje karakteristike dhe zakone të larmishme

Çdo fis identifikohet nga veshja e vet tipike. Për shembull, gratë e fisit aka mbajnë kapele të punuara me argjend që ngjajnë si kulla elegante të stolisura me xhufka, qëndisma dhe monedha. Kapele të tjera bëhen me copa metalike dhe zbukurohen me rruaza, toptha dhe kopsa vezulluese. Gratë e fisit mjen bien mjaft në sy nga pantallonat e qëndisura ojna-ojna, të cilat duan deri në pesë vjet punë. Çallmat elegante, tunikat deri te kyçi i këmbës me jakë të kuqe dhe brezat ngjyrë manushaqe, kompletojnë veshjet e tyre magjepsëse.

Bashkë me kostumet e tyre popullore, gratë e këtyre viseve vënë një sërë bizhuterish argjendi që me tringëllimën e shkëlqimin e tyre u tregojnë pozitën dhe pasurinë admiruesve e kandidatëve të mundshëm për martesë. Aksesorë të tjerë dekorativë bëhen me qelq, dru dhe fije leshi.

Shumica e malësorëve krenohen me zakonet e tyre. Për shembull, adoleshentët e fisit karen vishen më mirë për funerale sesa për ndonjë rast tjetër. Pse? Shumë prej tyre marrin pjesë në këto raste me shpresën mos gjejnë bashkëshortin e ardhshëm. Pas perëndimit të diellit, të rinjtë—djem dhe vajza—kapen për dore dhe ngadalë rrethojnë të vdekurin duke kënduar këngë popullore për dashurinë gjatë gjithë natës.

Adoleshentët e fisit mong i vardisen njëri-tjetrit teksa luajnë një lojë të veçantë gjatë festës së Vitit të Ri. Djemtë dhe vajzat që pëlqehen, veçohen dhe vendosen në radhë disa hapa larg përballë njëri-tjetrit. Më pas djali dhe vajza luajnë duke i hedhur njëri-tjetrit një top lecke. Kur njërit i bie topi—qëllimisht ose pa dashje—i jep një stoli të vogël tjetrit. Më vonë atë mbrëmje, këto dhurata mund të kthehen në këmbim të një kënge. Nëse këndon bukur, jo vetëm fiton një zemër, por edhe tërheq vëmendjen e një turme.

Përshtaten me ndryshimet

Në kohët e lashta, shumica e këtyre fiseve hapnin toka të reja duke prerë dhe djegur pyjet, që të mbillnin drithë e të rritnin gjedhë. Kjo praktikë shkaktoi probleme serioze për mjedisin. Kurse tani, njerëzit e përdorin tokën me më shumë përgjegjësi dhe kanë rezultate të mira.

Ngaqë jetojnë në Trekëndëshin e Artë—zonë që përfshin pjesë të Tajlandës, Laosit dhe Mjanmarit—shumë fise më parë rritnin opium. Ndërsa sot rritin kafe, perime, fruta dhe lule, falë programeve për zëvendësimin e prodhimit që sponsorizohen nga familja mbretërore tajlandeze dhe agjencitë ndërkombëtare. Shumë nga këto fise ofrojnë mallra, shërbime dhe punime dore tradicionale për tregun e turistëve gjithnjë e në rritje.

Sidoqoftë, varfëria, higjiena e dobët dhe analfabetizmi bëjnë që jeta të jetë luftë për shumë veta. Vështirësi të tjera janë edhe shterimi i burimeve natyrore, ndryshimi kulturor, paragjykimet raciale, si dhe abuzimi me drogën e alkoolin. Paraardhësit e këtyre fiseve erdhën në Tajlandë për të shpëtuar nga probleme si këto. Po sot ku mund të gjejnë strehë?

Një strehë e sigurt

Shumë malësorë kanë gjetur strehën më të mirë​​—⁠Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Bibla thotë te Psalmi 34:8: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai! Lum kush gjen strehë tek ai.» Xholai, nga fisi lahu, tregon: «Kur u martova në moshën 19⁠⁠-⁠⁠vjeçare, isha pijanec dhe drogohesha. Pa drogë nuk punoja dot dhe pa punë nuk kisha para. Gruaja, Anotaja, ndihej e braktisur dhe e vetmuar. Ziheshim vazhdimisht.

Pasi lindi vajza jonë, Supeuada, Anotaja filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Sa herë vinin në shtëpi, ia mbathja për në pyll. Megjithatë, gruaja nisi të sillej më mirë. Më fliste me respekt dhe ishte më e përkushtuar ndaj punëve të shtëpisë. Prandaj, kur më tha të studioja Biblën, pranova.

Ndërkohë që mësimet e Biblës më preknin zemrën, përparoja gjithnjë e më shumë. Më në fund, me ndihmën e Perëndisë, i hoqa veset. Tani familja ime është vërtet e lumtur ngaqë kemi gjetur rrugën më të mirë të jetës. Gjithashtu kënaqemi teksa u tregojmë fiseve mësimet dobiprurëse të Biblës.»

Fjalët e Xholait të kujtojnë një profeci që e gjejmë te libri biblik i Zbulesës e që thotë se, gjatë ditëve të fundit të kësaj bote të ligë, ‘lajmi i mirë i përhershëm’ do t’i shpallej «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbulesa 14:⁠6) Dëshmitarët e Jehovait e kanë për nder të marrin pjesë në këtë vepër, e cila vërteton se Perëndia i do të gjithë njerëzit, përfshirë fiset e larmishme të maleve të Tajlandës.​​—⁠Gjoni 3:​16.

[Shënimet]

^ par. 4 Fiset mund të kenë disa emra. Për shembull, në vende të ndryshme fisi mjen quhet: lu⁠⁠-⁠⁠mjen, mjan, jao, dao, zao dhe man.

^ par. 5 Një numër i madh njerëzish nga fiset e maleve jetojnë ende në Kinë, si dhe në Vietnam, Laos dhe Mjanmar. Kohët e fundit, komunitete të mëdha me këto fise janë formuar në Australi, Francë, SHBA dhe në vende të tjera.

[Kutia dhe figura në faqen 16]

A ZGJATET QAFA NGA QAFORJA?

Shumë gra kajane bëjnë çdo gjë për të arritur majat e bukurisë. Ato mbajnë qafore të ndritshme tunxhi që arrijnë deri në 38 centimetra lartësi. * Kjo punë fillon që kur vajzat janë rreth pesë vjeçe. Çdo pak vjet ato i zëvendësojnë qaforet me një më të lartë e më të rëndë derisa, kur rriten, arrijnë në 25 rrathë me peshë 13 kilogramë. Ndryshe nga ç’duket, këto qafore nuk e zgjatin qafën. Përkundrazi, ato shtypin rruazat e qafës dhe ngjeshin kafazin e kraharorit.

[Shënimi]

^ par. 25 Kajanët kanë ardhur në Tajlandë nga Mjanmari, ku jetojnë akoma rreth 50.000 prej tyre. Atje ata mbajnë emrin padaung, që do të thotë «qafëgjatë».

[Burimi]

Muzeu i Fiseve të Maleve, Çlengmaj

[Kutia në faqen 17]

GOJËDHËNA PËR NJË PËRMBYTJE TË MADHE

Fiset lisu dhe mong kanë gojëdhëna që flasin për një përmbytje të madhe. Në njërën nga gojëdhënat e fisit mong, «Zoti i qiellit» paralajmëron dy vëllezër se së shpejti tokën do ta përfshijë një përmbytje. Vëllait të madh e të dhunshëm i jep udhëzime të ndërtojë një anije prej hekuri, kurse vëllait të vogël e të butë i thotë të ndërtojë një anije prej druri. Më pas, këtij të fundit i thotë të marrë në anije të motrën, një mashkull e një femër nga çdo lloj kafshe, si dhe dy fara nga çdo lloj bime.

Kur vjen përmbytja, anija prej hekuri fundoset, kurse ajo prej druri mbijeton. Më pas, një dragua në formë ylberi e than tokën. Në fund, vëllai i vogël martohet me të motrën dhe pasardhësit e tyre mbushin sërish tokën. Vër re ngjashmëritë e kësaj gojëdhëne me ngjarjen e dokumentuar saktësisht në Biblën e Shenjtë, nga kapitulli 6 deri në 10 të Zanafillës.

[Figura në faqet 16, 17]

Gratë e fiseve të maleve me kostume popullore

[Burimi]

Muzeu i Fiseve të Maleve, Çlengmaj

[Figurat në faqen 17]

Xholai me familjen

[Burimi i figurës në faqen 15]

Të dyja fotografitë: Muzeu i Fiseve të Maleve, Çlengmaj