I lumtur, edhe pse me probleme të rënda fizike
I lumtur, edhe pse me probleme të rënda fizike
Treguar nga Hose-Godofredo Vargesi
Linda i shëndetshëm dhe pata një fëmijëri si gjithë të tjerët. Kur isha 17 vjeç, fillova të punoja si saldator. Dy vjet më vonë, ndërsa saldoja në një platformë afër telave të tensionit të lartë, ia nisi shiu. Papritur më shkundi korrenti aq fort sa më përplasi 14 metra poshtë dhe më la pa ndjenja. Rashë në koma dhe erdha në vete tre muaj më vonë. Mund të lëvizja vetëm kokën. I kisha të katërta gjymtyrët të paralizuara dhe ndihesha përtokë.
NË FILLIM isha i zemëruar me Perëndinë dhe e pyesja pse më la gjallë. Madje mendova të vrisja veten. Kërkova ngushëllim te disa fe, por asnjëra nuk më ngushëlloi vërtet dhe as iu përgjigj pyetjeve të mia për Perëndinë. Në fakt, as nuk i nxitnin njerëzit të jetonin sipas mësimeve dhe normave biblike. Kur më vdiq nëna në vitin 1981, fillova të pija dhe të luaja bixhoz. Mendoja se për shkak të gjendjes sime, Perëndisë do t’i vinte keq e do të më falte që dehesha. Gjithashtu, bëja një jetë imorale duke jetuar me një grua pa qenë i martuar me të.
Ndryshoj krejtësisht pikëpamje
Dëshmitarët e Jehovait i takova për herë të parë kur isha 37 vjeç. Mamaja, e ndikuar nga fjalët lart e poshtë, kishte thënë gjithmonë se feja e tyre ishte më e keqja. Megjithatë i pranova në shtëpi, me synimin e vetëm që t’i bëja të kuptonin se e kishin gabim, pasi mendoja se dija shumë për Biblën. Por u habita kur zbulova se s’dija thuajse asgjë. Për më tepër, më mrekulluan sepse përdornin Biblën për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të mia. Shpejt u binda se kisha gjetur të vërtetën.
Mjerisht, gruaja me të cilën jetoja nuk i pranoi bindjet e mia të reja, e kështu u ndamë. Vazhdova të pastroja jetën dhe të ndryshoja qëndrimin e pikëpamjen për t’iu përmbajtur mësimeve të Biblës. Me ndihmën e Perëndisë, pasojat e aksidentit arrij t’i përballoj mirë emocionalisht dhe mendërisht. Aq mirë i përballoj sa këto 20 vjet kam qenë i
lumtur duke kaluar një pjesë të mirë të kohës në predikim si pionier. Kur më shohin, njerëzit pyesin si ia dal mbanë. Por nuk jam vetëm. Jetoj me vëllanë e vogël, Ubaldon, i cili ka sindromin Daun. Edhe ai e ka pranuar të vërtetën biblike dhe i shërbejmë Jehovait së bashku.Të dy jemi një skuadër e mirë dhe kujdesemi për njëri-tjetrin. Kur dalim të predikojmë, Ubaldo më shtyn karrocën dhe troket nëpër dyer në vendin tim. Kur flas me njerëzit, ai më ndihmon me Biblën dhe u tregon atyre literaturën e duhur. Gjithashtu më ndihmon me nevojat e tjera fizike. Në këmbim siguroj të ardhura për të dy duke shitur produkte kozmetike. Përveç kësaj, pjesëtarët e kongregacionit tonë na ndihmojnë me gatimin, punët e shtëpisë e vizitat te doktori—gjëra që unë dhe Ubaldo i çmojmë shumë.
Në kongregacion kam privilegjin të shërbej si plak dhe vëllezërit e mi në besim janë gjithmonë të gatshëm të më ndihmojnë të bëj kërkime për tema biblike. Jam në gjendje të nënvizoj pikat e rëndësishme në botimet për studim, e këtë e bëj duke mbajtur një laps në gojë.
Kur njerëzit më pyesin nëse jam i lumtur, u përgjigjem me gjithë zemër se po. E si të mos jem? Bëj jetë vërtet domethënëse dhe mezi pres të përmbushet shpresa e mrekullueshme që Perëndia u ka dhënë adhuruesve të tij besnikë—shëndet të përsosur në parajsën që do të vijë së shpejti në tokë.—Isaia 35:5, 6; Luka 23:43.
[Figura në faqen 24]
Hoseja 18-vjeçar, një vit para aksidentit
[Figura në faqen 25]
Bashkë me vëllanë, Ubaldon, jemi një skuadër e mirë teksa predikojmë në Meksikë
[Figura në faqen 25]
Një bashkadhurues më kthen faqet e Biblës ndërsa mbaj fjalim në Sallën e Mbretërisë
[Figura në faqen 25]
Pjesëtarë të kongregacionit na ndihmojnë me gatimin dhe punët e shtëpisë.