Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ji i kënaqur me ngjyrën e lëkurës

Ji i kënaqur me ngjyrën e lëkurës

Ji i kënaqur me ngjyrën e lëkurës

● Disa njerëz në Afrikë, në Azinë e Jugut, në Karaibe dhe në Lindjen e Mesme e lidhin ngjyrën e bardhë të lëkurës me të qenët i suksesshëm dhe në modë. Si rrjedhojë, një numër i madh grash e burrash në këto vende përdorin produkte për zbardhjen e lëkurës, por ndonjëherë me pasoja të rënda për shëndetin.

Disa kremra për zbardhje përmbajnë hidrokinon, një përbërës zbardhues që ndalon prodhimin e melaninës, dhe kjo ul mbrojtjen e natyrshme të lëkurës ndaj rrezeve të dëmshme ultravjollcë (UV). Hidrokinoni depërton nën lëkurë dhe mund të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme indet lidhëse. Si pasojë vjen plakja e parakohshme. Ky përbërës mund të shkaktojë edhe kancerin. Kremra të tjerë përmbajnë zhivë, e cila është gjithashtu toksike.

Për më tepër, përdorimi i vazhdueshëm i këtyre produkteve mund të shkaktojë edhe ekzantema shfytyruese, njolla të shëmtuara dhe mund ta dobësojë kaq shumë lëkurën, sa nuk mund të qepet nëse çahet. Përveç kësaj, nëse përbërësit kimikë të disa prej këtyre produkteve kozmetike thithen në gjak, mund të dëmtojnë mëlçinë, veshkat ose trurin​—madje mund të bëjë që ndonjë organ të mos funksionojë më.

Si për ironi, disa me ngjyrë të errët duan të zbardhen, kurse shumë të bardhë ç’nuk bëjnë për t’u nxirë. Është e vërtetë se qëndrimi në diell pa e tepruar mund të jetë i shëndetshëm, pasi një prej dobive mund të jetë prodhimi i vitaminës D. Por qëndrimi në diell për një kohë të gjatë, sidomos kur rrezet janë të forta, mund të jetë i dëmshëm. Në fakt, nxirja nga dielli tregon se lëkura tashmë është dëmtuar dhe po përpiqet të mbrohet nga marrja e mëtejshme e rrezeve të dëmshme ultravjollcë. Por kjo mbrojtje është e kufizuar. Për shembull, nxirja e lëkurës së bardhë siguron një faktor mbrojtës jo më të lartë se katër. Edhe pse përdorimi i rregullt i kremrave kundër diellit mund të ndihmojë, kjo nuk siguron mbrojtje të plotë për lëkurën dhe për disa kancere, ku futet edhe melanoma.

Për këto arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë sugjeron që «t’i vihet sa më shumë theksi faktit që çdokush të jetë i kënaqur me ngjyrën natyrore të lëkurës», dhe ky «është një hap i rëndësishëm për t’u treguar njerëzve të jenë të mençur ndaj ekspozimit në diell». Megjithatë, ata që janë vërtet të mençur përqendrohen tek ajo që Bibla e quan «njeriu i fshehtë i zemrës» që mund të përmirësohet me kalimin e kohës, ndryshe nga lëkura që plaket.​—1 Pjetrit 3:3, 4; Proverbat 16:31.