Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kanoeja​—«Mjeti i përkryer» i Kanadasë

Kanoeja​—«Mjeti i përkryer» i Kanadasë

Kanoeja​—«Mjeti i përkryer» i Kanadasë

EKSPLORUESI francez Samuel dë Shamplen i ra përmes Oqeanit Atlantik dhe lundroi nëpër lumin Sent⁠⁠-⁠⁠Lorenc deri në atë që sot e njohim si Kanadaja. Sapo hyri në Monreal, hasi një pengesë të madhe: rrëmbesat e lumit në qytetin e Lëshinit. Në vitin 1603 shkroi në librin e tij se çdo përpjekje për t’i kaluar këto rryma me varkë, do të ishte e kotë. Të kalonte përmes pyllit të dendur nuk ishte praktike. Po si e vazhdoi udhëtimin Shampleni dhe skuadra e tij?

Ndoqën shembullin e popujve indigjenë dhe përdorën kanoe. «Me kanoe,—tha ai,—mund të udhëtosh përmes vendit lirisht dhe shpejt si në lumenj të vegjël, ashtu edhe në të mëdhenj.»

«Mjeti i përkryer»

Liqenet dhe lumenjtë e Kanadasë ishin vërtet autostrada dhe mjeti më i përkryer për të udhëtuar konsiderohej kanoeja. Ajo u jepte mundësi vendësve të eksploronin, të gjuanin për kafshë dhe të transportonin mallra. Sigurisht, struktura dhe mënyra e ndërtimit të kanoeve ndryshonte në varësi të funksionit dhe lëndës së parë. Për shembull, njerëzit në bregun perëndimor të Kanadasë i ndërtonin kanoet duke gërryer nga brenda trungje gjigante cedri të kuq. Pastaj e mbushnin me ujë dhe gurë të nxehtë për ta zbutur drurin, e kështu i jepnin formën e dëshiruar. Disa prej këtyre kanoeve mund të mbartnin deri në dy tonë dhe ishin mjaft të shpejta e të sigurta në det, ku i përdornin për të gjuajtur gjitarë të mëdhenj, madje edhe balena.

Ndoshta kanoeja më e përhapur në Amerikën Veriore ishte ajo që bëhej me lëvoren e mështeknës. Falë substancës së quajtur betulol, lëvorja e mështeknës është e fortë dhe e padepërtueshme nga uji. Është edhe mjaft e përkulshme dhe rezistente. Një ndërtues kanoesh, Dejvid Gidmarku, shpjegon se «një kanoe e bërë me lëvore mështekne mund të kalojë ato rryma uji që do ta prishnin një kanoe prej druri dhe kanavace».

Në materialet përbërëse të kësaj kanoeje përfshiheshin druri i mështeknës, druri i cedrit, rrënjët e bredhit dhe rrëshira. Ngaqë të gjitha këto materiale gjendeshin në pyll, riparimi i kanoes nuk ishte i vështirë. Për më tepër, ishin disi të lehta dhe mund të mbaheshin në krahë kur kishte rryma të rrezikshme dhe pengesa të tjera. Edhe për mjedisin nuk ishin të dëmshme. Kur një kanoe hidhej, kalbej në natyrë si një pemë e rënë.

Mënyrat e ndërtimit ishin mbresëlënëse. Një vëzhgues i shekullit të 19⁠⁠-⁠⁠të tregonte: «Vendësit nuk përdorin gozhda e vida, por çdo gjë e bëjnë me qepje e lidhje. Tegelat, qepjet dhe nyjat janë kaq të rregullta, të forta dhe artistike, sa s’ka ku të vejë.»

Para epokës së hekurudhës, kanoeja ishte mjeti më i shpejtë dhe më i sigurt i transportit në pjesën më të madhe të Kanadasë. Edhe pasi dolën trenat, kanoeja nuk doli menjëherë jashtë përdorimit, sepse shpesh njerëzit udhëtonin edhe me tren, edhe me kanoe.

Në kohët e hershme, kanoet ishin kaq të rëndësishme për Amerikën Veriore, sa ndikuan në kulturën dhe bindjet fetare të popujve indigjenë. Për shembull, sipas disa legjendave, u përdor kanoeja si mjet shpëtimi nga një përmbytje e madhe dhe jo arka biblike.

Kanoet sot

Edhe sot e kësaj dite kanoet përdoren gjerësisht në Kanada, sidomos për zbavitje. Mjerisht, mështeknat e përshtatshme për të ndërtuar kanoe të mira po bëhen gjithnjë e më të rralla. Megjithatë përdoren lëndë të tjera si alumin, kanavacë, dru dhe lesh xhami.

Bill Mejsëni, i famshëm për lundrimin me kanoe, shpjegoi një aspekt tjetër të saj kur tha: «Një udhëtim me kanoe në rrugët e lashta ujore, është një mënyrë e mirë për të rigjallëruar marrëdhënien e humbur me natyrën dhe me Krijuesin që i ka bërë të gjitha kohë më parë.» Shumë do të ishin më se dakord me këto fjalë.

[Kutia dhe figura në faqen 11]

KAJAKU

Inuitët ose eskimezët jetojnë në një pjesë të Kanadasë ku nuk ka pyje. Por kjo nuk i pengonte të ndërtonin mjete lundrimi. Si lëndë të parë përdornin lëkurë foke dhe karibuje, si edhe kocka e copa druri që dilnin në brigjet e Arktikut. Dhjamin e kafshëve e përdornin si izolues nga uji. Kështu lindi kajaku.

Ndryshimi më i dallueshëm midis kajakut dhe kanoes është mbyllja e kajakut në pjesën e sipërme. Kjo mbyllje përbën njëfarë mbrojtjeje kundër elementeve të natyrës dhe ndihmon që kajaku të rrëshqasë pa futur shumë ujë. Kajakët e sotëm zakonisht bëhen me lesh xhami dhe lëndë të tjera sintetike.

[Burimi i figurës në faqen 10]

Biblioteka e Kongresit