Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Në një letër qarkore të papa Benediktit të XVI thuhet: «Ka një nevojë urgjente . . . për të reformuar OKB-në, institucionet ekonomike dhe financën ndërkombëtare. Vetëm kështu mund të rrënjoset koncepti për kombet si një familje e vërtetë.»—L’OSSERVATORE ROMANO, kursivi është i tyre.
«Një në çdo tre ukrainas pi rreth një paketë cigaresh në ditë.»—EXPRESS, UKRAINË.
Në SHBA 44 për qind e djemve adoleshentë thanë se kishin «parë me anë të Internetit ose celularit ndonjërën nga shoqet e klasës që kishte dalë në fotografi e zhveshur».—TIME, SHBA.
‘Skamje e tejskajshme’
Sipas agjencisë The Associated Press, luftërat, thatësirat, paqëndrueshmëria politike, çmimet e larta dhe varfëria e kanë çuar njerëzimin në një «skamje të tejskajshme». Radhët e të uriturve në të gjithë botën tashmë i kanë kaluar një miliard. Sipas drejtoreshës së Programit Botëror të OKB-së për Ushqimin, Zhozet Shirenit, «një botë e uritur është e rrezikshme. . . . Pa ushqim, njerëzit kanë vetëm tri zgjedhje: të krijojnë trazira, të emigrojnë ose të vdesin. Asnjë nga këto zgjedhje nuk është e pranueshme». Për më tepër, numri i të uriturve po rritet më shpejt se popullsia e botës. Madje, në vendet në zhvillim, numri i të kequshqyerve është rritur 15,4 për qind.
Leximi para gjumit është i dobishëm
Kur prindërit u lexojnë fëmijëve para gjumit, bëjnë më shumë sesa i nanuritin. Studiuesit thonë se kjo gjë rrit aftësitë gjuhësore të fëmijës, ndihmon që të shkathtësohen fizikisht duke i mësuar të kapin dhe të kthejnë faqet e librit, si dhe ua forcon kujtesën. Gazeta The Guardian thotë: «Megjithatë, ç’është më e rëndësishme . . . leximi me zë është një moment kur prindi dhe fëmija i kushtojnë vëmendje njëri-tjetrit dhe shprehin ndjenjat e tyre. Kjo e bën leximin një aktivitet të këndshëm.» Profesor Beri Zukermani, i cili drejtoi studimin, tha: «Fëmijët arrijnë t’i duan librat, sepse i lexojnë me dikë që e kanë për zemër.»
Lopët e kënaqura japin më shumë qumësht
«Kur një lopë thirret me emër jep më shumë qumësht»,—thonë shkencëtarët e Universitetit të Njukasllit, Angli. Në fakt, kur i trajton lopët si individë më vete, mund të rritin rendimentin e qumështit me pothuajse 280 litra në vit. Pse? Dr. Ketrin Dagllasi që punon në këtë universitet për Degën e Bujqësisë, Ushqimit dhe Zhvillimit të Zonave Rurale thotë: «Ashtu si njerëzit reagojnë më mirë ndaj interesimit personal, edhe lopët ndihen më të kënaqura dhe më të qeta po t’u tregohet pak më shumë vëmendje individuale. Ajo që tregojnë studimet tona është diçka që shumë bujq të mirë e të dashur e kanë besuar prej kohësh. Kur u kushtojmë më shumë vëmendje si individë lopëve, si për shembull kur i thërrasim me emra ose kur bashkëveprojmë me to gjithnjë e më shumë teksa rriten, jo vetëm që do përmirësojmë mirëqenien e tyre dhe afrimitetin ndaj njeriut, por edhe do të prodhojnë më tepër qumësht.»