Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përgatitu për pengesat

Përgatitu për pengesat

Përgatitu për pengesat

«Vendosa ta lija për hir të fëmijës sonë të sapolindur. Kështu që te dera ngjita një tabelë: ‘Ndalohet duhani!’ Vetëm një orë më vonë, më pushtoi një dëshirë e fortë si tsunami për nikotinë dhe e ndeza një cigare.»​—Joshimitsu, Japoni.

SIÇ tregon edhe përvoja e Joshimitsut, lënia e duhanit ka vështirësitë e veta. Për më tepër, studimet tregojnë se afro 90 për qind e atyre që pinë një cigare pasi e kanë lënë, sprapsen dhe i kthehen vesit të vjetër. Pra, nëse po përpiqesh ta lësh, ka më shumë të ngjarë t’ia dalësh mbanë nëse je i përgatitur për pengesat. Cilat janë më të zakonshmet?

Dëshira e fortë për nikotinë: Ajo zakonisht arrin kulmin brenda tri ditëve të para pas cigares së fundit dhe zbehet nja dy javë më pas. Një ish-duhanpirës thotë se, gjatë këtyre javëve, «dëshira vjen valë-valë, nuk është e vazhdueshme». Megjithatë, një dëshirë e menjëhershme mund të të vijë edhe vite më vonë. Nëse po, mos u nxito. Prit rreth pesë minuta dhe dëshira do të të kalojë.

Simptoma të tjera të lënies: Në fillim, njerëzit e kanë të vështirë të përqendrohen dhe kanë prirjen të shtojnë në peshë. Gjithashtu, mund të kenë dhembje, kruarje, djersitje, kollë dhe luhatje humori që shfaqen me humbje durimi, me prirje për t’u nervozuar ose madje për të rënë në depresion. Por shumica e simptomave largohen brenda katër deri gjashtë javësh.

Gjatë kësaj kohe vendimtare, ka ca gjëra praktike që mund të të ndihmojnë. Për shembull:

● Fli më shumë.

● Pi ujë e lëngje me bollëk. Ha ushqime të shëndetshme.

● Bëj ca fizkulturë.

● Merr frymë thellë dhe ndieje ajrin e pastër që të mbush mushkëritë.

Tundimet: Këtu përfshihen veprimtaritë ose ndjenjat që mund të të tundojnë të pish prapë. Për shembull, ndoshta e kishe zakon që pijen ta shoqëroje me duhan. Në rast se po, kur përpiqesh ta lësh, mos rri shumë duke pirë. Sigurisht, me kalimin e kohës, do ta shijosh pijen më me nge.

Gjithsesi, ngacmimet psikologjike mund të zgjatin mjaft kohë pasi trupi të jetë pastruar nga nikotina. Torbeni që përmendëm më parë, pranon: «Kam nëntëmbëdhjetë vjet që e kam lënë, e prapëseprapë tundohem kur jam duke pirë kafenë.» Por, në përgjithësi, lidhja mendore e disa veprimtarive të caktuara me duhanin, avash⁠⁠-⁠⁠avash do të venitet derisa të largohet fare.

Me alkoolin ndryshon puna. Ndërsa përpiqesh ta lësh duhanin, mund të jetë e nevojshme të mos pish alkool dhe të mos shkosh në ato vende ku shërbehet, pasi një pjesë e madhe dorëzohen kur janë duke pirë. Pse ndodh kështu?

● Edhe pak alkool mund të rritë kënaqësinë që sjell nikotina.

● Kur pihet në shoqëri, shpesh alkooli shoqërohet me duhan.

● Alkooli mpin gjykimin dhe të bën më të shpenguar. Me të drejtë Bibla thotë: ‘Vera ia heq njeriut motivin e mirë.’​​—⁠Hozea 4:​11.

Shoqëria: Ji përzgjedhës. Kjo do të thotë të shmangësh shoqërinë e panevojshme me ata që pinë duhan ose që mund të të ftojnë të bashkohesh me ta. Gjithashtu qëndro larg atyre që përpiqen të të prishin punë, ndoshta duke të të tallur.

Ndjenjat: Sipas një studimi, pothuajse dy të tretat e atyre që iu rikthyen vesit, ishin ndier të mërzitur dhe të nevrikosur pikërisht para se të dorëzoheshin. Nëse ka diçka që të tundon të pish duhan, bëj ndonjë gjë për ta hequr mendjen​​—⁠ndoshta pi ujë, përtyp çamçakëz ose dil për shëtitje. Mundohu ta mbushësh mendjen me mendime pozitive, mbase duke iu lutur Perëndisë për ndihmë ose duke lexuar disa faqe nga Bibla.​​—⁠Psalmi 19:⁠14.

Justifikime që duhen shmangur

Do ta thith vetëm një herë.

E vërteta: Vetëm një e thithur nikotine mund të kënaqë për tre orë mbi 50 për qind të receptorëve të ndjeshëm ndaj saj. Shpesh rezultati është dorëzimi.

Duhani më ndihmon të përballoj stresin.

E vërteta: Studimet tregojnë se në të vërtetë nikotina i shton hormonet e stresit. Çdo lehtësim nga stresi mund të vijë kryesisht si pasojë e venitjes së përkohshme të simptomave të lënies.

Është tepër vonë për të hequr dorë.

E vërteta: Pesimizmi të shteron fuqitë. Bibla thotë: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» (Proverbat 24:10) Prandaj shmang mendimet pesimiste. Të gjithë ata që duan ta lënë duhanin dhe që zbatojnë parime praktike si këto që përmenden në revistë, mund t’ia dalin mbanë.

Nuk i përballoj dot simptomat e lënies.

E vërteta: Kuptohet, këto simptoma janë të fuqishme, por do të qetësohen për pak javë. Prandaj mos u shpërqendro! Nëse pas disa muajsh ose vitesh të lind sërish dëshira për duhan, edhe ajo do të zhduket, ndoshta brenda pak minutash​​—⁠nëse nuk ndez as edhe një cigare.

Vuaj nga një sëmundje mendore.

E vërteta: Nëse po merr mjekime për një sëmundje mendore, si depresioni ose skizofrenia, kërkoji ndihmë mjekut që ta lësh duhanin. Ai mund të jetë mjaft i gatshëm të të ndihmojë. Ndoshta të ndryshon ilaçet që të përballosh ndikimet që mund të ketë lënia e duhanit te sëmundja ose te ilaçet që je duke marrë.

Po t’i rikthehem, do të ndihem si dështak.

E vërteta: Nëse nuk e kapërcen një pengesë dhe e pi një cigare​​—⁠siç u ndodh shumë vetave kur përpiqen ta lënë​​—⁠nuk je i pashpresë. Thjesht merr zemër dhe ngulmo. Të rrëzohesh një herë nuk do thotë se je dështak. Je i tillë nëse nuk ngrihesh sërish. Prandaj përpiqu vazhdimisht. Në fund do të triumfosh.

Le të shohim përvojën e Romualdos, i cili piu duhan për 26 vjet dhe e la mbi 30 vjet më parë. Ai thotë: «Kushedi sa herë u dorëzova. Gjithnjë ndihesha shumë keq, si të isha një rast i pashpresë. Megjithatë, pasi vendosa prerazi të kisha një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova dhe i lutesha për ndihmë, arrita ta lija një herë e mirë duhanin.»

Në artikullin e fundit të kësaj serie, do të shqyrtojmë disa sugjerime të tjera praktike që mund të të bëjnë një ish⁠⁠-⁠⁠duhanpirës të lumtur.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

VRASËS NË TË GJITHA FORMAT

Duhani përdoret në shumë forma. Madje në disa vende, ca forma të këtij produkti shiten në dyqanet e ushqimeve të shëndetshme dhe të ilaçeve bimore. Sidoqoftë, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se «të gjitha format e duhanit janë vrasëse». Çdo lloj sëmundjeje që shkakton duhani, si kanceri dhe sëmundjet e zemrës, sjell vdekjen. Nënat që pinë duhan mund të dëmtojnë edhe foshnjën e palindur. Në cilat forma pihet duhani?

Bidit (cigaret indiane): Këto cigare të vogla e të dredhura me dorë përdoren gjerësisht në vendet e Azisë. Ato përmbajnë disa herë më shumë katran, nikotinë dhe monoksid karboni, sesa cigaret e zakonshme.

Purot: Këto janë cigare të mbështjella me gjethe duhani ose me letër të bërë nga duhani. Sasia e paktë e alkalit te purot, në krahasim me cigaret me përmbajtje të lartë acidi, bën që nikotina të merret nga goja edhe pa qenë e ndezur puroja.

Kritekët ose cigaret me karafil: Këto zakonisht përmbajnë rreth 60 për qind duhan dhe 40 për qind karafil. Ato çlirojnë më shumë katran, nikotinë dhe monoksid të karbonit, sesa cigaret e zakonshme.

Llullat: Të pish me llullë nuk është më pak e dëmshme se cigaret, pasi të dyja format mund të shkaktojnë pak a shumë të njëjtat kancere a sëmundje.

Duhani pa tym: Këtu përfshihet duhani që përtypet, burnoti që thithet dhe gutka e aromatizuar që përdoret në Azinë Juglindore. Nikotina hyn në gjak nga goja. Përdorimi i duhanit pa tym është po aq i rrezikshëm sa llojet e tjera.

Llulla me ujë (nargjileja, huka, shisha): Në këto lloj llullash tymi i duhanit kalon nëpër ujë para se të thithet. Megjithatë, ky proces mund të mos e ulë sasinë e toksinave që hyjnë në mushkëri. Në këto toksina ka edhe përbërës kancerogjenë.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

SI TA NDIHMOJMË DIKË TË HEQË DORË NGA DUHANI?

Ji pozitiv. Kur e lavdëron dhe e inkurajon, funksionon më mirë sesa kur e bezdis dhe i bën moral. Shprehja: «Mendoj se do t’ia dalësh po të përpiqesh edhe njëherë», ka më shumë forcë sesa: «Prapë u dorëzove?!»

Fal. Bëj çmos që të mos ia vësh veshin atij që po përpiqet të lërë duhanin kur zemërohet ose acarohet me ty. Thuaj fjalë inkurajuese si: «E di që e ke të vështirë, por jam krenar për ty.» Mos thuaj kurrë: «Më pëlqeje më shumë kur pije duhan.»

Ji mik i vërtetë. Bibla thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» (Proverbat 17:17) Po, mundohu të tregosh durim e dashuri «në çdo kohë» me atë që po përpiqet ta lërë duhanin, pavarësisht nga momenti ose humori i tij.