Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të përballohet belbëzimi?

Si të përballohet belbëzimi?

Si të përballohet belbëzimi?

«Kur më mbahet goja, më kap ankthi dhe pastaj më mbahet edhe më shumë. Më duket sikur kam rënë në një gropë të thellë nga e cila nuk dal dot. Njëherë, shkova për ndihmë te një psikologe. Më tha se duhej të zija një të dashur, të bëja seks që të kisha më shumë vlerësim për veten. Natyrisht nuk shkova më tek ajo. Dua vetëm që njerëzit të më pranojnë siç jam.»—Rafaeli 32-vjeçar.

IMAGJINO sikur vetëm për të kërkuar një biletë autobusi të qulleshe në djersë të ftohta, si dhe shpesh të ngecje në disa fjalë duke përsëritur tingullin e parë. Kjo u ndodh rreth 60 milionë njerëzve anembanë botës—1 në 100—të cilëve u mbahet goja ose belbëzojnë. Shpesh i tallin dhe i diskriminojnë. Madje mund të konsiderohen më pak inteligjentë, ngaqë në vend të fjalëve të vështira zgjedhin fjalë më të thjeshta që mund t’i shqiptojnë.

Çfarë e shkakton belbëzimin? A ka shërim? A mund të bëjë ndonjë gjë ai që belbëzon që të flasë më rrjedhshëm? * Po të tjerët si mund të ndihmojnë?

A dihen shkaqet?

Disa njerëz të lashtësisë besonin se ai që belbëzonte ishte pushtuar nga frymërat e liga dhe duhej çliruar prej tyre. Gjatë mesjetës, ia vinin fajin gjuhës. Cili ishte «ilaçi»? Hekuri i nxehur dhe speci djegës. Në shekujt e mëvonshëm kirurgët i prisnin pacientit nervat dhe muskujt e gjuhës, madje i hiqnin edhe bajamet. Por të gjitha këto metoda të vrazhda dështuan.

Studimet e sotme sugjerojnë se belbëzimi mund të vijë jo vetëm nga një, por nga disa faktorë. Një prej tyre mund të jetë reagimi ndaj stresit. Një tjetër mund të jetë prejardhja gjenetike, pasi rreth 60 për qind e atyre që belbëzojnë kanë të afërm me të njëjtin problem. Për më tepër, studimi pamor i trurit ka treguar se zona e gjuhës te truri i këtyre personave, funksionon ndryshe. Në librin e tij, dr. Nejthën Lavid thotë se disa «mund të fillojnë të flasin para se truri t’u diktojë si duhet shqiptuar fjala».​​—⁠Të kuptojmë belbëzimin (anglisht). *

Pra, shkaku kryesor i belbëzimit mund të mos jetë medoemos psikologjik, siç mendohej më parë. «Me fjalë të tjera, belbëzimi nuk është çështje besimi, dhe ata që belbëzojnë nuk e arrijnë rrjedhshmërinë vetëm duke i bindur se mund t’ia dalin mbanë»,​​—⁠thuhet në librin S’ka kurë që bën mrekulli (anglisht). Megjithatë mund të kenë pasoja psikologjike për shkak të problemit të tyre. Për shembull, mund të kenë frikë kur u duhet të flasin në publik ose në telefon.

Ndihmë për ata që belbëzojnë

Interesante është se ata që kanë këtë problem mund të këndojnë, të pëshpëritin, të flasin me vete ose me kafshët, të flasin në kor ose të imitojnë të tjerët duke belbëzuar pak ose aspak. Përveç kësaj, 80 për qind e fëmijëve që belbëzojnë shërohen vetvetiu. Po 20 për qindëshi tjetër?

Sot ekzistojnë terapi për të folurit që të përmirësojnë rrjedhshmërinë. Disa teknika u mësojnë si të shtendosin nofullën e poshtme, buzët, gjuhën dhe të marrin frymë duke përdorur diafragmën. Pacientët mund të ushtrohen me shkronjat e para të fjalëve duke bërë frymëmarrje të lehta me diafragmë dhe duke e çliruar ajrin pak nga pak ndërsa fillojnë të flasin. Plus ata këshillohen të zgjatin zanoret dhe disa bashkëtingëllore. Dalëngadalë shpejtësia e të folurit përmirësohet bashkë me rrjedhshmërinë.

Mund të duhen vetëm disa orë për t’i mësuar këto teknika. Por për t’i përdorur me sukses në rrethana tepër stresuese mund të kërkohen mijëra orë praktikë.

Kur duhet të fillojë kjo stërvitje? A është e mençur të presim e të shohim nëse fëmija do të shërohet vetë ndërsa rritet? Shifrat tregojnë se më pak se 20 për qind e fëmijëve që belbëzojnë për pesë vjet, shërohen vetë. «Kur shkon gati gjashtë vjeç,​​—⁠thotë libri S’ka kurë që bën mrekulli,​​—⁠fëmija mund të mos shërohet pa ndihmën e terapisë.» Pra, libri shton se «fëmijët të cilëve u mbahet goja, duhet të vizitohen sa më parë te patologu i të folurit». Nga 20 për qind e fëmijëve që u mbahet goja edhe kur rriten, sipas llogaritjeve, 60 deri në 80 për qind e tyre reagojnë mirë ndaj terapisë. *

Ji realist

Patologu i të folurit Robert Kesal, të cilit edhe vetë i mbahet goja, thotë se do të ishim jorealistë po të synonim që këta të kishin një rrjedhshmëri të përsosur në çdo rrethanë. Rafaeli, që përmendëm në fillim, nuk ka qenë në gjendje ta kapërcejë plotësisht problemin, edhe pse flet më rrjedhshëm. Ai thotë: «Problemi im bëhet më i dukshëm kur më duhet të lexoj në publik ose kur jam me ndonjë vajzë të lezetshme. Më parë më vinte shumë turp ngaqë njerëzit më tallnin. Por kohët e fundit, jam përpjekur ta pranoj problemin tim dhe të mos e marr veten tepër seriozisht. Kështu që tani, kur ngec me ndonjë fjalë, mund të qesh, por pastaj përpiqem të qetësohem dhe të vazhdoj.»

Fjalët e Rafaelit përputhen me Fondacionin Amerikan për Belbëzimin, i cili pohon se «të kapërcesh problemin e belbëzimit shpesh do të thotë më shumë të mos kesh frikë nga belbëzimi, sesa të përpiqesh fort».

Edhe pse luftojnë me këtë problem, mjaft njerëz nuk kanë lejuar që t’i pengojë të bëjnë një jetë domethënëse. Madje disa janë bërë të famshëm, përfshirë këtu fizikanin Isak Njuton, politikanin britanik Uinston Çërçill dhe aktorin amerikan Xhejms Stjuart. Të tjerë kanë zhvilluar talente që nuk kanë të bëjnë me të folurit, si për shembull, t’i bien një instrumenti, të pikturojnë ose të mësojnë gjuhën e shenjave. Ata që nuk e kanë këtë problem, duhet t’i vlerësojnë këta njerëz për përpjekjet e mëdha. Prandaj le t’u japim gjithë inkurajimin dhe mbështetjen e mundur.

[Shënimet]

^ par. 4 Në këtë artikull përdoret gjinia mashkullore, sepse më shumë se 80 për qind e atyre që u mbahet goja janë meshkuj.

^ par. 7 Teoritë e tanishme për shkaqet e belbëzimit dhe për terapitë e duhura, edhe pse kanë të përbashkëta, mund të mos përputhen gjithmonë. Zgjohuni! nuk përkrah asnjë pikëpamje a terapi specifike.

^ par. 13 Në disa raste, terapistët mund të këshillojnë pajisje elektronike kundër belbëzimit, të cilat bëjnë që folësi ta dëgjojë zërin e tij pak me vonesë, ose ilaçe për të pakësuar ankthin që shkakton belbëzimi.

[Kutia dhe figura në faqen 13]

SI TA NDIHMOSH ATË QË BELBËZON?

● Bëje të ndihet rehat dhe mos e detyro të nxitojë. Sot stili i shpejtë e plot presion i jetës shpesh e rëndon problemin.

● Në vend që t’i thuash të flasë avash, lër shembullin duke folur ti vetë ngadalë. Dëgjo me durim. Mos e ndërprit. Mos ia merr fjalën nga goja. Bëj një pauzë para se të përgjigjesh.

● Mos e kritiko dhe mos e korrigjo. Duke e parë në sy siç duhet dhe me anë të shprehjeve të fytyrës, gjesteve dhe komenteve të përshtatshme, trego se i kushton vëmendje asaj që thotë e jo mënyrës se si e thotë.

● Të flasësh për belbëzimin nuk duhet konsideruar tabu. Nëse buzëqesh në mënyrë miqësore dhe herë pas here shpreh me dashamirësi mirëkuptim për problemin, atëherë ai do të ndihet më rehat. Ndoshta mund t’i thuash diçka të tillë: «Ndonjëherë nuk është e lehtë ta themi atë që duam.»

● Mbi të gjitha bëja të qartë se e pranon ashtu siç është.

[Kutia dhe figura në faqen 14]

«DALËNGADALË FILLOI TË MË MBAHEJ GOJA MË PAK»

Viktori, të cilit iu mbajt goja për disa vjet gjatë një periudhe stresuese për familjen e tij, arriti ta kapërcente problemin pa terapi. Si Dëshmitar i Jehovait, u regjistrua në Shkollën e Shërbimit Teokratik, që mbahet çdo javë në të gjitha kongregacionet. Megjithëse kjo shkollë nuk bën terapi për problemet e të folurit, i ndihmon studentët të përmirësojnë rrjedhshmërinë dhe të fitojnë besimin te vetja.

Libri që përdoret e ka titullin Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Kutia me titull «Si ta përballosh belbëzimin?» në këtë libër thotë: «Është e rëndësishme që të vazhdosh të përpiqesh. . . . Nëse ke për të mbajtur një fjalim, përgatitu mirë. Zhytu plotësisht në atë që do të thuash. . . . Nëse fillon të belbëzosh ndërsa je duke folur, përpiqu me sa të kesh mundësi që të ruash qetësinë në zë e në qëndrim. Shtendosi muskujt e nofullave. Përdor fjali të shkurtra. Zvogëloje sa më shumë përdorimin e shprehjeve ndërmjetëse, të tilla, si ‘ë’.»

A e ndihmoi shkolla Viktorin? Ai sjell ndër mend: «Kaq shumë përqendrohesha tek ajo që do të thosha dhe jo te mënyra si do ta thosha, sa e harroja problemin që kisha. Gjithashtu bëja shumë prova. Dalëngadalë filloi të më mbahej goja më pak.»