Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të shpenzoj me mençuri?

Si të shpenzoj me mençuri?

Pikëpamja e Biblës

Si të shpenzoj me mençuri?

«Fitoj më pak, por duhet të paguaj më shumë. Shpesh natën s’më zë gjumi duke menduar si të siguroj paratë për familjen.»​—Xhejmsi.

«Më duket sikur çdo rrugë më mbyllet dhe s’kam nga t’ia mbaj.»​—Sheri.

KOMENTE të tilla i dëgjon shpesh gjatë krizave ekonomike. Duke folur për rënien ekonomike globale të kohëve të fundit, Huan Somavia, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, vërejti: «Kjo nuk është vetëm krizë e bursës së Nju-Jorkut.» Pastaj shtoi: «Kjo është krizë e të gjitha bursave.»

Humbja e punës papritur ose pamundësia ekonomike për të plotësuar nevojat bazë të familjes, mund të sjellë mjaft ankth, madje edhe shkurajim. Në një periudhë të caktuar të jetës së tij, shkrimtari biblik David shprehu të njëjtat ndjenja. Ai u lut: «Brengat e zemrës më janë shtuar. Më nxirr nga hallet e mia.» (Psalmi 25:17) Po për kohët tona çfarë thotë Bibla? A mund të na japë siguri dhe më shumë paqe mençuria e saj e frymëzuar nga Perëndia?

Mençuri për kohë kritike

Bibla paratha se «ditët e fundit» të botës së tanishme do të ngjanin me ‘dhembjet e lindjes’ dhe do të ishin «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1; Mateu 24:⁠8) Sigurisht këto fjalë po dalin të vërteta. Megjithatë nuk jemi të pashpresë, sepse Perëndia, me anë të Biblës së Shenjtë, na ka dhënë mençurinë që na duhet për të përballuar pasigurinë ekonomike.

Për shembull, Bibla na ndihmon të kemi pikëpamjen e duhur për paratë. Tek Eklisiastiu 7:​12 lexojmë: «Mençuria është mbrojtje njëlloj siç është edhe paraja, por përparësia e njohurisë është se bashkë me mençurinë i ruan gjallë ata që e zotërojnë.» Po, paraja mund të jetë njëfarë mbrojtjeje, por vetëm mençuria hyjnore, që gjendet në faqet e Biblës, mund të na japë siguri të vërtetë në çdo kohë. Le të shohim disa vargje biblike.

Si të përballosh kohët e vështira ekonomike?

Ji i papërtueshëm. «Përtaci dëshiron, por shpirti i tij s’ka asgjë. Megjithatë shpirti i atyre që ngulmojnë, majmet.» (Proverbat 13:⁠4) Çfarë mësojmë nga ky varg? Bëj emër të mirë si njeri i ndershëm dhe punëtor. Njerëzit punëtorë vlerësohen shumë nga punëdhënësit dhe mund të jenë të parët që punësohen dhe të fundit që pushohen.​​—⁠Efesianëve 4:​28.

Llogarit koston para se të blesh. Jezui tha: «Kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar atë?» (Luka 14:28) Megjithëse Jezui po tregonte se çdo të thoshte të bëheshe dishepull i tij, këto fjalë kuptohet që janë të vërteta edhe në kuptimin e mirëfilltë. Prandaj bëj një bilanc, pra një listë të gjërave që të duhen vërtet dhe sa kushtojnë.

Mos i ço dëm paratë me veset. Praktika të tilla si bixhozi, duhani dhe abuzimi me drogën dhe alkoolin janë të këqija në sytë e Perëndisë.​—⁠Proverbat 23:20, 21; Isaia 65:11; 2 Korintasve 7:1.

Mos ki «dashuri për para». (Hebrenjve 13:5) Dihet se ata që e duan paranë nuk e gjejnë lumturinë dhe zhgënjehen, domethënë ‘shpohen tejpërtej me shumë dhembje’. (1 Timoteut 6:9, 10) Për më tepër, bëhen skllevër të lakmisë së tyre, sepse nuk u mjafton asnjëherë ajo që kanë.​—Eklisiastiu 5:10.

Mëso të kënaqesh me atë që ke. «Asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» (1 Timoteut 6:7, 8) Ata që kënaqen me pak arrijnë ta shmangin ankthin e tepërt kur ekonomia merr të tatëpjetën. Kështu që mëso të jetosh e të kënaqesh me atë që ke.​—Shih kutinë djathtas.

Askush nga ne nuk e di se ç’do të sjellë e nesërmja. ‘Të gjithëve na rastis të kalojmë kohë të vështira dhe të përjetojmë ngjarje të paparashikuara’,​—thuhet tek Eklisiastiu 9:11. Prandaj të mençurit, nuk «i varin shpresat te pasuria e pasigurt, por te Perëndia», i cili u ka premtuar besnikëve të tij: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»​—1 Timoteut 6:​17; Hebrenjve 13:5.

A DONI TË DINI?

● Si përshkruhen në Bibël kohët tona?​—2 Timoteut 3:1-5.

● Ku mund të gjendet sot drejtim i besueshëm?​—Psalmi 19:7.

● Si mund t’i siguroj familjes sime një të ardhme të sigurt?​—Eklisiastiu 7:12.

[Kutia dhe figura në faqen 19]

SI TË KURSESH?

Kur bën pazarin: Bëj një listë. Mos bli asgjë që nuk ke planifikuar. Kërko çmimet më të mira. Përfito nga kuponat dhe uljet. Bliji gjërat që të duhen kur janë me ulje ose jashtë sezoni. Kur është e mundur, bli me shumicë.

Shpenzimet për shtëpinë: Paguaji faturat në kohë që të mos i paguash me kamatë. Gatuaj e ha në shtëpi dhe mos e tepro me ushqimin e alkoolin. Mos i mbaj ndezur kot dritat dhe pajisjet elektrike kur nuk duhen. Nëse është e mundur, përdor pajisje që nuk harxhojnë shumë energji. Izoloje mirë shtëpinë. Shqyrto nëse mund të marrësh një shtëpi më të vogël.

Transporti: Në rast se të duhet një makinë personale, bli një të fortë dhe që nuk harxhon shumë. Nuk është e thënë të jetë e re. Bëj një rrugë e dy punë dhe shfrytëzo rastin kur dikush tjetër del me makinë, në qoftë se është e mundur. Nëse jo, përdor transportin publik, bëje rrugën në këmbë ose hipi biçikletës. Shko me pushime kur çmimet janë të ulëta dhe ndoshta jo shumë larg shtëpisë.

Telefonat dhe zbavitja: A të duhet edhe telefoni i shtëpisë, edhe celulari? Nëse fëmijët kanë celularë, a mund t’i përdorin më rrallë ose të bëjnë pa ta? Nëse blen një paketë televizive, a mund t’i ulësh shpenzimet duke pakësuar numrin e kanaleve? *

[Shënimi]

^ par. 26 Për më shumë këshilla, shih artikujt «Si t’i përdorësh me mençuri paratë?» te revista Zgjohuni!, mars 2009, dhe «Të rinjtë pyesin . . . Si t’i mbaj nën kontroll shpenzimet?» te Zgjohuni!, qershor 2006.