Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të paguani për shërbimet fetare?

A duhet të paguani për shërbimet fetare?

Pikëpamja e Biblës

A duhet të paguani për shërbimet fetare?

NË SHUMË vende, udhëheqësit e feve jo të krishtere dhe të atyre që pohojnë se janë të krishtere, vendosin pagesa për shërbesat fetare. Këto shërbesa mund të përfshijnë pagëzime, dasma ose funerale. Pagesa mund të jetë qindra për të mos thënë mijëra dollarë.

Disa klerikë paguhen nga qeveria për detyrat ceremoniale e pastorale. Njerëzit mund të jenë mirënjohës për shërbesa të tilla dhe kishat kanë shpenzime që duhen paguar. Por a e miraton Bibla zakonin e pagesës për shërbesa fetare ose faktin që njerëzit ndihen të detyruar të paguajnë?

«Shtëpi tregtie»

Kur Jezu Krishti ishte në tokë, zyrtarët fetarë judenj dhe të tjerë i përdornin rastet fetare si mundësi përfitimi, sidomos gjatë Pashkëve. A e pa me sy të mirë Jezui këtë praktikë? Jo. Në fakt Bibla na thotë se «ua derdhi monedhat këmbyesve të parave dhe u përmbysi tryezat». Ai tha: «Mos e bëni më shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!»—Gjoni 2:14-16.

Një situatë e ngjashme ndodhi në kohën e profetit Mikea që jetoi në shekullin e tetë p.e.s. Siç tregon Bibla, udhëheqësve fetarë të Izraelit ‘u ngjallte neveri drejtësia’ dhe priftërinjtë ‘mësonin me pagesë’. E megjithatë pohonin se kishin miratimin e Perëndisë duke thënë: «A nuk është Jehovai mes nesh?» (Mikea 3:9, 11) Por Perëndia Jehova nuk e miratonte atë që po bënin. Përkundrazi, e urrente sjelljen e tyre dhe këtë e tregoi mjaft hapur me anë të profetit të tij.

Edhe sot shumë udhëheqës fetarë përdorin të njëjtat taktika lakmitare, dhe kështu i bëjnë vendet e tyre të adhurimit «shtëpi tregtie». Në fakt, organizatat fetare si një e tërë përfshihen në tregti e shpesh bëjnë biznese shumë fitimprurëse duke shitur ikona dhe sende të tjera të panumërta fetare. *1 Gjonit 5:21.

«Falas morët, falas jepni»

Kur u dha si detyrë apostujve të predikonin lajmin e mirë, të shëronin të sëmurët e madje të ringjallnin të vdekurit, Jezui tha: «Falas morët, falas jepni.» (Mateu 10:7, 8) Po, dishepujt e tij të vërtetë nuk duhej të kërkonin para për shërbimet e tyre. Për më tepër, vetë Jezui la shembullin duke u shërbyer të tjerëve pa ndonjë përfitim financiar.

Duke ndjekur shembullin e Jezuit, apostulli Pavël e kryente shërbimin «falas». (1 Korintasve 9:18) Kur i duheshin para, punonte si bërës tendash. (Veprat 18:1-3) Prandaj mund të thoshte për veten dhe shokët misionarë: «Nuk jemi shitës ambulantë të fjalës së Perëndisë, siç janë shumë njerëz.» (2 Korintasve 2:17) Por, ç’të themi për grumbullimin e fondeve që përdoren për kongregacionin, ndoshta për blerjen ose qiranë e vendit të adhurimit?

«Perëndia do një dhënës të gëzuar»

Sot Dëshmitarët e Jehovait grumbullojnë fonde që vijnë nga kontribute vullnetare. Ata zbatojnë parimin: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» (2 Korintasve 9:7) Për këtë arsye Dëshmitarët nuk kërkojnë para për literaturën ose për shërbesat fetare, si: pagëzimet, dasmat ose funeralet. Ata nuk kërkojnë të dhjetën dhe as kalojnë ndonjë pjatë për të mbledhur para në mbledhje. Ata që duan të kontribuojnë për veprën ndërkombëtare të predikimit, mund ta bëjnë këtë në kutitë e kontributeve që janë vendosur në vende që nuk bien në sy, në ambientet e tyre të adhurimit.

Anembanë botës, Dëshmitarët e Jehovait i financojnë me anë të kontributeve vullnetare Sallat e Mbretërisë, Sallat e Asambleve, zyrat e degëve, shtypshkronjat dhe ndihmat në raste katastrofash. Disa, ashtu si vejusha nevojtare që lavdëroi Jezui, mund të japin vetëm pak. (Luka 21:2) Të tjerë mund të japin shumë. Sidoqoftë, ata që u përmbahen parimeve të Biblës dhe japin sipas mundësisë, gëzojnë paqe të brendshme, bekimin e Perëndisë dhe lumturi të vërtetë.—Veprat 20:35; 2 Korintasve 8:12.

[Shënimi]

^ par. 8 Shih artikullin «Pikëpamja e Biblës: A duhet adhuruar Perëndia me shëmbëlltyra?» në revistën Zgjohuni! të gushtit 2008.

A DONI TË DINI?

● Çfarë u tha Jezui atyre që po bënin tregti në tempull?—Gjoni 2:14-16.

● A pranoi apostulli i krishterë Pavël të paguhej për shërbimet fetare?—2 Korintasve 2:17.

● Ç’lloj dhënieje e kënaq Jehovain?—2 Korintasve 9:7.

[Diçitura në faqen 23]

«Mos e bëni më shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!»—Gjoni 2:14-16