Ibisi tullac i veriut ndalohet të shtegtojë
Ibisi tullac i veriut ndalohet të shtegtojë
PESË pjesëtarët e një familjeje janë gati të nisin një rrugë të gjatë dhe miqtë kanë ardhur t’i përshëndetin. I hedhin një sy të fundit vendit ku kanë jetuar për një kohë të gjatë, pastaj nisen. Ndërsa miqtë i shikojnë, të pestë humbasin tutje në horizont.
Ndodhemi në Qendrën e Mbarështimit të Ibisit Tullac në Birixhik të Turqisë, qytet afër lumit Eufrat. Familja që sapo është nisur, është një grup ibisësh të veriut, lloj në zhdukje. Secili ka të ngjitur te kyçi i këmbës një gjurmues satelitor. Teksa zogjtë fluturojnë drejt një vendi të panjohur, miqtë, pra stafi i qendrës dhe vizitorët, i shikojnë gjithë merak se mos nuk do të kthehen më në shtëpi.
Ç’lloj zogu është ibisi tullac i veriut? Ku shtegton? Pse është me kaq interes shtegtimi i tij?
Njihu me mikun tonë me pupla
Kur ibisi tullac i veriut del nga veza, ka pupla në kokë. Por, ndërsa rritet, këto pupla i bien dhe prandaj quhet tullac. Në pjesën tjetër të trupit ka pupla të zeza që, nën rrezet e diellit, marrin reflekse nga e gjelbra si bronz në vjollcë. Përveç majës së kokës, lëkurën dhe sqepin i ka të kuqe. Gjithashtu, ibisi tullac ka pupla të gjata sipër kurrizit, në fund të qafës.
Ibisi bëhet i rritur pas tre ose katër vjetësh. Jetëgjatësia mesatare arrin nga 25 në 30 vjet. Ushqehet me insekte, hardhuca, madje edhe me gjitarë të vegjël. Femrat mund të bëjnë një deri në tri vezë në vit, të cilat i ngrohin për rreth katër javë. Këta zogj kanë një veçori të pazakontë: qëndrojnë në çift gjatë gjithë jetës. Kur njëri ngordh, tjetri vajton për humbjen e partnerit. Në fakt, shpesh
është parë se zogu i gjallë rri pa ngrënë deri në ngordhje, e madje hidhet nga një shkëmb i lartë që të ngordhë.Banorët e Birixhikut e dinë mirë se deri nga fundi i shekullit të 20-të, kthimi i ibisit nga shtegtimi ishte rast për të festuar. Ai shihej si lajmëtari i pranverës. Kur festonin në mes të shkurtit, anijet i nxirrnin nga lumi Eufrat, dhe kjo shoqërohej me tambure e aktivitete festive.
Në ato vite të hershme, tufat e ibisëve ishin kaq të shumta saqë dukeshin si një re e zezë gjigante. Por shekullin e kaluar, sidomos 50 vitet e fundit, numri ka rënë ndjeshëm. Dikur kishte 500 deri në 600 çifte që mbarështoheshin në koloninë e ibisëve të Birixhikut, por me hyrjen e pesticideve në bujqësi gjatë viteve 50, popullsia e tyre mori një goditje të rëndë. Sot në mbarë globin kanë mbetur fare pak.
Përpjekje për t’i ruajtur në Turqi
Qendra e Mbarështimit të Ibisit Tullac u themelua në Birixhik më 1977-n. Zogjtë lejoheshin të shtegtonin çdo vit deri më 1990-n kur vetëm njëri u kthye. Pas kësaj, atyre iu ndalua shtegtimi. Në kohën kur fillonte shtegtimi, në muajt korrik-gusht, stafi i punëtorëve i fuste nëpër kafaze të mëdha. Zogjtë liroheshin në shkurt ose mars të vitit tjetër, kur vinte koha e kthimit nga shtegtimi.
Më 1997 u vendos t’i linin për një shtegtim. Mjerisht, asnjë nga 25 zogjtë që ikën, nuk u kthyen kurrë. Nga viti 1998 e më tej, të gjithë zogjtë vazhdonin t’i mbanin mbyllur në kafaze që të mos shtegtonin. Megjithatë ajo koloni lulëzon. Tani në qendrën e mbarështimit ka rreth njëqind zogj.
E ardhmja e ibisit tullac të veriut
Është për të ardhur keq që u kthyen vetëm dy pjesëtarë të familjes me pesë zogj, të përmendur në fillim të artikullit. Më vonë, në vitin 2008, u lejua të shtegtonte edhe një grup tjetër. Por sa keq që as ata nuk ia dolën të ktheheshin. Autoritetet raportojnë se zogjtë arritën deri në Jordani, por ngordhën nga helmimi. Kjo do të thotë se e ardhmja e ibisit është ende në rrezik, me gjithë rritjen e popullsisë në qendrën e mbarështimit dhe me gjithë përpjekjet e shkencëtarëve e të autoriteteve qeveritare.
Ndonëse e izolojnë për ta mbrojtur, ibisi tullac nuk i harron instinktet e shtegtimit, siç kanë treguar përpjekjet e kohëve të fundit. Kjo vërteton fjalët e Biblës që i gjejmë te Jeremia 8:7: «Edhe lejleku në qiej i di mirë kohët e tij dhe turtulli, dejka e bilbili bishtgjatë kthehen secili tamam në kohën e vet.»
[Burimet e figurave në faqen 10]
Majtas: Richard Bartz; djathtas: © PREAU Louis-Marie/age fotostock