Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një «rrip i hekurt» nga deti në det

Një «rrip i hekurt» nga deti në det

Një «rrip i hekurt» nga deti në det

RRETH 150 vjet më parë pjesa më e madhe e Kanadasë, vendit të dytë në botë për nga madhësia, ishte territor i paeksploruar. Historiani Pjer Berton shpjegon se «tre të katërtat e popullsisë jetonte disi e izoluar në ferma» dhe për shkak të gjendjes së rrugëve «ishte gati e pamundur të udhëtoje në vende të largëta». Edhe udhëtimi në liqene dhe lumenj nuk të jepte shumë dorë, sepse për pesë muaj në vit ishin të ngrirë.

Duke parë këto vështirësi, në vitin 1871 kryeministri, sër Xhon A. Mekdonaldi, propozoi një hekurudhë që do të lidhte bregun Atlantik me bregun Paqësor të Kanadasë. Një hekurudhë e tillë në Shtetet e Bashkuara kishte përfunduar në vitin 1869, por Kanadaja nuk ishte aq e pasur, kishte një distancë më të gjatë për të mbuluar dhe popullsia ishte sa 10 për qind e Shteteve të Bashkuara. Një udhëheqës politik kanadez e quajti projektin e propozuar «një nga marrëzitë më të mëdha që mund të imagjinohej». Një tjetër duke u tallur tha se, pas kësaj, kryeministri do të propozonte ndonjë hekurudhë për në hënë.

Një propozim i kushtueshëm

Megjithatë, qeveria premtoi se do ta mbaronte hekurudhën për dhjetë vjet. Sendford Flemingu, një inxhinier skocez hekurudhash llogariti se hekurudha do të kushtonte rreth 100 milionë dollarë, goxha shumë për ato ditë. Megjithëse shtrimi i një pjese të shinave në territorin e Shteteve të Bashkuara do ta shkurtonte dhe thjeshtonte rrugën, Mekdonaldi këmbënguli që hekurudha të shtrihej vetëm brenda për brenda Kanadasë për të mbrojtur interesat e saj në rast lufte.

Shumë investitorë nuk donin të përfshiheshin në këtë aventurë të kushtueshme dhe të rrezikshme. Megjithatë puna filloi në vitin 1875 kur Hekurudha Kanadeze e Paqësorit (HKP) hodhi lopatën e parë të dheut në linjën kryesore. Dhjetë vjet më vonë projekti rrezikonte të paralizohej. Një borxhi prej 400.000 dollarësh, që HKP-ja nuk mund ta lante, i mbaronte afati më 10 korrik, në orën 3 të pasdites. Por në orën 2 të asaj dite, Parlamenti Kanadez më në fund ra dakord të merrte më shumë hua, dhe kështu projekti vazhdoi.

Peripeci gjatë ndërtimit

Ndërsa shtronin traversat në veri të Ontarios, punëtorët zbuluan se rreth 30 centimetra nën sipërfaqe kishte shkëmb të fortë. Kështu duhej të bartnin dhé nga shumë larg. Në Kanadanë Qendrore temperaturat në dimër ranë shumë shpejt në minus 47 gradë celsius, dhe kjo krijoi mjaft probleme për ndërtimin. Përveç kësaj, reshjet e përvitshme të dëborës arrinin mesatarisht në qindra centimetra. Shinat në Malet Shkëmbore, në perëndim, u quajt vendi «ku vdekja të vjen pa lajmëruar». Duheshin ndërtuar shumë tunele dhe ura. Norma ishte dhjetë orë punë në ditë, pavarësisht nga shiu, balta dhe dëbora.

Më në fund, më 7 nëntor 1885, u ngul pa shumë bujë pyka e fundit në Igëll-Pas në Kolumbinë Britanike, në perëndim. Stacioni u quajt «Kragelaki», sipas një vend takimi publik në Skoci që është bërë simbol kryengritjesh të guximshme në kohë vështirësish. Kur e ftuan të mbante një fjalim, administratori i përgjithshëm i HKP-së tha shkurt: «Mund të them vetëm se është bërë një punë e mirë në çdo drejtim.»

Ndikimi te populli

Mijëra punëtorë kinezë që u sollën në vend për projektin, u siguruan se do të kishin punë të qëndrueshme në hekurudhë. Shpesh puna ishte e rrezikshme, sidomos në Malet Shkëmbore. Vetëm disa vjet pasi u ngul gozhda e fundit shumë punëtorë kinezë arritën të mblidhnin paratë për t’u kthyer në shtëpi.

Me ndërtimin e hekurudhës, industria dhe tregtia u përqendruan në perëndim, dhe kjo mjerisht ndikoi në mënyrën e zakonshme të jetesës. U ngritën qytete të vogla e të mëdha dhe disa popuj vendës i transferuan për të jetuar në rezervate. Bizneset e vogla përgjatë rrugëve të mëparshme tregtare, si për shembull tavernat, u mbyllën. Por kishte edhe anë të mira. Thuhet se treni «e çliroi shoqërinë nga skllavëria e dheut dhe e baltës», si edhe «nga skllavëria e dimrit». Për më tepër, ushqimet që vinin nga Lindja në Bregun Paqësor të Kanadasë arrinin në qytetet në lindje vetëm disa ditë më vonë.

Megjithëse trenat vazhdojnë të luajnë një rol të madh në transportin e mallrave mes për mes Kanadasë, automobilat, rrugët e asfaltuara dhe aeroplanët kanë bërë që numri i pasagjerëve në trena të bjerë. Prapëseprapë, shumë njerëzve u pëlqen të ikin nga jeta e zhurmshme e shekullit të 21-të duke soditur mbi një tren të rehatshëm peizazhin e bukur nga Toronto në Vankuver. Në vend që ta përshpejtojë ritmin e jetës, si njëherë e një kohë, treni u jep mundësi pasagjerëve të çlodhen dhe të mendojnë për historinë interesante të hekurudhës ndërsa udhëtojnë nga deti në det përgjatë «rripit të hekurt» të Kanadasë.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

PËRHAPIM SHPRESËN TONË PËRGJATË «RRIPIT TË HEKURT»

Hekurudha mbetet mënyra kryesore për të shkuar në disa komunitete kanadeze, prandaj Dëshmitarët e Jehovait e përdorin për të çuar në zona të izoluara mesazhin e Biblës për Mbretërinë e Perëndisë. (Isaia 9:6, 7; Mateu 6:9, 10) «Është e lehtë të bisedosh për Biblën në tren,—shpjegojnë Dëshmitarët,—sepse njerëzit bëhen kuriozë dhe na pyesin se ku po shkojmë dhe pse.»

Për udhëtimin me tren drejt një rezervati Ojibua afër Liqenit Nipigon në veri të Ontarios, një Dëshmitar thotë: «Megjithëse peizazhi dhe kafshët e egra ishin mahnitëse, ajo që kujtojmë me më shumë nostalgji janë njerëzit që takuam. Ngaqë nuk shkojnë shumë vizitorë, vajtja jonë atje nxiti mjaft kureshtje. Disa na dhanë hua kanoet dhe na lanë të përdornim shkollën e tyre falas. Pasi predikuam gjatë gjithë ditës, disa nga komuniteti u mblodhën të shihnin një video për veprën tonë mbarëbotërore të predikimit.»

[Figura në faqen 16]

Sër Xhon A. Mekdonaldi

[Figura në faqen 17]

Ndërtimi i hekurudhës ishte i vështirë

[Figurat në faqen 17]

U desh të ndërtoheshin shumë ura dhe tunele përmes maleve

[Figura në faqen 17]

Pyka e fundit shënoi përfundimin e hekurudhës ndërkontinentale të Kanadasë

[Figura në faqen 18]

Udhëtim në «rripin e hekurt» sot

[Burimet e figurave në faqen 16]

Sipër: Hekurudha Kanadeze e Paqësorit (A17566); në mes: Biblioteka dhe Arkivi i Kanadasë/C-006513

[Burimet e figurave në faqen 17]

Sipër, nga e majta në të djathtë: Hekurudha Kanadeze e Paqësorit (NS13561-2); Hekurudha Kanadeze e Paqësorit (NS7865); Biblioteka dhe Arkivi i Kanadasë/PA-066576; poshtë: Hekurudha Kanadeze e Paqësorit (NS1960)

[Burimet e figurave në faqen 18]

Sipër: Kompania Kombëtare Hekurudhore e Kanadasë; djathtas: me mirësjellje nga VIA Rail Canada Inc.