Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Në janar 2009, tetë shtete zotëronin gjithsej më shumë se 23 300 armë bërthamore.»—INSTITUTI NDËRKOMBËTAR I KËRKIMEVE PËR PAQE NË STOKHOLM, SUEDI.
Në Afrikë dhjetëra mijë shpime nëntokë, puse dhe pompa—që kohët e fundit janë ndërtuar me ndihmën e vendeve të huaja—kanë nevojë për riparime, «për një arsye të thjeshtë dhe të shmangshme: mungesa e mirëmbajtjes».—INSTITUTI NDËRKOMBËTAR PËR MJEDISIN DHE ZHVILLIMIN, BRITANI.
Shkencëtarët ekzaminojnë një mamuth foshnjë
Shkencëtarët rusë kanë parë me hollësi organet e brendshme të një mamuthi. Kafsha, që kur ngordhi ishte tre ose katër vjeçe, u gjet e paprekur në rajonin e akullt të Jemalo-Nenetsit në zonën arktike të Rusisë. Aleksei Tikonovi, zëvendësdrejtor i Akademisë Ruse të Institutit të Shkencës së Zoologjisë, thotë: «Ky është lloji më i paprishur jo vetëm i mamuthëve, por i të gjitha kafshëve të periudhës parahistorike.» Tomografia e kompjuterizuar, e ngjashme me atë që përdoret për të ekzaminuar njerëzit, tregoi se nuk kishte asnjë dëmtim. Ngaqë rrugët e frymëmarrjes dhe sistemi tretës i mamuthit ishin «të bllokuar» me sa duket me lym, shkencëtarët arritën në përfundimin se kafsha «duhet të jetë mbytur».
Divorc ekspres
Gazeta El Universal raporton se kohët e fundit në qytetin e Meksikos është bërë shumë më e lehtë të divorcohesh. Në vitin 2008, u hoqën nga kodi ligjor 21 arsyet për t’u divorcuar, si jobesnikëria, dhuna etj. Tani gjithçka që duhet të bëjë personi është të depozitojë rreth 260 euro në llogarinë bankare të një zyre ligjore, si edhe t’i dërgojë gjykatës me anë të internetit një kërkesë të firmosur ku të thotë se ai ose ajo nuk e dashuron më bashkëshortin. Nuk ka pse të provohet asgjë para gjykatësit. Tani duhen vetëm dy deri në katër muaj për t’u divorcuar, ndryshe nga sistemi i mëparshëm kur divorci zgjaste për vite. Për kujdestarinë e fëmijëve, detyrimin ushqimor, ndarjen e pasurisë dhe çështje të tjera, vendoset më vonë.
Kolibri—‘Më i shpejtë se aeroplanët luftarakë’
Një studiues në Universitetin e Kalifornisë në Barkli, SH.B.A, thotë se shpejtësia e kolibrit është më e madhe se e avionit luftarak kur zbret vrik. Kjo llogaritje bëhet duke pasur parasysh sa gjatësi trupore përshkon secili në sekondë. Kristofer Klarku filmoi ritualet e çiftimit të kolibrave. Ai vëzhgoi meshkujt e familjes Ana ndërsa zhyteshin fluturimthi për t’u bërë përshtypje femrave dhe llogariti se «akrobati me pupla arrin shpejtësinë pothuajse 400 gjatësi trupore në sekondë». Klarku thotë se kjo shpejtësi është «shumë më e madhe se e një aeroplani luftarak» në shpejtësi maksimale. Kur frenon në fund të fluturimit vertikal, zogu ushtron një forcë dhjetë herë më të madhe se forca e gravitetit—më tepër se ç’mund të durojnë pilotët e avionëve luftarakë pa u rënë të fikët.