Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Osteoporoza​—Sëmundje e heshtur

Osteoporoza​—Sëmundje e heshtur

Osteoporoza​—Sëmundje e heshtur

Ana, 19 vjeçe, po shërohej nga çrregullimet në të ngrënë që ia kishte shkaktuar anoreksia nervore. Papritur u rrëzua dhe pësoi dhembje shpine të padurueshme. Kishte thyer dy rruaza lumbale dhe ishte shkurtuar 5 centimetra. Shkaktarja ishte osteoporoza.

OSTEOPOROZË fjalë për fjalë do të thotë «kockë poroze». Quhet sëmundje e heshtur sepse shpesh nuk jep simptoma të pakësimit sasior të masës së kockave, derisa kocka dobësohet kaq shumë sa thyhet vetëm nga një ndrydhje, goditje ose rrëzim i papritur. Këto thyerje ndodhin kryesisht në pjesën e legenit, në brinjë, rruaza dhe kyçe. Njerëzit zakonisht mendojnë se osteoporoza prek kryesisht gratë e moshuara e me shëndet të dobët. Por, siç tregon rasti i Anës, osteoporoza mund të prekë edhe të rinjtë.

Kërcënim i rëndë për shëndetin

Fondacioni Ndërkombëtar për Osteoporozën raporton se «në Bashkimin Evropian, dikush pëson thyerje nga osteoporoza çdo 30 sekonda». Në Shtetet e Bashkuara, 10 milionë njerëz vuajnë nga osteoporoza dhe 34 milionë të tjerë rrezikojnë për shkak të pakësimit të masës kockore. Përveç kësaj, Institutet Kombëtare të Shëndetit në SHBA tregojnë se «një në dy gra dhe një në katër burra të moshës 50-vjeçare e lart pësojnë krisje a thyerje nga osteoporoza». Dhe këto shifra nuk po ndryshojnë për mirë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në buletinin e saj thotë se numri i thyerjeve nga osteoporoza pritet të dyfishohet 50 vitet e ardhshme në mbarë botën. Ky parashikim ndoshta vjen duke pasur parasysh rritjen e popullsisë së moshuar në të ardhmen. Sidoqoftë pasojat janë frikësuese. Një përqindje e madhe paralizohen, madje vdesin nga osteoporoza. Pothuajse 25 për qind e pacientëve 50 vjeç e sipër që pësojnë thyerje të legenit, vdesin si pasojë e ndërlikimeve mjekësore brenda një viti pas thyerjes.

A rrezikon edhe ti?

Studimet e kohëve të fundit tregojnë se një faktor i rëndësishëm është trashëgimia. Kur prindërit kanë pësuar thyerje legeni, rreziku që mund të pësojnë të njëjtën gjë edhe fëmijët, mund të jetë i dyfishtë. Një rrezik tjetër është kequshqyerja e fetusit, që shkakton rënie të dendësisë kockore gjatë fëmijërisë. Kurse faktor tjetër është mosha. Në përgjithësi, sa më i moshuar të jetë njeriu, aq më të brishta bëhen kockat. Edhe disa sëmundje, si sëmundja Kushing, diabeti dhe hipertireoza mund të të bëjnë më të prirur për osteoporozë.

Menopauza te gratë sjell ulje të estrogjeneve që mbrojnë masën kockore. Kjo është arsyeja pse gratë vuajnë nga osteoporoza gati katër herë më shumë sesa burrat. Kur gratë heqin vezoret, nuk prodhohet estrogjen mjaftueshëm, dhe kjo mund të çojë në menopauzë të parakohshme.

Shkaktarët e osteoporozës që njeriu i ka vetë në dorë, janë ushqimi dhe mënyra e jetesës. Mungesa e kalciumit dhe e vitaminës D në ushqime mund të sjellë dobësimin e kockës. Teprimi me përdorimin e kripës e rrit rrezikun, pasi ajo shton nxjerrjen e kalciumit nga trupi. Edhe teprimi me alkoolin, që shpesh kombinohet me kequshqyerje, sjell pakësimin e masës kockore.

Siç u tha në fillim, Ana arriti në osteoporozë nga çrregullimet në të ngrënë. Ky çrregullim kishte çuar në mangësi të vlerave ushqyese, rënie në peshë e madje mungesë menstruacionesh. Si pasojë trupi i saj nuk prodhonte estrogjene, dhe kjo çoi në dobësim të kockave.

Një shkaktar tjetër i osteoporozës është mungesa e veprimtarisë fizike. Edhe duhani është i dëmshëm, pasi ai pakëson dendësinë e mineraleve në kockë. Sipas OBSH-së, rreth 1 në 8 raste të thyerjeve të legenit vjen nga duhani. Megjithatë, studimet tregojnë se kur dikush e lë duhanin, rreziku për pakësimin e masës kockore dhe për thyerje, ulet.

Parandalimi i osteoporozës

Themeli për parandalimin e osteoporozës hidhet në fëmijëri dhe në adoleshencë. Këto janë vitet kur formohet 90 për qind e masës kockore. Kalciumi, përbërës themelor për një strukturë të fortë skeletore, gjendet kryesisht në kocka. Disa nga burimet kryesore të kalciumit janë qumështi dhe bulmetrat, si kosi dhe djathi; sardelet dhe salmoni i konservuar (që hahen me gjithë hala); bajamet; qulli i tërshërës; farat e susamit; djathi i sojës (tofu) dhe perimet me gjethe jeshile të errët.

Që trupi ta përvetësojë kalciumin, vitamina D luan rol të rëndësishëm. Kjo vitaminë prodhohet në lëkurë kur ekspozohemi në diell. Manuel-Mirasu Ortega, mjek i mjekësisë së brendshme dhe anëtar i Shoqatës Meksikane për Metabolizmin e Kockave dhe Mineraleve, shpjegon: «Marrja e rrezeve për dhjetë minuta në ditë ndihmon që të parandalohet osteoporoza, pasi kështu sigurohen rreth 600 njësi [UI] të vitaminës D.» Kjo vitaminë mund të gjendet gjithashtu në disa ushqime, si tek e verdha e vezës, peshku i ujërave të kripura dhe mëlçia.

Theksimi i rëndësisë së fizkulturës në parandalimin e osteoporozës nuk është asnjëherë i tepërt. Gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, fizkultura ndihmon për të shtuar masën kockore dhe në moshat e mëdha ndihmon kundër pakësimit të masës kockore. Më të këshilluarat janë ushtrimet për mbajtjen e peshës së trupit dhe ato të rezistencës, në të cilat muskujt punojnë kundër forcës së gravitetit ose forcave të tjera, pa u mëshuar tepër kockave ose kyçeve. Ecja, ngjitja e shkallëve e madje kërcimi janë të lehta, por edhe të efektshme si ushtrime për mbajtjen e peshës së trupit. *

Sigurisht parandalimi mund të ndihmojë shumë për të sulmuar këtë sëmundje të heshtur. Siç e kemi parë, kjo do të thotë të hash ushqimet e duhura dhe të bësh një jetë aktive, pasi ato ruajnë dendësinë e kockës dhe e forcojnë. Është e vërtetë se për shumë njerëz që bëjnë një jetë sedentare, është shumë e vështirë të ndryshojnë stil jetese. Por sa dobi kanë ata që përpiqen të ndryshojnë! Ndër të tjera, mund të mos radhiten mes miliona vetave në mbarë botën që vuajnë nga osteoporoza.

[Shënimi]

^ par. 16 Teprimi me ushtrimet, deri në pikën që grave t’u ikin menstruacionet, mund të çojë në kocka të brishta nga mungesa e estrogjenit. Këshillohet që gratë mbi 65 vjeçe të bëjnë analizat e dendësisë së kockës për të përcaktuar nëse kanë probleme me pakësimin e masës kockore dhe sa i rëndë është problemi. Nëse është i rëndë, mund të merren ilaçe për të parandaluar ose kuruar osteoporozën. Megjithatë duhen shqyrtuar si rreziqet, ashtu edhe dobitë e kurës para se ajo të fillohet.

[Diçitura në faqen 21]

Parandalim do të thotë të hash ushqimet e duhura dhe të bësh një jetë aktive për të ruajtur dendësinë e kockës dhe për ta forcuar më shumë

[Kutia dhe figurat në faqen 19]

Osteoporoza është një gjendje e kockës që karakterizohet nga dendësia e ulët e kockës dhe nga dobësimi i saj. Ajo bën që kocka të jetë e brishtë dhe të thyhet lehtë. Mund të diagnostikohet me anë të skanimit me rrezatim të ulët, që mat dendësinë e mineraleve në kockë.

[Figurat]

Kockë e shëndetshme

Osteoporozë

[Burimi]

© BSIP/Photo Researchers, Inc.

[Figura në faqen 20]

Ushtrimet për mbajtjen e peshës së trupit dhe ato të rezistencës ndihmojnë për të parandaluar pakësimin e masës kockore

[Figurat në faqen 20]

Bajamet dhe bulmetrat janë burim i shkëlqyer kalciumi