Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse hoqa dorë nga një karrierë fitimprurëse?

Pse hoqa dorë nga një karrierë fitimprurëse?

Pse hoqa dorë nga një karrierë fitimprurëse?

Treguar nga Marta-Teresa Markesi

GJITHMONË më ka pëlqyer shumë të këndoj, edhe kur këndoja në radio si fëmijë. Pas kopshtit nuk bëra asnjë vit shkollë, por më vonë mora leksione për kanto në qytetin e Meksikos, nën kujdesin e dirigjentit të orkestrës simfonike të vendit.

Më 1969, kur isha 24 vjeçe, një shoqe kërcimtare më ftoi të bëja prova në bar-restorantin e famshëm «La rampa asul». Këndova të famshmen Kukurrukuku Paloma nga kompozitori meksikan Tomas Mendesi, dhe të pranishmëve u pëlqeu. Ky ishte pikërisht fillimi i karrierës sime si profesioniste. Këndoja si soliste dhe përdorja emrin Romelja Romel.

Punova me Tomas Mendesin si dhe me kompozitorë e këngëtarë meksikanë të talentuar, si Kuko Sançesi dhe Huan Gabrieli. Ishte emocionuese të shihja emrin tim të reklamuar në rrugë dhe nëpër gazeta e revista. Këndoja në klube nate, në radio dhe në turne nëpër Meksikë dhe Belize. Punova edhe me humoristen e famshme meksikane Leonorilda Oçoa, kur shfaqja e saj televizive ishte në hapat e parë në Meksikë.

Me kalimin e kohës, fitova njëfarë fame dhe merrja shumë para. Kisha gjëra të shtrenjta, si xhevahire, pallto me gëzof të çmueshëm dhe një apartament luksoz. Megjithëse dukej sikur nuk më mungonte asgjë, nuk isha e lumtur. Ndihesha bosh. Isha rritur si katolike, por më vinte turp të shkoja në kishë. Më dukej vetja tepër e ndotur ngaqë bëja jetë imorale.

Si më lindi dashuria për Jehovain?

Teksa bëja provat për regjistrimin e parë, i hapa zemrën një shoqeje që këndonte muzikë rançera, Lorena Uongut. I thashë se doja të bëhesha murgeshë e të ndihmoja të varfrit. «Murgeshë? Ti s’je në vete!»—më bërtiti.

—A e di emrin e Perëndisë?—më pyeti.

—Zotëria Jezu Krisht,—iu përgjigja.

—Jo, emri i tij është Jehova. Jezui është i biri,—më tha.

«Jehova?»—pyeta. S’e kisha dëgjuar kurrë këtë emër. Lorena më dha një Bibël dhe më premtoi se do t’i thoshte mësuesit të saj të më vinte për vizitë. Ai ishte Dëshmitar i Jehovait. *

Sa herë e shihja Lorenën e pyesja: «Kur do i thuash mësuesit të vijë?» Doja të mësoja më shumë për Perëndinë.

Ndërkohë fillova të lexoja Biblën dhe pashë se Perëndia vërtet quhej Jehova. (Psalmi 83:18) Mbeta pa fjalë. Rastësisht lexova edhe Dhjetë Urdhërimet dhe u trondita nga urdhërimi: «Mos kryej kurorëshkelje.» (Dalja 20:14) Në atë kohë jetoja me një burrë të martuar që ishte babai i djalit tim tetëmuajsh, fëmija im i dytë. Tashmë kisha një djalë të vogël me një burrë tjetër, me të cilin nuk isha martuar.

Një ditë, ndërsa po bëja prova për një shfaqje të re, dëgjova të trokitura në derën e apartamentit tim luksoz. Ishte mësuesi i Lorenës, Maurisio Linaresi, me të shoqen. Më treguan qëllimin e Perëndisë për njerëzimin dhe më dhanë librin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. * E përpiva brenda një nate, edhe pse kishte fjalë që nuk i kuptoja. Ky ishte momenti kur më lindi dashuria për Jehovain.

Ndryshoj mënyrën e jetesës

Ndërsa Dëshmitarët më ndihmonin të studioja Biblën dhe të përmirësoja leximin, kuptova se duhej të bëja ndryshime në jetë që t’i pëlqeja Jehovait. Fillova të hidhja shëmbëlltyrat, medaljet dhe hajmalitë, edhe pse ishin prej floriri.

E kisha sidomos të vështirë të lija duhanin dhe pirjen me tepri. Më çonte goja lëng kur kaloja pranë ndonjë dyqani pijesh alkoolike. M’u desh ta ndërpritja shoqërinë me të gjithë miqtë, sepse më ftonin për të ngrënë e për të pirë me tepri në restorante luksoze. Isha e sigurt se kështu do ta teproja me alkoolin.

Gjithashtu e kisha të vështirë të mos shkoja më në festat e të pasurve e të famshëmve. Kur një boksier i njohur nga Kuba më ftoi në ditëlindjen e tij, u luta: «Është hera e fundit, o Jehova. Nuk do të shkoj më kurrë në këto raste e as do të përfshihem më në sjellje që ty s’të pëlqejnë.» Dhe e mbajta fjalën.

I dhashë fund lidhjes me babanë e djalit të dytë. Këtë e bëra pavarësisht nga pasuria e tij e madhe dhe gjërat që premtonte se do të më jepte po të mos e lija. E kisha shumë të vështirë, pasi isha e dashuruar me të dhe ai e dinte këtë. Gjithë krenari më tha: «Unë jam Perëndia yt! Unë jam Krishti yt!»

«Mund të kesh qenë dikur,—iu përgjigja,—por tani është Jehovai Perëndia im.» Më kërcënoi se do të ma merrte djalin që kishim bashkë dhe se do të më dëmtonte fizikisht.

Në atë kohë, disa më thoshin se këndimi ishte një punë si gjithë të tjerat, se mund të isha edhe Dëshmitare, edhe këngëtare. Por të tjerë më kujtonin: «Nuk do të kesh ndonjë gardh mbrojtës ndaj duhanit, pijes dhe propozimeve imorale të admiruesve.» E kuptova sa fjalë të mençura ishin këto të fundit.

Kur isha këngëtare e famshme, njerëzit më korruptonin për qëllimet e tyre. Isha e vendosur t’i shkëputja fare lidhjet me atë botë që të mos kisha më tundime të tilla. Kështu në vitin 1975, e prisha kontratën për një turne në Kinë dhe gjashtë muaj më vonë u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait.

Vështirësitë dhe gëzimet

Si do të jetonim unë dhe familja ime tani? Nuk kisha bërë shkollë dhe nuk dija gjë tjetër veçse të këndoja. Nga unë vareshin motra e madhe, Irma, bashkë me tre fëmijët, si dhe dy djemtë e mi të vegjël. Na u desh të largoheshim nga apartamenti im luksoz në një shtëpi me dy dhoma të vogla. Ishte vërtet e vështirë të jetoja pa gjë, ndërkohë që më parë kisha gjithçka. Edhe pse motra dhe fëmijët për një farë kohe më qortuan dhe më bënë presion të vazhdoja si këngëtare, isha e vendosur të bëja gjithçka duhej që t’i shërbeja Jehovait.

Për të jetuar nisa të shisja gjërat me vlerë, si xhevahiret, palltot prej gëzofi dhe makinën. Por një ditë ato para mbaruan. Që t’u shpëtonim kërcënimeve të babait të djalit të dytë e që të mos na gjente dot, në vitin 1981 shkuam të jetonim në anën tjetër të vendit.

Atje Dëshmitarët më mësuan të bëja tamale (lloj gatimi me mish e me miell misri), petulla dhe ushqime të tjera që t’i shisja. Më vonë fillova punë në fabrikë, ku punoja natën. Por kjo më pengonte të shkoja në mbledhjet e krishtere e t’i shërbeja Perëndisë. Prandaj e lashë punën dhe nisa të bëja tamale në shtëpi. I futja në shporta e i shisja në rrugë. Kështu kam siguruar jetesën time në shërbimin e plotkohor.

Nuk jam penduar kurrë

Kur njerëzit më pyesin si ndihem që lashë karrierën premtuese si këngëtare, i them se nuk do i këmbeja me asgjë njohurinë për Jehovain dhe kuptueshmërinë për qëllimet e tij të mrekullueshme. Ka qenë kënaqësi të shikoj djemtë të përparojnë në njohurinë biblike, t’ia kushtojnë jetën Jehovait dhe të martohen me bashkëbesimtare. Me bashkëpunimin e grave po rritin fëmijë që t’i shërbejnë Perëndisë tonë, Jehovait.

Për rreth tri dekada kam shërbyer si pioniere, siç i quajnë Dëshmitarët e Jehovait ata që predikojnë në kohë të plotë. Me ndihmën e Perëndisë kam ndihmuar shumë e shumë njerëz, përfshirë Irmën dhe vajzën e saj, të mësojnë të vërtetat biblike dhe t’ia kushtojnë jetën Perëndisë. Është një kënaqësi e madhe të mblidhem me këta njerëz që i kam si fëmijët e mi, e t’i shoh të ecin ende në të vërtetën. Tani mjaft prej tyre shërbejnë si pionierë. (3 Gjonit 4) Sot, në moshën 64-vjeçare, drejtoj 18 studime biblike.

Boshllëku shpirtëror që ndieja në rininë time si këngëtare është mbushur dhe dëshira për të ndihmuar të tjerët është plotësuar duke iu bindur urdhrit të Jezuit: «Shkoni dhe bëni dishepuj.» (Mateu 28:19, 20) Sa mirënjohëse i jam Jehovait që më ka mbështetur gjithë këto vite dhe ende më mbështet! Vërtet kam ‘provuar dhe shijuar se sa i mirë është’.—Psalmi 34:8.

[Shënimet]

^ par. 12 Lorena Uongu më vonë u bë Dëshmitare e Jehovait.

^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

[Figura në faqen 25]

Me djemtë e gratë e tyre dhe me motrën time me të cilën vazhdoj të shërbej si pioniere

[Figura në faqen 26]

Për të mbajtur veten ndërsa shërbej në kohë të plotë, vazhdoj të bëj «tamale» dhe t’i shes në rrugë