Pse të kujdesem për shëndetin?
Të rinjtë pyesin
Pse të kujdesem për shëndetin?
Vër një ✔ përbri çdo synimi që kërkon të arrish.
◯ Të bie në peshë
◯ Të kem pamje më të shëndetshme
◯ Të jem më energjik
◯ Të jem më i vëmendshëm
◯ Të pakësoj ankthin
◯ Të mbaj nën kontroll zemërimin
◯ Të kem më shumë besim te vetja
KUR je i ri, disa gjëra në jetë nuk mund t’i zgjedhësh, për shembull, prindërit, motrat, vëllezërit dhe shtëpinë. Por me shëndetin ndryshon puna. Do të jesh apo jo në gjendje të mirë fizike, mund të varet nga trashëgimia dhe mënyra e jetesës që ti zgjedh. *
Por ti mund të thuash: «Jam shumë i ri për t’u shqetësuar për shëndetin.» Vërtet mendon kështu? Shihe pak listën e synimeve më sipër. Sa prej tyre shënove? E beson apo jo, shëndeti i mirë është tepër i rëndësishëm për të arritur secilin prej tyre.
Ndoshta edhe ti je si Amberi * 17-vjeçare që thotë: «Ishte e pamundur të haja vetëm drithëra të shëndetshme dhe ushqime pa yndyrë e pa sheqer.» Nëse ndihesh edhe ti kështu, mos u shqetëso. Nuk ke pse të bëhesh e fiksuar pas trupit, t’i lësh fare ëmbëlsirat ose të vraposh për kilometra të tërë çdo javë. Në të vërtetë mund të të duhen vetëm disa rregullime të vogla që të fillosh të dukesh mirë, të ndihesh për mrekulli e të jesh në formë. Le të shohim se si ia kanë dalë disa moshatarë të tu.
Ha si duhet dhe do të dukesh më mirë
Bibla këshillon të hamë me masë. «Mos . . . u dend me ushqim»,—thuhet te Proverbat 23:20. (Contemporary English Version) Nuk është gjithmonë e lehtë t’ia vësh veshin kësaj këshille.
● «Ashtu si shumë adoleshentë, jam gjithmonë i uritur. Prindërit thonë se mua nuk më mjaftojnë as shtatë furra bukë.»—Andrea, 15 vjeç.
● «Ngaqë nuk e kuptoj tamam sa më dëmtojnë disa ushqime,
nuk më duket aq problem po t’i ha.»—Daniela, 19 vjeçe.A ke nevojë të ushtrosh më shumë vetëkontroll kur bëhet fjalë për ushqimet? Më poshtë moshatarët e tu tregojnë se çfarë i ndihmon.
Vërja veshin stomakut. «Më përpara numëroja kaloritë,—thotë Xhulia 19-vjeçare,—por tani nuk e teproj kur ngopem. Thjesht çohem nga tavolina.»
Mos ha ushqime jo të shëndetshme. «Vetëm duke lënë pijet me gaz,—thotë Piteri 21 vjeç,—humba 5 kilogramë brenda një muaji.»
Hiq zakonet e këqija në të ngrënë. «Përpiqem të mos e mbush pjatën për së dyti»,—thotë Erina 19-vjeçare.
Sekreti i suksesit: Mos lër asnjë vakt pa ngrënë! Nëse lë ndonjë, do të të grijë uria dhe mund ta teprosh vaktin pasues.
Bëj më shumë fizkulturë dhe ke për t’u ndjerë më mirë
Bibla thotë: «Stërvitja e trupit është e dobishme.» (1 Timoteut 4:8) Megjithatë, mjaft të rinj nuk duken se e kanë shumë qejf fizkulturën.
● «S’e ke idenë sa shumë nxënës ngelnin në fizkulturë kur isha në shkollë të mesme. Fizkultura ishte lënda më e lehtë, ishte bukë e djathë.»—Riçardi, 21 vjeç.
● «Disa mendojnë: ‘E pse të vrapoj jashtë në pikë të vapës derisa të djersit e të lodhem kur mund të bëj një lojë me video ku të më duket sikur jam unë ai që po vepron?’»—Rutha, 22-vjeçe.
A të lodh vetëm ideja e fizkulturës? Nëse po, do të marrësh tri «trofe» në rast se mban një program të mirë fizkulture.
Trofeu nr. 1. Fizkultura të forcon imunitetin. «Babai im thoshte gjithmonë: ‘Më mirë gjej kohë për fizkulturë, sesa të ta marrë kohën sëmundja’»,—shprehet Rakela 19-vjeçe.
Trofeu nr. 2. Fizkultura ndihmon që truri të çlirojë substanca kimike që të qetësojnë. «Vrapi ma lehtëson ngarkesën kur kam shumë gjëra në kokë,—thotë Emilia, 16 vjeçe.—Fizikisht ndihem e përtërirë dhe emocionalisht mjaft e lehtësuar.»
Trofeu nr. 3. Fizkultura mund të jetë argëtim. «Më pëlqejnë shumë veprimtaritë në natyrë,—thotë Rutha, 22 vjeçe,—prandaj bëj ecje të shpejtë, not, xhiro me biçikletë dhe rrëshqas në dëborë.»
Sekreti i suksesit: Bëj të paktën tri herë në javë nga 20 minuta ushtrime energjike që të pëlqejnë.
Fli më shumë dhe do të japësh maksimumin
Bibla thotë: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke Eklisiastiu 4:6) Pa fjetur mjaftueshëm, nuk do të arrish të bësh asgjë siç duhet.
u rropatur pas erës.» (● «Nëse nuk fle sa duhet, nuk më punon truri. Nuk arrij të përqendrohem në asgjë!»—Rakela, 19 vjeçe.
● «Aty nga ora 2 e pasdites jam kaq e lodhur sa gati më zë gjumi në mes të bisedës.»—Kristina, 19 vjeçe.
A ke nevojë të flesh më shumë? Ja çfarë kanë bërë disa nga moshatarët e tu.
Mos rri zgjuar deri vonë. «Përpiqem të shkoj në shtrat në një orar të arsyeshëm»,—thotë Katerina 18-vjeçare.
Mos komuniko me shokët në orët e vona. Riçardi 21 vjeç thotë: «Ndonjëherë shokët më merrnin në telefon ose më dërgonin mesazhe shumë vonë, por kohët e fundit kam mësuar ta ndërpres bisedën dhe të shkoj në shtrat.»
Syno rregullsinë. «Kohët e fundit,—thotë Xheniferi 20-vjeçare,—po përpiqem të fle dhe të zgjohem në të njëjtat orare çdo ditë.»
Sekreti i suksesit: Përpiqu të flesh tetë deri dhjetë orë çdo natë.
Në cilën prej këtyre tri pikave të shqyrtuara duhet të përmirësosh?
◯ Ushqimi ◯ Fizkultura ◯ Gjumi
Poshtë shkruaj një synim që të ndihmon të përmirësosh në këtë pikë.
․․․․․
Vetëm dobi do të kesh po të bësh sikur edhe disa hapa të vegjël për t’u kujdesur për veten. Mos harro, nëse ke shëndet të mirë, do të dukesh më mirë, do të ndihesh më mirë dhe do të japësh maksimumin. Dhe ndryshe nga disa gjëra në jetë, gjendjen tënde fizike e ke vetë në dorë. «Në fund të fundit,—thotë Erina 19-vjeçare,—shëndeti yt varet vetëm nga një njeri, nga ti.»
[Shënimet]
^ par. 11 Është e vërtetë se mjaft njerëz vuajnë nga sëmundje ose kufizime fizike që nuk varen nga ta. Ky artikull mund t’i ndihmojë të kenë një shëndet më të mirë me aq sa munden.
^ par. 13 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.
PËR TË MENDUAR
● Si ndikon kujdesi për shëndetin në besimin te vetja?
● Si të tregohesh i arsyeshëm kur bëhet fjalë për shëndetin tënd?—Filipianëve 4:5.
[Kutia dhe figurat në faqen 13]
JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU
«Trupi i njeriut është si një makinë; mirëmbajtja varet nga pronari. Kjo është një nga arsyet pse më pëlqen të bëj fizkulturë.»
«Kur bën fizkulturë me dikë tjetër, ndihesh më i motivuar sepse nuk do që ta zhgënjesh.»
«Më pëlqen ndjesia kur bëj ushtrime. Dhe kur filloj të dukem më mirë, kam më shumë besim te vetja.»
[Figurat]
Etani
Briana
Emilia
[Kutia në faqen 14]
«NDRYSHOVA MËNYRËN E JETESËS»
«Kur isha rreth gjashtë vjeçe, isha pak bullafiqe. Pastaj, pak nga pak fillova të haja aty-këtu ndonjë gjë për qejf dhe përfundova duke ngrënë gjithë kohën. Dhe nuk bëja asnjë punë energjike, nuk më pëlqente. Pa e kuptuar u bëra një adoleshente mbipeshë, dhe kjo ishte diçka që s’e kisha dashur kurrë. E vuaja shumë që dukesha dhe ndihesha ashtu. Herë pas here përpiqesha të dobësohesha me ndonjë dietë të veçantë, por prapë i vija kilet që humbja. Kështu, kur isha 15 vjeçe, thashë: «Mjaft!». Doja të bija në peshë me mënyrën e duhur që ta mbaja gjithë jetën. Bleva një libër që fliste për ushqimet bazë dhe parimet e fizkulturës dhe atë që lexoja aty e zbatoja. Isha e vendosur të mos dorëzohesha, edhe nëse shkurajohesha ose e lija dietën e fizkulturën për pak. A pati rezultat? Brenda vitit humba 25 kilogramë. Kam dy vjet që e mbaj këtë peshë. S’ma merrte mendja kurrë se do t’ia dilja! Mendoj se ia arrita sepse nuk mbajta thjesht dietë. Ndryshova mënyrën e jetesës. Kur e kuptova se kjo do të ndikonte në çdo aspekt të jetës sime, vendosa të bëja ndryshimet e nevojshme.»—Katerina, 18 vjeçe.
[Figura në faqen 14]
Shëndeti është si makina. Nëse nuk e mirëmban si duhet, do të të lërë në mes të rrugës