Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Stresi​—Kërcënim i madh për shëndetin

Stresi​—Kërcënim i madh për shëndetin

Stresi​—Kërcënim i madh për shëndetin

«Punoj shumë dhe orar pa orar, ditë a natë qoftë. Shpesh bëj ndonjë operacion në një spital dhe kam vetëm pak minuta për të çarë trafikun për te spitali tjetër.» ​—Piter Stjuart, mjek në Afrikën e Jugut.

NDOSHTA edhe ti je ndier si ky mjek, edhe pse rrethanat që të shkaktojnë stres mund të jenë krejt të ndryshme. Cilido qoftë shkaku—bllokimi i trafikut, marrëdhëniet e tendosura në shtëpi a punë ose diçka tjetër—stresi nuk është diçka e re.

Më shumë se 30 shekuj më parë, një luftëtar trim pranoi me sinqeritet: «Më [kanë] hyrë . . . të dridhurat, dhe drithërimat më mbulojnë.» (Psalmi 55:5) Ai e njihte stresin. Në fëmijëri, kur kishte qenë bari, ishte përballur me një luan, një ari dhe me një luftëtar të frikshëm që donte ta vriste.—1 Samuelit 17:4-10, 23, 24, 34-36, 41-51.

Në të vërtetë, stresi nuk është gjithnjë i keq. Ai mund të na përgatitë të përballojmë një vështirësi. Në situata kërcënuese, stresi i ka bërë njerëzit të kryejnë vepra që nuk ua merrte mendja se mund t’i bënin. Kur ke pasur një detyrë të rëndësishme, stresi mund të të ketë shkaktuar rritje të adrenalinës, që të ndihmoi ta kryeje detyrën në kohë. *

Megjithatë stresi shkakton probleme kur është i vazhdueshëm dhe trupi ynë nuk arrin të pushojë. «Stresi,—pohon një studiues,—është armiku numër një i shëndetit dhe i mirëqenies sonë.» Nëse ke arritur në një pikë që nuk mban më ose nuk do që të arrish në këtë pikë, mund të pyesësh: «A mund të bëj ndonjë gjë për ta pakësuar stresin?»

Fatmirësisht po. Shumë veta kanë gjetur një ndihmë që mund ta gjejnë të gjithë. Ajo vjen nga një burim që ndoshta nuk e prisje, nga Fjala e Perëndisë. Megjithëse nuk është një libër mjekësor me këshilla, Bibla na jep mençuri praktike që mund të na ndihmojë. Ajo shpjegon përse stresohemi kaq shumë sot dhe identifikon faktorët që e shkaktojnë ose rëndojnë stresin. Gjithashtu ajo përmban sugjerime praktike që na ndihmojnë ta pakësojmë ose ta kontrollojmë stresin.

[Shënimi]

^ par. 5 Adrenalina është një hormon i prodhuar nga gjëndrat mbiveshkore, që të ndihmon të përballosh rastet urgjente.