Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Stresi​—Si ndikon te ne?

Stresi​—Si ndikon te ne?

Stresi​—Si ndikon te ne?

Çfarë ndodh kur nxiton për të kapur autobusin ose trenin? Pa dyshim e ndien se si trupi reagon duke rritur tensionin e gjakut dhe duke përshpejtuar rrahjet e zemrës. Edhe po të ikë autobusi, rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja në përgjithësi normalizohen shpejt.

POR është ndryshe kur bëhet fjalë për një situatë stresuese që zgjat. Ankthi, tendosja muskulare, rritja e tensionit të gjakut dhe çrregullimet në tretje mund të duan më shumë kohë për t’u normalizuar. Gjithnjë e më shumë njerëz kanë parë se tensioni nuk ikën kurrë. Për shembull, mjaft veta ndihen si të zënë në kurth në një punë jo të kënaqshme. Si ndikon stresi te trupi dhe shëndeti?

Si reagon trupi ndaj stresit?

Mjekja Ariena van der Merve, specialiste në këtë fushë, shpjegon se si reagon trupi ndaj stresit. Ai të shtyn menjëherë në veprim dhe «në të gjithë trupin të vërshojnë një mori hormonesh dhe substancash neurokimike [komplekse] duke përgatitur çdo organ dhe sistem që të reagojë në rast se ndizet llamba e alarmit».

Menjëherë je gati të veprosh me shpejtësi në një rrethanë të pazakontë. Të gjitha shqisat, si për shembull, të parit, të dëgjuarit dhe të prekurit, futen në punë. Truri reagon shpejt dhe gjëndrat mbiveshkore çlirojnë hormone të fuqishme që përshpejtojnë lëvizjen e muskujve, zemrën, mushkëritë dhe organe të tjera për të përballuar situatën stresuese.

Pra, në raste urgjente, reagimi i trupit nën stres mund të të shpëtojë jetën, si për shembull, kur del menjëherë nga rruga sapo sheh një makinë që afrohet. Por është krejt ndryshe kur stresi është i vazhdueshëm.

Kur stresi kthehet në armik

Po nëse trupi është vazhdimisht në gjendje alarmi? Muskujt mbeten të tendosur, ritmi i pulsit dhe tensioni i gjakut qëndrojnë të larta dhe nivelet e larta të kolesterolit, të yndyrnave, të sheqernave, të hormoneve dhe të substancave të tjera në gjak nuk normalizohen. Nëse këto substanca qëndrojnë për një kohë të gjatë në nivele të larta—që janë bërë për veprime afatshkurtra, intensive dhe jo të shpeshta—në fund dëmtojnë organe të rëndësishme të trupit. Me ç’pasoja?

Mund të fillosh të ndiesh dhembje shpine, dhembje koke, spazma të muskujve të qafës dhe tendosje muskujsh. Sipas mjekëve, këto simptoma shpesh vijnë nga stresi kronik. Stresi i vazhdueshëm mund të pengojë aftësitë krijuese dhe prodhuese, si edhe gërryen entuziazmin dhe dëmton marrëdhëniet me të tjerët. Gjithashtu shkakton kolit, diarre dhe spazma të ezofagut. Stresi kronik mund të sjellë pasoja edhe më të rënda. Mund të shkaktojë iktus, infarkt në zemër, mosfunksionim veshkash, probleme kardiovaskulare, diabet ose mund t’i përkeqësojë ato.

«Për shkak të çlirimit të kortizolit gjatë stresit të vazhdueshëm, dhjami priret të grumbullohet në zonën e barkut dhe të shpinës»,—shkruan Van der Merve. Problemet me lëkurën, si ekzema dhe psoriaza, shpesh shkaktohen ose rëndohen nga stresi. Stresi i rëndë lidhet edhe me depresionin, me rritjen e agresivitetit dhe sfilitjen. Gjithashtu kujtesa dhe aftësia për t’u përqendruar mund të dëmtohen përgjithmonë nga stresi i vazhdueshëm. Nëse sistemi imunitar dëmtohet rëndë nga stresi afatgjatë, njeriu bëhet i brishtë ndaj shumë sëmundjeve, duke filluar nga një ftohje e zakonshme deri në kancer dhe sëmundje autoimunitare.

Stresi ndikon jashtë mase në të gjitha aspektet e mirëqenies sonë: mendërisht, fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht. Prandaj është e nevojshme të dimë si ta mbajmë nën kontroll. Por nuk duhet ta eliminojmë krejtësisht reagimin e trupit nën stres. Pse jo?

Mund ta krahasojmë stresin me një kalë energjik. Kalërimi i tij mund të jetë i bukur dhe emocionues. Megjithatë, nëse ai tërbohet dhe del jashtë kontrollit, mund të na rrezikojë jetën. Po kështu, stresi brenda masës mund të na e bëjë jetën të bukur dhe emocionuese, duke na nxitur të jemi krijues, entuziastë, të shëndetshëm dhe të kemi rendiment.

Po si ta mbajmë stresin në masë të arsyeshme që të jetojmë sa më mirë? Artikulli vijues do të shqyrtojë mënyra të efektshme për ta mbajtur nën kontroll stresin dhe reagimin tonë përballë tij.

[Kutia në faqen 5]

«KRIJUAR NË MËNYRË TË MREKULLUESHME» NGA NJË KRIJUES I MENÇUR DHE I DASHUR

Ndryshe nga ajo që besohet gjerësisht, reagimin tonë ndaj stresit nuk e kemi trashëguar nga reagimi i njeriut prehistorik ndaj kërcënimit të mamuthëve dhe tigrave me dhëmbë si kordhë. Përkundrazi, sistemet tona të ndërlikuara fiziologjike janë projektuar me mjeshtëri nga një Krijues i zoti. Për shembull, mekanizmi i ndërlikuar i gjakut për t’u mpiksur, aftësia e tij e sofistikuar për të luftuar infeksionin e për të shëruar plagët, si dhe reagimi mjaft i zhvilluar i trupit në rast stresi, dëshmojnë për një Projektues të mençur e të dashur.

Këto sisteme të trupit vërtetojnë se «[ jemi] krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë». (Psalmi 139:13-16) Gjithçka shpirtërore dhe fizike që Perëndia na ka siguruar me dashuri, si edhe mënyra e mrekullueshme si jemi krijuar për të gëzuar jetën, na sigurojnë se asgjë nuk do të na bëjë të vuajmë, të vajtojmë ose të vdesim në Parajsën tokësore që po afron.—Zbulesa 21:3-5.

[Diagrami dhe figura në faqen 5]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

PASOJAT E STRESIT TË VAZHDUESHËM

Dhembje koke

Dhembje qafe

Kërcitje dhëmbësh

Dhembje shpine

Sëmundje zemre

Ulcera

Spazma të muskujve