Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cilët janë demonët?

Cilët janë demonët?

Pikëpamja e Biblës

Cilët janë demonët?

FANTAZMA, vampirë, lugatë, xhinde dhe demonë—janë krijesa frymore, tek të cilët njerëz të feve të ndryshme kanë besim dhe i shohin si keqdashës, mirëdashës ose të dyja bashkë. Të tjerë nuk besojnë fare te frymërat, pasi mendojnë se janë thjesht besëtytni ose pjellë e imagjinatës. Çfarë thotë Bibla për këtë?

Bibla mëson se vetë Krijuesi është Frymë dhe se të tilla ishin edhe krijesat e tij të para. Në Fjalën e Perëndisë quhen engjëj. (Gjoni 4:24; Hebrenjve 1:13, 14) Për më tepër, Bibla përmend frymërat e liga, që ndonjëherë i quan demonë. (1 Korintasve 10:20, 21; Jakovi 2:19) Por ajo nuk mëson se i krijoi Perëndia demonët. Atëherë, cilët janë dhe si erdhën në ekzistencë ata?

‘Engjëj që mëkatuan’

Perëndia i bëri krijesat frymore me vullnet të lirë, në gjendje të zgjidhnin vetë nëse do të bënin të mirën apo të keqen. Mjerisht, pasi u krijua njeriu, një numër i panjohur engjëjsh zgjodhën të bënin të keqen duke u rebeluar kundër Perëndisë.

Krijesa frymore e parë dhe më famëkeqe që u rebelua kundër Perëndisë, u bë Satana. «[Ai] nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën»,—tha Jezu Krishti. (Gjoni 8:44) Çfarë e shtyu Satanain të kthehej kundër Perëndisë? Filloi të dëshironte adhurimin që i përkiste ekskluzivisht Krijuesit dhe më vonë veproi sipas asaj që donte, duke u bërë një perëndi rival. Kështu zgjodhi të bëhej «Satana», që do të thotë «kundërshtar». Shekuj më vonë, para Përmbytjes së kohës së Noesë, engjëj të tjerë u bashkuan me Satanain, braktisën pozitën qiellore që të merrnin trupa njerëzorë e të jetonin në tokë. (Zanafilla 6:1-4; Jakovi 1:13-15) Kur ndodhi Përmbytja, ‘engjëjt që mëkatuan’ i lanë trupat njerëzorë dhe, me sa duket, u kthyen në sferën frymore. (2 Pjetrit 2:4; Zanafilla 7:17-24) Me kalimin e kohës këta u quajtën demonë.—Ligji i përtërirë 32:17; Marku 1:34.

Tani engjëjt e pabindur u gjendën në një situatë shumë të ndryshme nga ajo para rebelimit. Te Juda 6 lexojmë: «Engjëjt që nuk e mbajtën vendin e tyre fillestar, por e braktisën vendbanimin e tyre të duhur, [Perëndia] i ka ruajtur me vargonj të përjetshëm në errësirën e dendur për gjykimin e ditës së madhe.» Po, Perëndia nuk i la demonët të gëzonin privilegjet e mëparshme në qiell, por i hodhi në ‘thellësitë e errësirës së dendur’, një vend i figurshëm, që do të thotë se janë krejt të shkëputur nga kuptueshmëria frymore.

«Mashtron gjithë tokën e banuar»

Edhe pse, me sa duket, u është ndaluar të marrin sërish trupa njerëzorë, demonët ende kanë shumë fuqi dhe ndikojnë në mendjen dhe jetën e njerëzve. Në fakt, Satanai me hordhitë e tij demonike po «mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9; 16:14) Si? Kryesisht me anë të «mësimeve të demonëve». (1 Timoteut 4:1) Këto mësime të rreme, shpesh me natyrë fetare, i kanë verbuar mendjet e miliona vetave që të mos kuptojnë të vërtetën për Perëndinë. (2 Korintasve 4:4) Ja disa shembuj.

Besimi se shpirti i të vdekurve jeton. Me anë të vegimeve, zërave dhe intrigave, demonët i mashtrojnë njerëzit, që të besojnë se të gjallët mund të komunikojnë me të vdekurit. Për më tepër, ky mashtrim dinak bën që disa njerëz të besojnë gënjeshtrën se shpirti jeton ende pas vdekjes. Megjithatë, Bibla e thotë qartë: «Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Eklisiastiu 9:5, 6) Ata «zbresin në vendin e heshtjes», prandaj nuk mund të lëvdojnë Perëndinë.—Psalmi 115:17. *

Mungesa e normave morale. «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut»,—thuhet te 1 Gjonit 5:19. Satanai dhe demonët e përdorin fuqinë duke shfrytëzuar median dhe mjete të tjera, që të nxitin mendimin e lig se njerëzit duhet t’u binden lirisht dëshirave më të ulta të trupit. (Efesianëve 2:1-3) Si rrjedhojë, imoraliteti i çdo lloji, përfshirë zvetënimin seksual, është mjaft i përhapur sot. Madje kjo sjellje shihet si normale, kurse normat biblike shpesh shihen si demode ose fanatike.

Përhapja e spiritizmit. Apostulli Pavël takoi një shërbëtore që kishte «një demon falli» me anë të të cilit «u sillte shumë fitime zotërinjve të saj me zanatin e parashikimit». (Veprat 16:16) Ngaqë e dinte nga i vinte fuqia e mbinatyrshme, Pavli nuk donte ta dëgjonte. Përveç kësaj, nuk donte të fyente Perëndinë, që i sheh si të pështira të gjitha format e spiritizmit—ku përfshihen astrologjia dhe lutjet që u bëhen frymërave.—Ligji i përtërirë 18:10-12.

Mbrohuni nga demonët

Si të mbroheni nga frymërat e liga? Bibla përgjigjet: «Nënshtrojuni Perëndisë dhe kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.» (Jakovi 4:7) I bindemi këtij urdhri kur jetojmë në përputhje me mësimet e Biblës, i vetmi libër i shenjtë që demaskon plotësisht Satanain, demonët dhe ‘intrigat e Djallit’. (Efesianëve 6:11; 2 Korintasve 2:11) Gjithashtu, Bibla na tregon se frymërat e liga dhe të gjithë ata që kundërshtojnë Perëndinë, nuk do ta kenë të gjatë. (Romakëve 16:20) «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të»,—thuhet te Proverbat 2:21.

[Shënimi]

^ par. 11 Për të mësuar rreth gjendjes së të vdekurve dhe shpresës biblike të ringjalljes, ju lutemi të shihni kapitujt 6 dhe 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?

A DONI TË DINI?

● A i krijoi Perëndia demonët?—2 Pjetrit 2:4.

● A mund të flisni me të vdekurit?—Eklisiastiu 9:5, 6.

● Si mund të mbroheni nga demonët?—Jakovi 4:7.

[Figura në faqen 21]

Demonët përpiqen të ndikojnë te njerëzit në shumë mënyra