Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jurtet​—Shtëpitë portative të Azisë Qendrore

Jurtet​—Shtëpitë portative të Azisë Qendrore

Jurtet​—Shtëpitë portative të Azisë Qendrore

Ç’ËSHTË një gjë e butë dhe e rrumbullakët që të mban ngrohtë në dimër dhe freskët në verë? Për nomadët në disa pjesë të Azisë Qendrore, përgjigjja do të ishte: një jurtë. Nga stepat e Mongolisë dhe të Kazakistanit e deri në malet dhe luginat e Kirgizistanit, këto çadra tradicionale njëherë e një kohë ishin më se të zakonshme.

Jurta është si një çadër e rrumbullakët e veshur me rrogozë dekorativë në faqet e brendshme. Ndërsa shtresat e saj të jashtme përbëhen prej shajaku me lesh deleje. Janë të lehta dhe mblidhen kollaj, e megjithatë të forta dhe të rehatshme gjatë verës së nxehtë dhe dimrit të ftohtë. Kirgizët e quajnë këtë çadër shtëpi gri, kazakët e quajnë shtëpi shajaku, kurse mongolët e quajnë ger, që do të thotë «shtëpi».

Jurtet mund të jenë ngjyrë bezhë në gri ose të bardha, në varësi të ngjyrës së leshit që përdoret. Kirgizët dhe kazakët shpesh i zbukurojnë jurtet me motive vendëse të punuara me lesh në ngjyra të ndezura me disenjo që paraqesin një bri dashi. Në të kaluarën, mbulesat dhe qilimat e bukur prej shajaku pasqyronin pasurinë dhe prestigjin e familjes.

Një pjesë mjaft e rëndësishme e kësaj çadre është unaza qendrore, ose rrota, me të cilën lidhen të gjitha shufrat e çatisë. Kjo unazë e fortë dhe e rëndë e bën të qëndrueshme të gjithë strukturën e çadrës. Mbulesa prej shajaku e unazës mund të hapet që të qarkullojë ajri, ose mund të mbyllet kur moti keqësohet. Gjatë netëve me qiell të pastër, familjet mund ta hapin këtë mbulesë dhe përmes çatisë të soditin yjet.

Ideale për jetën nomade

Në disa pjesë rurale të Kazakistanit, Kirgizistanit dhe Mongolisë bëhet akoma një jetë nomade. Në librin e saj Jurtet—Jeta në rrotullame, Beki Kemëri tregon se si përdoren ende devetë për të transportuar jurtet në Mongoli: «Skeletin e vendosin mbi një deve në mënyrë që të ketë peshë të barabartë në të dyja anët. Rrota e çatisë ngarkohet e fundit dhe vendoset me rregull në majë të ngarkesës. Mbulesat prej shajaku ngarkohen mbi një deve tjetër. Në vendet ku nuk ka deve, barinjtë përdorin lopët e Tibetit ose kuajt për të tërhequr karrocat ku janë ngarkuar jurtet, ose mund t’i çojnë në destinacionin e ri mbi një kamion rus.»

Jurtet mongole kanë shufra të drejta dhe çati më të sheshtë se të tjerat. Ja pse arrin të përballojë erërat e forta dhe vetëtimat në rrafshnalta. Kurse ato në Kirgizistan dhe Kazakistan kanë një formë më konike. Zakonisht, jurta vendoset me hyrje përballë diellit, që të hyjë drita. Kur futesh brenda, sheh rrugica shajaku me ngjyra të ndezura dhe mbulesa të palosura dhe të stivuara mbi sëndukë përballë hyrjes. Është zakon që përballë këtij pirgu shumëngjyrësh të ulet mysafiri ose burri më i moshuar i familjes.

Ana në të djathtë të hyrjes, i takon grave. Aty mbajnë gjithë mjetet e gatimit, pastrimit, qepjes dhe bërjes së shajakut. Kurse ana e majtë është për burrat. Aty gjen samarë, kamxhikët e kafshëve, mjete gjuetie dhe pajisje për t’u kujdesur për kafshët.

Nuk cenohet nga ndryshimet politike

Jetesa nomade pati një ndryshim të madh pas Revolucionit Komunist në vitin 1917. Në mbarë Azinë Qendrore rusët ndërtuan shkolla, spitale dhe rrugë, duke krijuar kështu mundësitë për t’u stabilizuar njëherë e mirë në një vend.

Me kalimin e kohës, mjaft vendës hoqën dorë nga jeta nomade për të jetuar në fshatra e qytete. Megjithatë, jurtet ndonjëherë përdoren gjatë muajve të verës nga barinjtë që mbajnë dele, lopë e kuaj në ferma të mëdha kolektive.

«Kur isha adoleshent,—kujton Maksati nga Kirgizistani, tani në prag të të 40-ave,—ndihmoja babanë me kopenë që kishte në ngarkim. Në korrik, kur bora kishte shkrirë dhe shtigjet ishin hapur, i çonim kafshët në mal për të kullotur.

Aty ngrinim jurtet përgjatë ndonjë rrëkeje që të kishim ujë mjaftueshëm për të gatuar dhe për të larë. Qëndronim atje deri në fillim të tetorit, kur ftohej moti.» Pra, jurta përdoret edhe në shoqërinë e sotme.

Jurta e ditëve të sotme

Kur udhëton në vende si Kirgizistani, është më se e zakonshme të shohësh jurte përgjatë rrugës. Ato i përdorin si dyqane ose kafene, ku vizitorët mund të shijojnë kuzhinën tradicionale. Mysafirët mund të provojnë edhe jetën tradicionale duke fjetur një natë në një jurtë në malet e Kirgizistanit ose përgjatë liqenit të paprekur të Isik-këlit.

Gjithashtu, jurtet kanë një rol të rëndësishëm në organizimin e funeraleve sipas disa zakoneve në Azinë Qendrore. Maksati shpjegon: «Në Kirgizistan, të vdekurin e futin në një jurtë, ku familja dhe miqtë mund të vajtojnë humbjen e njeriut të tyre të dashur.»

Kohët e fundit, jurta është shfaqur edhe në vendet perëndimore. Disa njerëz thonë se është praktike dhe respekton mjedisin. Megjithatë, shumica e jurteve moderne janë krejt ndryshe nga ato të kohëve të kaluara. Për ndërtimin e tyre përdoren materiale të teknologjisë së lartë dhe shpesh bëhen që të rrojnë sa më shumë.

Megjithëse origjina e jurtës nuk dihet me siguri, vlera e kësaj strukture është e padiskutueshme. Jurta i ka rrënjët në jetën nomade të njerëzve të Azisë Qendrore dhe është një dëshmi e fuqishme e zotësisë së këtyre njerëzve të fortë që përshtaten lehtë.

[Figura në faqen 17]

Jurte të ngritura përgjatë liqenit të famshëm të Isik-këlit në Kirgizistan