Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mbreti i xhunglës» në Hemisferën Perëndimore

«Mbreti i xhunglës» në Hemisferën Perëndimore

«Mbreti i xhunglës» në Hemisferën Perëndimore

PËR kë e kemi fjalën? Për jaguarin, macen më të madhe në kontinentet e Amerikës. Ku gjendet ai? Në xhunglat, moçalet, shkretëtirat dhe në shkorretet e Amerikës Qendrore dhe Jugore. Ndryshe nga llojet e tjera të familjes së maceve, ai ndihet rehat jo vetëm në tokë e mbi pemë, por edhe në ujë.

Imagjinoni sikur jeni përbri një jaguari mashkull të rritur. Mund të arrijë një gjatësi prej 2 metrash, pa përfshirë bishtin, dhe të peshojë 120 kilogramë a më shumë. Zakonisht jeton vetëm, por bashkohet me jaguarë të tjerë vetëm për t’u çiftuar. Mashkulli çiftohet kur është tre a katër vjeç, kurse femra mund të pjellë për herë të parë kur është dy vjeçe. Zakonisht lind dy këlyshë pasi i ka mbajtur në barkun e saj për tre deri katër muaj. Disa jaguarë që nuk janë në gjendje të lirë, jetojnë më shumë se 20 vjet.

Këto mace të mëdha janë të mistershme dhe të pakapshme dhe në lidhje me këtë, një biolog tha: «Jaguarët janë kaq të vështirë për të t’i kapur syri. Mund ta kem anash, . . . dhe mund të mos e dalloj fare.» Gëzofi i tij i florinjtë me pulla të zeza me njolla më të vogla brenda, e ndihmon të fshihet dhe në hije të humbet nga sytë.

Gjahtar i vetmuar dhe i heshtur

Jaguari është një gjahtar i zoti që ushqehet me rreth 85 lloje kafshësh, përfshirë tapirë, drerë dhe majmunë. Ngaqë ndihet rehat edhe në ujë, jaguari gjuan me lehtësi edhe peshq e breshka uji. Njëherë studiuesit kanë parë një jaguar që vrau një kalë të madh, e tërhoqi për 80 metra në tokë të thatë dhe pastaj përmes lumit.

Kjo mace e zgjuar zakonisht i zë pusi presë së vet strukur mes degëve të pemëve. Kur një kope derrash të egër amerikanë, kafshë shumë të shpejta, pa dyshuar fare kalon poshtë pemës, jaguari turret nga lart. Vetëm me një të kafshuar të fuqishme, e vret një derr dhe me një të kërcyer të shpejtë hipën përsëri në pemë. Pret aty që të largohet kopeja dhe pastaj të marrë prenë e vet.

Megjithatë, nga gjithë macet e mëdha jaguari ka më pak të ngjarë të sulmojë njeriun dhe nuk është renditur ndër ato kafshë që hanë njerëz. Në fakt, njeriu përbën më shumë rrezik për jaguarin, sesa jaguari për njeriun.

Pse kaq të paktë në numër?

Njëherë e një kohë jaguari endej në një territor që shtrihej nga jugu i Shteteve të Bashkuara deri afër skajit më jugor të Amerikës Jugore. Sot, janë zhdukur nga pothuajse gjysma e territorit që zinin 100 vjet më parë. Deri aty nga mesi i viteve 70, gjahtarët vritnin çdo vit mijëra jaguarë për gëzofin e tyre. Vetëm në vitin 1968, mbi 13.500 prej tyre u eksportuan nga kontinentet e Amerikës. Në vitin 2002, u llogarit se kishin mbetur më pak se 50.000 jaguarë. Ndërsa sot, ndoshta kanë mbetur vetëm 15.000 që nuk janë në kopshte zoologjike.

Një studim i Shoqatës për Mbrojtjen e Natyrës, ka zbuluar se afro 40 për qind e habitatit të jaguarit është shkatërruar nga shpyllëzimi. Vetëm në Meksikë, çdo minutë shpyllëzohet një sipërfaqe sa një fushë futbolli. Nga kjo, jaguari është i detyruar të gjuajë tufat e bagëtive që të mbijetojë.

Përpjekjet për ruajtjen e tij

Rreth 200 vende përkrahin masat e marra nga Konventa për Tregtinë Ndërkombëtare të Llojeve të Rrezikuara, që ndalojnë gjuetinë e jaguarëve për arsye tregtare. Janë krijuar parqe kombëtare si rezervate për të mbrojtur habitatin e tyre. Në vitin 1986, Rezervati Natyror i Pellgut të Kokskombit në Belize, u bë rezervati i parë për jaguarët. Gjithashtu, për të mbrojtur jaguarin, Meksika ka vënë në dispozicion më shumë se 150.000 hektarë pyje tropikale brenda Rezervatit të Biosferës të Kalakmulit në gadishullin e Jukatanit.

Se sa të suksesshme do të jenë përpjekjet njerëzore për të mbrojtur këtë «mbret të xhunglës», është akoma për t’u parë. Megjithatë, na ngushëllon fakti se Krijuesi ynë i dashur shumë shpejt ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’ dhe se në të ardhmen midis njerëzve dhe kafshëve do të ekzistojë paqja që Ai kishte si qëllim.—Zbulesa 11:18; Isaia 11:6-9.

[Harta në faqet 24, 25]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Territori i jaguarit

Më parë

Tani

AMERIKA VERIORE

AMERIKA QENDRORE

AMERIKA JUGORE