Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mund të jetë fare mirë një këngë»

«Mund të jetë fare mirë një këngë»

«Mund të jetë fare mirë një këngë»

Xhuliana ishte një e krishterë e dashur dhe e moshuar që vuante nga sëmundja e Alcajmerit. Nuk njihte më as fëmijët e vet. Pavarësisht nga kjo, shkoja për ta parë sa herë isha afër shtëpisë së saj.

Xhuliana kishte zënë shtratin dhe s’bënte gjë tjetër veçse shihte jashtë dritares. Ishte e vështirë të rrije me të, nuk më mbante mend fare. Më shihte me sy të hutuar, sy pa jetë që nuk jepnin asnjë shenjë sado të vogël që më njihte. «A mendon akoma për Jehovain?»—e pyeta. I tregova një përvojë dhe i bëra disa pyetje të tjera, por nuk dha asnjë shenjë që kuptonte. Pastaj fillova të këndoja një këngë. Ajo që ndodhi më pas ishte vërtet prekëse.

Xhuliana ktheu kokën, më pa në sy dhe filloi të këndonte me mua. Shumë shpejt unë ndalova se nuk i dija përmendsh të gjitha fjalët e këngës në gjuhën vendëse, në tagaloge. Kurse Xhuliana vazhdoi të këndonte. I mbante mend të tria strofat. Menjëherë, i kërkova asaj që ishte me mua të merrte hua një libër kënge nga një Dëshmitare që jetonte aty afër. Ajo e solli pa vonuar. Nuk e dija çfarë numri ishte ajo këngë, por qëlloi që u libri u hap pikërisht në atë faqe. Këtë herë e kënduam të gjithë këngën së bashku. Kur e pyeta Xhulianën nëse mbante mend ndonjë këngë tjetër, ajo filloi të këndonte një këngë të vjetër dashurie filipinase.

«Jo Xhuliana,—i thashë,—jo këngë nga radio, por nga Salla e Mbretërisë.» * Pastaj fillova të këndoja një këngë tjetër nga libri ynë i këngëve dhe ajo menjëherë bashkoi zërin me mua. Sytë i ndrinin. I iku ai shikim i përhumbur dhe filloi të buzëqeshte me gjithë shpirt.

Në këtë kohë, komshinjtë kishin dalë për të kuptuar nga vinte kënga. Ata u mblodhën te dritarja për të parë dhe për të na dëgjuar. Ishte e mrekullueshme të shihje se sa prekëse ishte muzika për Xhulianën. I kishte kujtuar fjalët e këngës.

Nga kjo përvojë mësova se nuk i dihet asnjëherë se çfarë do të jetë ajo që do të çajë përmes errësirës dhe do të prekë zemrën e atyre që kryesisht nuk janë në gjendje të kuptojnë ose të komunikojnë. Mund të jetë fare mirë një këngë.

Jo shumë kohë pas kësaj, Xhuliana vdiq. Kjo ngjarje më erdhi ndër mend kur dëgjova muzikën e re dhe prekëse të incizuar nga Dëshmitarët e Jehovait në vitin 2009. Nëse keni dëshirë, mund të pyetni Dëshmitarët vendës se ku mund ta gjeni këtë muzikë të bukur e prekëse.

[Shënimi]

^ par. 5 Kështu quhen vendet ku mblidhen Dëshmitarët e Jehovait.