Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga një lende e vockël në një lis madhështor

Nga një lende e vockël në një lis madhështor

Nga një lende e vockël në një lis madhështor

Lendja e vockël e lisit, që ngjan si një vezë e futur në mbajtësen e vet, shkëputet nga pema dhe bie përtokë. E groposur me nxitim nga një ketër dhe e harruar aty, fara mbin. Me kalimin e kohës bëhet një lis madhështor, pema më e madhe dhe më e fuqishme ndër pemët pyjore në Britani.

Lisi, që është bërë shpesh pjesë e historisë dhe e miteve, mund të jetojë më shumë se një mijë vjet. Disa arrijnë deri në 40 metra lartësi. Lisat e moçëm shquhen për trungjet e mëdha dhe shtrirjen e degëve. Edhe pse në Britani ka dy lloje lisi, në mbarë botën ka më shumë se 450 varietete. Ajo që i dallon llojet nga njëri-tjetri është fara e tyre, lendja e vockël.

Pema e lisit strehon më shumë gjallesa se çdo pemë tjetër në Britani. Këtu gjejnë strehë një sërë insektesh. Shumë larva bëjnë banket në gjethet e buta të lisit në verë. Por pema di ta mbrojë veten. Gjethet që rriten përmbajnë tanin, që ua heq oreksin.

Çdo pjesë e pemës është e banuar. Insektet e shumtë që qëndrojnë aty, tërheqin mjaft zogj dhe merimanga. Brumbujt birojnë lëvoren e trashë plasa-plasa. Bufët dhe koloni me lakuriqë nate strehohen brenda zgavrave të trungut. Kurse kafshët e vogla, si minjtë, minjtë e arave, lepujt, lepujt e shkëmbinjve dhe dhelprat struken midis rrënjëve.

Lisi ka punëtorët e vet të pastrimit. Çdo vit bien një çerek milion gjethe nga një lis i rritur plotësisht. Kërpudhat dhe bakteret shpërbëjnë gjethet e rëna dhe i riciklojnë duke i kthyer vlerat ushqyese në tokë. Në vite të caktuara, pema prodhon 50.000 lende. Shumicën i mbledhin ose i hanë zogjtë dhe kafshët. Morrat dhe brumbujt spastrojnë copat e drurit të kalbur, kurse kërpudhat ushqehen me lëvore.

Druri i lisit është jashtëzakonisht i fortë dhe rezistent. Prej kohësh ka qenë mjaft i pëlqyer për të bërë shtëpi dhe mobilie të cilësisë së lartë. Është ideal për të bërë fuçi për vjetërimin e birrës ose të verës. Po kështu, anijet e forta prej lisi e ndihmuan Flotën Britanike të mbretëronte në dete për shumë vjet.

Druri i lisit është ende mjaft i vlerësuar. Kurse pema e tij, pjesë e pandashme e peizazhit të Britanisë, admirohet me të drejtë për fortësinë, besueshmërinë dhe rezistencën. Nga një lende e vockël rritet një lis madhështor—një mrekulli tjetër e krijimit.

[Figura në faqen 18]

Lisi mund të jetojë më shumë se një mijë vjet, të arrijë një lartësi prej 40 metrash dhe një perimetër prej 12,5 metrash

[Burimet e figurave në faqen 18]

Pema: © John Martin/​Alamy; lendja: © David Chapman/​Alamy