Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Sipas një ankete, rreth 10,3 për qind e burrave brazilianë seksualisht aktivë të moshave 15 deri 64 vjeç, kanë kryer marrëdhënie seksuale me të paktën një njeri që e kanë njohur nëpërmjet Internetit brenda 12 muajve të fundit.—MINISTRIA E SHËNDETËSISË NË BRAZIL.

Oqeani Arktik ka qenë i mbuluar prej kohësh me shtresa gjigante akulli që bashkë arrijnë deri në 80 metra trashësi. Tani ky «akull shumëvjeçar . . . pothuajse është zhdukur, dhe ky është një ndryshim befasues që do ta bëjë më të lehtë hapjen e rrugëve detare për në Polin e Veriut.»—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, KANADA.

Moska dhe Vatikani kanë shpallur vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike midis tyre.—RIA NOVOSTI, RUSI.

Kilimanxharo, mali më i lartë në Afrikë, «humbi 26 për qind të mbulojës së tij me dëborë nga viti 2000 deri në vitin 2007».—DAILY NATION, KENIA.

Individualistë, por me depresion

Sipas studiuesve, Britania është «shoqëria më individualiste në botë, që ngre individin mbi grupin»,—njofton gazeta Daily Telegraph e Londrës. Një studim tjetër zbuloi se britanikët vuajnë nga disa prej formave më të rënda të depresionit dhe të ankthit. Disa ekspertë besojnë se një nga shkaqet është fryma individualiste. Gjatë studimeve u krahasuan shoqëritë, si ato në botën perëndimore, me shoqëritë në Kinë dhe Tajvan. Në këto të fundit, dukej se vlera e madhe që i jepej harmonisë shoqërore mbi individualizmin, ishte një mbrojtje për shëndetin mendor të njerëzve. Në Perëndim, «shoqëria egoiste . . . po na bën me depresion»,—shprehet kjo gazetë.

Martesa midis njerëzve të së njëjtës gjini në Kishën e Suedisë

Në tetor të vitit 2009, Kisha Luterane e Suedisë miratoi martesën e homoseksualëve në kishë. Ky vendim u mor pas ligjit që ishte miratuar nga parlamenti suedez vetëm pak muaj më parë, për martesën midis dy personave të së njëjtës gjini. «Kjo do të thotë se Kisha e Suedisë është nga të parat kisha të mëdha në botë që devijojnë nga pikëpamja tradicionale se martesa është një bashkim midis një burri dhe një gruaje»,—thotë gazeta Dagens Nyheter.

Në ç’gjuhë qajnë foshnjat?

Që në ditën e dytë të jetës, foshnjat qajnë sipas melodisë së gjuhës së nënës. Kështu mendojnë studiuesit nga Universiteti i Vyrcburgut në Gjermani. Ata incizuan të qarat e 30 të sapolindurve francezë dhe 30 të sapolindurve gjermanë dhe analizuan frekuencën, vijën melodike dhe ulje-ngritjet e zërit. Të qarat e foshnjave franceze fillonin me zë të ulët dhe pastaj ngriheshin, kurse ato të foshnjave gjermane shpesh fillonin me zë të lartë e pastaj uleshin. Në të dyja rastet, ato imitonin vijën melodike tipike të gjuhës së prindërve. Ja pse, besohet se mësimi i gjuhës për një foshnjë fillon që në bark të nënës dhe se fillojnë të flasin që në të qarat e para.