Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta luftosh vetminë?

Si ta luftosh vetminë?

Si ta luftosh vetminë?

NËSE vuan nga vetmia, mund të jetë mirë të pyesësh veten: «A mund të bëj ndonjë gjë për të rregulluar situatën? Mos vallë kam nevojë të bëj ca ndryshime? Nëse po, çfarë mund të bëj konkretisht?» Pyetjet në vijim mund të të ndihmojnë të analizosh veten dhe të gjesh zgjidhje të kënaqshme.

A kam nevojë të ndryshoj pikëpamje?

Çdokush mund të ndihet i vetmuar. Por kjo ndjenjë negative bëhet problem i vërtetë vetëm kur zgjat. Nëse zgjat, mund të jetë një shenjë paralajmëruese që tregon se diçka nuk shkon me pikëpamjen tënde për jetën. Problemi ndoshta vjen nga mënyra si vepron në prani të të tjerëve. Disa njerëz, pa e kuptuar, krijojnë një gardh me tela me gjemba përreth vetes, dhe kjo i step të tjerët dhe nuk i lë t’u ofrojnë miqësinë e tyre. Ndonjëherë ajo që nevojitet është ndryshimi i pikëpamjes.

Mendoni për përvojën e Sabinës kur emigroi në Angli. «Duhet kohë,—tha ajo,—që miqtë e rinj të krijojnë besim midis tyre në mënyrë që të ndihen rehat dhe të sigurt në shoqërinë e njëri-tjetrit. Pse nuk i pyesni të tjerët për fëmijërinë ose të kaluarën e tyre? Më kishin thënë: ‘Nuk ka kultura të drejta dhe të gabuara. Duhet të marrësh më të mirën nga secila prej tyre.’» Po, ashtu si Sabina, në kulturat e tjera është mirë të gjesh veçori nga të cilat do të përfitosh duke i imituar.

A i shmang të tjerët?

Mund të pyesësh veten: «A kam prirjen t’u qëndroj larg të tjerëve? A do të ishin më miqësorë me mua nëse unë do të isha më miqësor me ta?» Nëse po, përpiqu të jesh më i futur. Rozaliza, një 30-vjeçare nga Guadelupa që shkoi për të jetuar në Angli, tha: «Ata që ndihen të vetmuar kanë prirjen të veçohen.» Prandaj ajo këshilloi: «Kërko ata që si ti ndihen të vetmuar. Merr iniciativën dhe bisedo me ta. Ndonjëherë mjafton një pyetje për të filluar një miqësi të qëndrueshme.»

Por, duhen kohë dhe përpjekje për të ndërtuar një miqësi të ngushtë. Për ta filluar mbarë, mëso të jesh një dëgjues i mirë. Nëse dëgjon me vëmendje, do të arrish të flasësh për gjëra që tjetrit i duken interesante. Mos harro, empatia sjell miqësinë.

A kam mendime negative?

Mendimi i keq për veten mund të bëhet pengesë për të zënë miqësi. Pyet veten: «A kam prirje të theksuar për të menduar keq për veten?» Abigaila, një 15-vjeçare nga Gana, pranon: «Ndonjëherë kisha mendime negative që më bënin të ndihesha e vetmuar. Ndihesha e pavlerë dhe sikur s’më donin.» Mund të jesh i sigurt se, nëse u afrohesh të tjerëve dhe i ndihmon në ndonjë mënyrë, nuk do të të shohin si të pavlerë. Edhe ata mund të të ofrojnë miqësinë e tyre. Prandaj pse të mos e hedhësh ti hapin e parë?

Mendimet pozitive do të të ndihmojnë të zësh miqësi me ata që nuk janë të grup-moshës sate. Marrëdhënia miqësore me dikë disi më të madh ose më të vogël se ti, mund të jetë shpërblyese. Një faktor kryesor që e ndihmoi Abigailën të kapërcente vetminë, ishte se u përpoq të zinte miqësi me më të mëdhenj. Ajo shpjegon: «Përfitoja nga përvoja e tyre.»

A veçohem?

Shumë nga ata që janë të vetmuar, gjejnë njëfarë lehtësimi duke kaluar orë të tëra para televizorit, videolojërave ose kompjuterit. Ndërsa kur i fikin këto pajisje, ndihen po aq të vetmuar sa më parë. Elsa, një 21-vjeçare nga Parisi, pranon: «Televizori dhe videolojërat mund të kthehen në një drogë që ndikon deri në atë pikë sa e bëjnë një person të mos dëshirojë më të ketë miq.»

Një e keqe e televizorit është se nuk të jep mundësi të jesh aktiv, të shkëmbesh mendime me dikë dhe të zësh miq. Videolojërat janë pak a shumë njësoj—i futin njerëzit në një botë imagjinare që zhduket sapo lë lojën. Duke u hallakatur nëpër Internet mund të largohesh nga realiteti, por mund të ndeshësh materiale imorale ose njerëz që fshehin identitetin e tyre. Interneti nuk është vend i mirë për të gjetur ose kultivuar miqësi të vërteta.

Po kërkon bashkëshort?

Disa beqarë duan të martohen, sepse e shohin martesën si ilaç kundër vetmisë. Është e vërtetë, një bashkëshort i sjellshëm dhe i dashur mund të të sjellë gëzim të paparë në jetë, por ki kujdes se mos nxitohesh kur ke të bësh me një vendim të rëndësishëm si martesa.

Martesa nuk është medoemos zgjidhja e problemit të vetmisë. Çiftet me probleme komunikimi thuhet se janë «ndër njerëzit më të vetmuar në botë». Mjerisht, ka mjaft njerëz në këtë situatë, madje më tepër seç mund të imagjinojmë. Prandaj, nëse dëshiron që një ditë të martohesh, pse të mos e kapërcesh problemin e vetmisë para se të lidhesh emocionalisht me dikë? Duke rregulluar qëndrimin e zakonet e tua dhe duke marrë iniciativën për të zënë miq ndërsa je ende beqar, po hedh themele të forta për një martesë të lumtur.

Mund ta përballosh vetminë

Problemi i vetmisë mund të mos ketë zgjidhje të menjëhershme. Por, mund ta përballosh me sukses duke ndjekur Rregullën e Artë që dha Jezui. Ai tha: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Pra, nëse dëshiron që të tjerët të jenë miqësorë me ty, ji miqësor edhe ti me ta. Nëse do që të të hapin zemrën, bëj njësoj edhe ti. Me kalimin e kohës, ndoshta jo të gjithë, por disa do të ta kthejnë miqësinë. Edhe nëse jo, do të jesh më i kënaqur sepse të paktën u përpoqe.

Jezui tha një të vërtetë tjetër themelore që mund të të ndihmojë ta përballosh vetminë: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Nëse sakrifikon kohën tënde për të ndihmuar të tjerët—një fëmijë me detyrat e shkollës ose një të moshuar me pazarin ose me mirëmbajtjen e shtëpisë a të kopshtit—do të ndihesh më i lumtur dhe ndoshta do të fillosh një miqësi të vërtetë.

Ku t’i gjesh miqtë më të mirë?

Ka edhe mënyra të tjera praktike për të përballuar vetminë. Mos u mbyll në shtëpi. Dil për një shëtitje në park ose në vende të gjelbëruara, nëse është e mundur. Kur je vetëm në shtëpi, mbushe kohën me gjëra të tilla si, qepja, punët e shtëpisë ose ndonjë rregullim a lexim. Një autor francez ka shkruar: «S’ka pasur stres që të mos ma largonte një orë lexim.» Shumë kanë gjetur ngushëllim sidomos duke lexuar psalmet në Bibël.

Ekspertët kanë parë se shoqëria me njerëz të të njëjtit besim fetar, mund ta ndihmojë dikë të përballojë vetminë dhe mund të kontribuojë për një shëndet më të mirë. Ku mund të gjesh njerëz që përpiqen të zbatojnë Rregullën e Artë? Në një libër për lëvizjet fetare, një vëzhgues i paanshëm shkruante: «Në jetën e tyre si kongregacion Dëshmitarët [e Jehovait] formojnë një komunitet të vërtetë besimi dhe miqësie.»

Jezui tregoi se cila do të ishte shenja dalluese e krishterimit të vërtetë kur u tha dishepujve: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Dashuria—së pari për Perëndinë dhe pastaj për bashkadhuruesit—është ajo që i dallon në mënyrë të veçantë ata që praktikojnë adhurimin e vërtetë.—Mateu 22:37-39.

Lidhja e miqësisë me Perëndinë është mënyra më e mirë për të përballuar vetminë. Me një mik si ai, nuk ke pse ndihesh kurrë i vetmuar.—Romakëve 8:38, 39; Hebrenjve 13:5, 6.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

JA SI E LARGOJ VETMINË

Ani, vejushë: «Përpiqem të mbaj në kontroll mendimet dhe të shoh anët pozitive të situatës sime.»

Karmeni, beqare: «Kam mësuar të mos e lejoj të shkuarën të më mbajë peng, por të eci përpara dhe të filloj miqësi të reja.»

Fernanda, vejushë: «Nëse përpiqesh të ndihmosh të tjerët, hallet e tua i harron.»

Zhan-Pjeri, beqar: «Bëj rregullisht shëtitje të gjata në të cilat i lutem e i hap zemrën Perëndisë.»

Bernardi, vejan: «Lidhem në telefon me miqtë, jo për të folur për kujtimet e hidhura, por vetëm sepse është kënaqësi të mbash lidhjet.»

Davidi, beqar: «Megjithëse si natyrë më pëlqen të rri vetëm, jam përpjekur shumë të hapem me të tjerë.»

Lorena, beqare: «Marr iniciativën për t’iu afruar njerëzve dhe për të zënë shoqëri me ta.»

Abigaila, 15 vjeçe: «Kaloj kohë me miq të rritur dhe mësoj nga përvoja e tyre.»

Çeri, beqare: «Kam parë se, nëse u thua të tjerëve se ndihesh e vetmuar, ata përpiqen më shumë të jenë miqësorë me ty.»

[Kutia dhe figura në faqen 9]

HAPA PËR TË PËRBALLUAR VETMINË

Zhvillo një pikëpamje pozitive

Pakëso argëtimet që të veçojnë, si për shembull shikimi i televizorit

Kërko miq me të njëjtat vlera si ti, përfshirë edhe njerëz që nuk janë të grup-moshës sate

Mbi të gjitha, kërko miqësinë e Perëndisë

[Figura në faqen 7]

Zër miqësi me njerëz që nuk janë të grup-moshës sate