Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vetmi ndonëse të rrethuar nga mjetet e komunikimit

Vetmi ndonëse të rrethuar nga mjetet e komunikimit

Vetmi ndonëse të rrethuar nga mjetet e komunikimit

CELULARË, mesazhe në celular dhe Internet, site të rretheve shoqërore, dhoma bisedash në Internet—kurrë më parë mjetet e komunikimit nuk kanë qenë kaq të shumta dhe kaq të lehta për t’u gjendur. E megjithatë, edhe pse jetojmë në një botë ku mjetet e komunikimit janë përhapur në masë, mjaft njerëz, të rinj a të moshuar, ndihen shumë të vetmuar. Përse?

Në librin e tyre Vetmia​—Natyra njerëzore dhe nevoja për lidhje shoqërore (anglisht), studiuesit Xhon T. Kaçopo dhe Uilliam Patriku e shqyrtojnë me hollësi temën e vetmisë. Ata flasin për një studim që thotë se «rritja e përdorimit të Internetit mund të rritë veçimin nga shoqëria e madje edhe depresionin, kur zëvendëson format më të drejtpërdrejta të kontaktit me njerëzit».

Jeta e ethshme e diktuar nga shoqëria moderne, zor se e ndihmon kontaktin e ngrohtë njerëzor. Një buzëqeshje ose dashuria që lexohet në sytë e dikujt, zakonisht nuk mund të përçohen nëpërmjet telefonit ose mesazhit elektronik.

Kjo mund të jetë e vërtetë në vendin e punës, por edhe më shumë brenda rrethit familjar. Në mjaft shtëpi, pjesëtarët e familjes hyjnë e dalin pa biseduar ose pa ngrënë një vakt bashkë. Adoleshentët kanë kompjuterin e tyre dhe jetojnë disi të izoluar nga pjesa tjetër e familjes. Mund të duket kontradiktore, por me gjithë mjetet elektronike të komunikimit, shumë të rinj ndihen të vetmuar.

Në ditët e sotme, edhe lidhjet martesore mund të kërcënohen nga ndjenjat e vetmisë. Mungesa e komunikimit midis të martuarve, mund të krijojë një situatë ku të dy jetojnë në botë paralele që rrallë puqen bashkë. Ndjenja e vetmisë ndërsa jeton me burrin ose gruan, është një nga format më të këqija të vetmisë.

Prindërve të vetëm në mënyrë të veçantë, u duhet të luftojnë me këto ndjenja. Mjetet e komunikimit, ndër shumë gjëra të tjera, mund të bëhen pengesë për komunikimin prind-fëmijë, duke shtuar kështu ndjenjat e vetmisë. Gjithashtu, shumë të rinj të pamartuar dëshirojnë të gjejnë shokun ose shoqen e jetës, por nevojat e tyre emocionale mbeten të paplotësuara.

Vetmia është bërë një problem i rëndë shoqëror që mund t’i bëjë njerëzit më të prirur drejt alkoolizmit, ngrënies me tepri, abuzimit me drogën, shthurjes seksuale e madje edhe vetëvrasjes. Prandaj është e rëndësishme të kuptojmë cilat janë shkaqet e vetmisë. Ky është një fillim i mirë drejt përballimit të problemit.