Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund t’i besosh ndokujt sot?

A mund t’i besosh ndokujt sot?

A mund t’i besosh ndokujt sot?

Konsiderohej një nga pionierët në fushën e trajtimit të dhembjeve. Megjithatë, kishte më shumë se 10 vjet, që nga viti 1996, që ky anestezist i shquar kishte falsifikuar rezultatet e studimeve të publikuara në botime prestigjoze mjekësore.

«NUK arrij ta konceptoj si mund të arrijë një njeri deri këtu»,​—thotë dr. Stiven L. Sheifëri në revistën Anesthesiology News.

Çfarë do ta shtynte një profesionist të respektuar të mashtronte njerëzit në këtë mënyrë? Më poshtë renditen katër shkaqe të mundshme.

Lakmia. Në një artikull të New York Times, dr. Xherom Kasireri, ish-redaktor i The New England Journal of Medicine, shpjegon: «Kur të ardhurat e studiuesve varen kryesisht nga kompanitë [farmaceutike], ekziston një prirje e pabesueshme për të dhënë rezultate që u leverdisin kompanive.»

Sukses me çdo kusht. Në Gjermani, mendohet se studentët e degëve shkencore u paguajnë mijëra euro mësuesve si ryshfet vetëm e vetëm që «të fitojnë» titullin doktor, një simbol i suksesit në këtë vend. Nga një studim i botuar në The New York Times, u zbulua se studentët që kishin shkelur parimet e etikës, thanë se «kishin ndër mend të ndiqnin një kod të rreptë parimesh» pasi të bëheshin të suksesshëm.

Mungesa e shembujve të mirë. Për nxënësit e shkollave të mesme, një profesor tha për The New York Times: «Dua të them se ata e kanë humbur busullën e tyre morale . . . Ose më mirë të themi se, në radhë të parë, mësuesit e këshilltarët e tyre dhe pjesa tjetër e shoqërisë nuk u kanë mësuar të formojnë një busull morale dhe të ecin sipas saj.»

Praktika që bien ndesh me vlerat. Në një studim të kryer me 30.000 nxënës, 98 për qind e tyre thanë se ndershmëria është thelbësore në marrëdhënie me të tjerët. Megjithatë, 8 në çdo 10 studentë pranuan se i kishin gënjyer prindërit dhe 64 për qind pranuan se kishin kopjuar në një provim gjatë vitit të mëparshëm.

Parime më të larta

Siç tregohet në kutinë e kësaj faqeje, duket se njerëzit janë krijuar me ndjenjën e besimit. Megjithatë, Bibla me të drejtë pohon se «zemra e njeriut priret nga e keqja që në rini të tij». (Zanafilla 8:21) Si mund ta luftosh këtë prirje dhe t’i bësh ballë mungesës së ndershmërisë që mbizotëron sot? Parimet e mëposhtme biblike mund të të ndihmojnë:

«Mos sajo asgjë të keqe kundër të afërmit tënd, kur ai banon i sigurt me ty.»​—Proverbat 3:29.

Dashuria na shtyn të përpiqemi për mirëqenien e të afërmit, e jo ta shpërdorojmë besimin e tij. Ky parim mund t’u japë fund një sërë formave të shfrytëzimit njerëzor të nxitura nga lakmia, si qarkullimi i ilaçeve të falsifikuara, që u përmend në hyrje të serisë.

«E vërteta qëndron përgjithmonë, kurse gënjeshtra vetëm për një çast.»​—Proverbat 12:​19, ECM.

Shumë sot besojnë se njerëzit e ndershëm nuk fitojnë gjë. Por pyet veten: «Çfarë ka më shumë vlerë​—të nxjerrësh fitime të menjëhershme apo dobi të përhershme, përfshirë respektin për veten?» Një student mund t’i mashtrojë të tjerët për njohuritë dhe aftësitë e tij duke kopjuar në provime, po si do t’ia bëjë kur të fillojë punë?

«I drejti ecën me integritet. Të lumtur janë bijtë që vijnë pas tij.»​—Proverbat 20:7.

Nëse je prind, lëru fëmijëve të tu një shembull të mirë ‘duke ecur me integritet’. Shpjegoju si ke nxjerrë dobi duke ndjekur udhën e drejtësisë. Kur fëmijët shohin prindin që ecën në udhën e integritetit, ka më shumë të ngjarë që edhe ata vetë të bëhen njerëz të besueshëm.​—Proverbat 22:6.

A janë vërtet dobiprurëse parimet e mësipërme biblike? A ka njerëz të besueshëm sot?

[Diçitura në faqen 4]

Sipas gazetës Le Figaro, gjithnjë e më shumë francezë «mendojnë se figurat e njohura në shoqëri​—në fushën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore​—nuk janë njerëz me virtyte, prandaj nuk shohin arsye pse ata vetë duhet të jenë të tillë».

[Kutia në faqen 5]

A JEMI KRIJUAR PËR TË BESUAR?

Eksperimente të drejtuara nga Majkëll Kosfeldi, profesor në fushën e administrimit të biznesit në Universitetin e Frankfurtit, Gjermani, treguan se besimi është «një pjesë biologjike e natyrës njerëzore». Kosfeldi zbuloi se, kur dy njerëz kanë të bëjnë me njëri-tjetrin, truri i njeriut çliron oksitocinë, një hormon që stimulon besimin. «Në fakt, është një nga tiparet dalluese të qenies njerëzore,​—pohon Kosfeldi.​—Kur besimi mungon, në njëfarë mënyre jemi zhveshur nga një pjesë e rëndësishme e natyrës njerëzore.»