Gjuha e kolibrit
A është projektuar?
Gjuha e kolibrit
● Studiuesit arrijnë të analizojnë pika të vockla gjaku, ADN-në dhe substanca të tjera mbi një copë xhami me përmasat e një pëllëmbe. Kur studiuesit përpiqen të shpikin pajisje për të zhvendosur sasi kaq të vogla lëngu, përdorin metodën e thithjes ose të pompimit, por këto metoda nuk janë të efektshme. A ka ndonjë mënyrë më të mirë për të transportuar lëngje në sasi tepër të vogla? Sipas dr. Xhon Bushit të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, «natyra tashmë e ka zgjidhur këtë problem».
Shqyrtoni faktet: Kolibri nuk humbet energji duke e thithur nektarin e një luleje. Përkundrazi, ai shfrytëzon forcat e kohezionit që e bëjnë ujin të mblidhet si rruazë mbi një sipërfaqe dhe të sfidojë forcën e rëndesës. Sapo gjuha e kolibrit bie në kontakt me nektarin, sipërfaqja e lëngut e bën gjuhën të marrë trajtën e një pipze të hollë dhe nektari ngjitet lart. E thënë thjesht, kolibri nuk sforcohet më kot, por e lë nektarin të ngjitet vetë në «pipëz» e pastaj drejt e në gojë. Kur ushqehet, kolibri mund ta mbushë gojën me nektar deri në 20 herë në sekondë.
Ky «gyp i vetvetishëm» është vënë re edhe në disa zogj të ujërave të cekëta, që pinë ujë në mënyrë të ngjashme. Duke folur për këtë aftësi, profesori Mark Deni i Universitetit të Stenfordit, në Kaliforni, SHBA, vëren: «Kombinimi i inxhinierisë, i fizikës dhe i matematikës së aplikuar është vërtet i mrekullueshëm . . . Nëse do t’i thoshim një inxhinieri ose një matematicieni të gjente një mënyrë që zogjtë të pinë ujë me sqep, zor se do t’i kishte shkuar mendja te një metodë e tillë.»
Si mendoni? A erdhi rastësisht në ekzistencë gjuha e vockël e kolibrit—me aftësinë e saj për të mbledhur nektar me shpejtësi dhe me efektshmëri—apo është projektuar?
[Burimi i figurës në faqen 23]
© Richard Mittleman/Gon2Foto/Alamy