Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lundrimet në majë të botës

Lundrimet në majë të botës

Lundrimet në majë të botës

DETARËT në të kaluarën ëndërronin të zbulonin korridorin verior që do të lidhte Oqeanin Atlantik me atë Paqësor, por hasën një pengesë tepër të madhe: rruga detare e Oqeanit të Ngrirë të Veriut ishte e bllokuar nga akulli.

Pavarësisht nga kjo, kalimi verior do të ishte më i shkurtër në krahasim me rrugët ekzistuese detare përmes jugut. Aty nga shekulli i 16-të, rrugët tregtare drejt Lindjes, domethënë ato përreth skajeve jugore të Afrikës dhe të Amerikës Jugore, ishin monopolizuar nga Portugalia dhe Spanja. Tregtarëve të huaj do t’u duhej të gjenin rrugët veriore nëse donin të bënin tregti me Lindjen. Shumë u përpoqën dhe më poshtë janë disa prej tyre:

Anglezët: Në vitin 1553, sër Hju Uillëbi dhe Riçard Çansëllëri drejtuan ekspeditën e parë angleze. Ngaqë stuhia i ndau anijet e tyre nga njëra-tjetra, Uillëbi u detyrua ta kalonte dimrin në bregun e shkretë të Gadishullit Kola në veriun e largët të Rusisë. Të papërgatitur për kushtet e ashpra, ai dhe të gjithë ata që ishin me të, vdiqën. Kurse Çansëllëri mbërriti në Arhangelsk. Që aty shkoi në Moskë me ftesë të carit Ivan IV Vasiljeviç, ose ndryshe Ivani i Tmerrshëm. Çansëllëri nuk arriti të gjente një kalim për në Azi, por i hapi rrugë tregtisë midis Anglisë dhe Rusisë.

Holandezët: Më 1594-ën, Vilem Barenci në fillim lundroi për në Novaja-Zemlja. Megjithatë, në vitin 1596, në udhëtimin e tij të tretë, duke i rënë përqark skajit verior të këtij arkipelagu rus, anija ngeci në akull dhe u dëmtua aq shumë sa s’kishte shpresë që ta rregullonin. Pasi kaluan një dimër të ashpër në një strehim të bërë me drurë të nxjerrë nga deti dhe mbijetuan me mish ariu polar, ekuipazhi i Barencit u kthye me dy varka të vogla. Barenci vdiq gjatë udhëtimit.

Rusët: Eksploruesit rusë ndërmorën një ekspeditë studimi të thellë të Siberisë dhe të pjesës më lindore të Rusisë. Vetëm për 60 vjet, nga viti 1581 deri në vitin 1641, ata i ranë kryq e tërthor zonës nga malet Urale deri në Paqësor. Në atë kohë, kozakët lundruan për në Oqeanin e Ngrirë të Veriut nëpërmjet lumenjve të Siberisë. Ata e shpallën Siberinë territor rus dhe ishin të parët që lundruan përgjatë bregut verilindor të saj. Në vitin 1648, anijet ruse kaluan përmes asaj që mori emrin ngushtica e Beringut nga detari danez Vitus Beringu.

Ekspedita të mëtejshme

Nga viti 1733 deri në vitin 1743, pothuajse një mijë burra nën drejtimin e Beringut, u nisën në shtatë grupe për të studiuar brigjet e Oqeanit të Ngrirë të Veriut dhe të Paqësorit të Rusisë. Anijet e tyre bllokoheshin vazhdimisht nga akulli dhe shumë detarë vdiqën. Sidoqoftë, nga ekspedita u hodh në hartë pothuajse i gjithë bregu i Oqeanit të Ngrirë të Veriut. Të dhënat e përpiluara​—përfshirë hartat detare, thellësinë e deteve dhe informacionet për gjendjen e akullnajave​—dolën tejet të çmuara për ata që do të lundronin në të ardhmen në këtë oqean.

Në të gjitha këto raste, udhëtimet në Oqeanin e Ngrirë të Veriut ishin bërë me mjete lundrimi prej druri. Por ekspedita e Beringut tregoi qartë se ato nuk ishin aspak të përshtatshme për të kaluar Rrugën Detare të Veriut. * Në vitin 1778, eksploruesi anglez Xhejms Kuk arriti në të njëjtin përfundim kur lundroi për në perëndim nëpërmjet ngushticës së Beringut dhe u bllokua nga akullnajat. Vetëm pas një shekulli, finlandezi Adolf Erik Nordenskjold arriti ta përshkonte këtë kalim me anijen e tij me avull.

Rusët fitojnë përvojë

Pas Revolucionit Rus në vitin 1917, asnjë anije nuk lejohej të kalonte në Oqeanin e Ngrirë të Veriut, përveç mjeteve ruse të lundrimit. Që nga viti 1930 e më pas, Bashkimi Sovjetik e bëri më të lehtë kalimin në Rrugën Detare të Veriut dhe ndërtoi porte që të ndihmonte ngritjen e vendeve industriale. Rusia fitoi përvojë në çdo aspekt të lundrimit në Oqeanin e Ngrirë të Veriut.

Gjatë Luftës së Ftohtë, kjo rrugë ishte e mbyllur për anijet e huaja. Megjithatë, për shkak të reformave politike dhe një periudhe tranzicioni në ekonominë e tregut, autoritetet ruse tani i inkurajojnë anijet ndërkombëtare ta përdorin këtë rrugë. Shembulli i mëposhtëm tregon dobitë e saj.

Gjatë verës së vitit 2009, dy anije mallrash gjermane kaluan ngushticën e Beringut dhe pastaj shkuan në perëndim përmes bregut verior pothuajse pa akull fare të Azisë dhe Evropës, e arritën në Holandë. Ishte hera e parë që një shoqëri transporti detare jo ruse përshkonte Kalimin Verilindor. Nga kjo, udhëtimi ishte 5.560 kilometra më i shkurtër dhe zgjati dhjetë ditë më pak. Sipas llogaritjeve, kjo shoqëri transporti kurseu 300.000 euro (për atë kohë 450.000 dollarë amerikanë) për një anije vetëm e vetëm ngaqë përshkoi këtë rrugë të shkurtër.

Sot, akulli në Oqeanin e Ngrirë të Veriut po shkrin me shpejtësi. Si rrjedhojë, zona të mëdha të oqeanit tani janë të hapura çdo verë. * Edhe pse kjo gjë përbën një problem për mjedisin, nëse shkrirja vazhdon, anijet mund të shmangin cekëtinat përgjatë bregut rus dhe të përshkojnë një kalim të drejtpërdrejtë midis Atlantikut dhe Paqësorit​—pikërisht në majë të botës.

[Shënimet]

^ par. 9 «Rruga Detare e Veriut» është emri rus për atë që në vende të tjera njihet edhe si Kalimi Verilindor.

^ par. 14 Nga kjo dhe nga faktorë të tjerë, kohëzgjatja e sezonit të lundrimit gati është trefishuar në lindje të këtij oqeani dhe është më shumë se dyfishuar në perëndim të tij.

[Harta në faqen 15]

(Për textin e faqosur, shih botimin)

RRUGA E PËRSHKUAR NGA

Sër Hju Uillëbi dhe Riçard Çansëllëri

Vilem Barenci

Vitus Beringu

Adolf Erik Nordenskjoldi

Kufijtë e akullit

[Harta]

OQEANI I NGRIRË I VERIUT

Poli i Veriut

Kufiri i akullit të përhershëm

Kufiri i akujve notues në verë

Kufiri i akujve notues në dimër

RRETHI POLAR I VERIUT

SUEDI

GRËNLANDË

KANADA

ALASKË

Ngushtica e Beringut

RUSI

SIBERI

MALET URALE

Novaja-Zemlja

Gadishulli Kola

Arhangelsk

MOSKË

[Figura në faqen 16]

Akujt e Oqeanit të Ngrirë të Veriut po shkrijnë me shpejtësi

[Burimi i figurës në faqen 14]

Biblioteka dhe Arkivi i Kanadasë/​Samuel Gurney Cresswell collection/​C-016105